TIRANË- Partia Demokratike po zhvillon sot protestën e radhës para Kryeministrisë. Sali Berisha insiston se do t’i vijojnë protestat deri në largimin e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës, por në fakt edhe sot në shesh janë mbledhur vetëm një grusht militantësh, të cilët dita-ditës po ‘tkurren’ njëjtë si në protestat e Belind Këlliçit.
8 dhjetori e gjeti Sali Berishën në protestë, por me sheshin e boshatisur, ndryshe nga protestat e dhjetorit 1990, kur mijëra studentë të asaj kohe rrëzuan regjimin komunist dhe i hapën rrugë demokracisë.
Lajmi në përditësim....

Deputeti demokrat i Durrësit, Igli Cara tha se 8 Dhjetori ‘Dita e Rinisë’, është një ditë reflektimi për rininë, të cilët sipas Carës, të detyruar nga jetesa në Shqipëri, të largohen në emigrim.
Cara thotë se liria është një dhuratë për të cilën duhet të luftohet, ndërsa shton se bashkimi është e vetja mënyrë për të larguar Ramën nga pushteti. Igli Cara përmend disa prej figurave të PS, të cilët janë nën hetim nga SPAK apo në baraburgim duke thënë se kjo është një qeveri e korruptuar.
“Është data që përjetësoi lëvizjen e studentëve, si një nga kulmet më të ndritura të ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare të dekadave të fundit.
Fati e desh të jem pjesë e asaj lëvizje dhe çdo përvjetor më kujton se ndryshimet e mëdha nuk lindin kurrë rastësisht. Lindin kur qytetarët e kuptojnë që liria nuk është një dhuratë, por një thesar për të cilin duhet luftuar.
Sot është ditë reflektimi që rinia të ketë një rol më të madh në jetën publike. A jemi sot të lirë ku tregu sundohet nga miqtë e Ramës? A jemi të lirë kur vota blihet, kur administrate kërcënohet, kur bandat bëjnë ligjin? A jemi të lirë kur korrupsioni ka arritur nivelet marramendëse e kur ministra, drejtorë e kryetarë bashkish janë dënuar apo janë në radhë për burg? A mund të flasim për liri kur nën hetim është dhe zv.kryeministrja që mbrohet nga Rama. Një rast unik në botë që vazhdon të jetë në detyrë.
Këto kanë sjellë shpopullimin e frikshëm. Fshatra e komuna që ekzistojnë në letër se nuk ka më njerëz. Emigrimi nuk ka pse të jetë fati i pashmangshëm i fëmijëve tanë. Është pasojë e një sistemi që nuk shpërblen më të mirin. Të gjithë janë të shqetësuar për ligjin e barazisë gjinore. Goditën qelizën më të rëndësishme të shoqërisë që është familja.
Liria na kërkon që të jemi të gjithë bashkë për të shporrur Ramën dhe këtë farë të keqe rilindase që është në pushtet. Ne do të fitojmë, e drejta do të fitojë”, tha ndër të tjera Cara.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji edhe këtë të hënë ka marrë pjesë në protestën e Sali Berishës o organizuar përpara ndërtesës së kryeministrisë.
Ndërsa Berisha vijon protestat në kryeqytet, nga ana tjetër Salianji ka nisur takimet e private, siç i cilëson Berisha, me qytetarët në Durrës. Kjo është parë si një revoltë brenda PD ku në thelb në takimeve të Salianjit është reformim rrënjësor i partisë, e cila përveç se humbje, nuk ka korrur asnjë sukses tashmë prej vitesh.
Pavarësisht dhe deklaratave të Berishës, Salianji përsëri është parë në protestën e të hënës dhe pse në distancë nga besnikët e Berishës.

Protestës së Sali Berishës edhe këtë javë iu bashkuan vetëm një grusht militantësh, të cilët të ‘frymëzuar’ nga Dita e Rinisë premtojnë se do ta rrëzojnë diktaturën e dytë. Pedagogu Erges Eskiu tha se sot i japin besën njëri tjetrit se do ta largojnë Edi Ramën, por në ndryshim nga studentët e dhjetorit që ishin me mijëra që rrëzuan regjimin komunist, ata janë vetëm një grusht militantësh.
“Sot në ditën e rinisë ti japim besën njëri-tjetrit, ta çojmë ëndrrën e tyre në vend, ta shporrim diktaturën e dytë. Kanë shpenzuar miliarda për të shkatërruar ëndrrën e studentëve të drejtorit për të shkatërruar PD-në dhe vinte ajo zonja na thonte do hani bar po ndoqët liderin tuaj. Dua t’iu bëj të besoni që kjo parti nuk shuhet kurrë, se kjo është partia e tyre që sakrifikuan, i bën ballë regjimit të Hoxhës. Kjo është partia e Hajdarit, partia e Berishës, e njerëzve të lirë që kurrë nuk dorëzohen”, tha ai.
Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta e Sali Berishës para Kryeministrisë, së cilës në javën e katërt i janë bashkuar edhe më pak militantë se në protestat e tjera.
Në Ditën e Rinisë, Berishës në protestë iu bashkuan vetëm një grusht militantësh, të cilët siç duken në pamje po tkurren dita-ditës, njëjtë si protestat e Belind Këlliçit. Sheshi para Kryeministrisë shihet i boshatisur.
Komente









