Marrëveshja me FMN, taksa
e pronës në faturat e dritave

Marrëveshja me FMN, taksa<br />e pronës në faturat e dritave
Ministria e Financave e Shqipërisë synon të bëjë efektive në gjithë territorin e vendit taksën mbi pronësinë gjatë vitit 2017, teksa të ardhurat nga tatimet dhe taksat mbeten ende të ulta, edhe krahasuar me vendet e rajonit.

Kjo deklaratë përfshihet në raportin më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar dje në Uashington me rastin e përfundimit të marrëveshjes trevjeçare të institucionit financiar ndërkombëtar me vendin tonë.

Sipas raportit, kryeministri ka miratuar tashmë një plan veprimi, si dhe një grup të veçante pune, që po drejton procesin në fjalë. “Kadastra fiskale është duke u zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE). Ministria e Financave është duke zhvilluar projekt pilot në katër zona të mëdha, duke integruar faturat e taksimit të pronës në faturat e energjisë elektrike dhe ujit, për ta shtrirë më tej këtë skemë” thuhet në raportin e FMN-së.

Duke qenë se marrëveshja trevjeçare me Fondin ka përfunduar dhe në qershor janë zgjedhjet parlamentare, FMN ka porositur qeverinë që të mos japë më stimuj fiskalë, pra lëshime në taksat. Fondi këshillon që të përshpejtohet reforma mbi taksën e pronës dhe shpreh miratim për planin qeveritar që kjo taksë të vilet tek faturat mujore të dritave dhe ujit.

Aktualisht, abonentët e energjisë elektrike në Tiranë në faturat e tyre që gjatë vitit të kaluar gjetën edhe një shifër të ndarë në muaj për të paguar taksën e ndërtesave. Duke qenë se fatura e energjisë elektrike është titull ekzekutiv, qytetari apo biznesi nuk mund të shmangnin pagesën e taksës nga pagesa e faturës së konsumit të energjisë, kështu që Bashkia, e cila është përfituesja e fondit në fjalë, arriti të arkëtojë një shumë të konsiderueshme.

Një praktikë e tillë është futur për herë të parë për pagesën e taksës së aparateve televizive, nga qeveria Berisha, që gjeti mënyrën për të marrë kështu detyrimin ndaj televizionit publik, që shumica e qytetarëve e shmangnin.
 
Vlerësimet
Në përgjithësi, raporti i FMN përmban nota pozitive sa i përket angazhimit të Ekzekutivit shqiptar për të dalë nga situata e vështirë financiare që gjeti në vitin 2013 dhe për të shmangur pasojat e krizës rajonale dhe botërore ekonomike. FMN vë në dukje se autoritetet në Shqipëri kanë zbatuar një rregullim të konsiderueshëm fiskal. Krahasuar me vitin 2013, të ardhurat janë rritur me rreth 2.7 për qind të PBB-së. Por Fondi konsideron se strategjia e konsolidimit fiskal kërkon angazhim të fortë politik.  

Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë këtij viti do të përshpejtohet në 3.7%, nënvizon Fondi Monetar. Kjo rritje ekonomike, vijon institucioni, merr shtysë nga investimet e huaja direkte, kryesisht në sektorin energjetik, si dhe nga kërkesa e fortë e brendshme. Për rrjedhojë, edhe inflacioni pritet të shkojë në 2.6%. Edhe në terma afatmesëm, FMN është optimist për ekonominë shqiptare, me një prognozë prej 4 përqindësh.

“Programi shënoi një sukses duke çuar në rrugën e shërimit financat publike”, u shpreh Anita Tuladhar, kreu i ekipit të FMN-së për Shqipërinë. “Falë angazhimit të autoriteteve shqiptare, ne mbështetëm reformat që janë kritike për rritjen. Programi ka forcuar kuadrin institucional dhe ka reduktuar dobësitë në ekonomi. Stabiliteti makroekonomik u ruajt, pavarësisht kushteve të vështira të jashtme”,- shtoi ajo.

Nga ana e tij, ministri i Financave Arben Ahmetaj shkruajti në FB: "Një tjetër vlerësim për suksesin e programit me Shqipërinë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar. FMN vlerësoi, përmes një deklarate zyrtare, arritjet kryesore të ekonomisë shqiptare përgjatë tre viteve të fundit, me fokus rimëkëmbjen ekonomike, uljen e borxhit dhe konsolidimin makroekonomik e fiskal. Duke rekomanduar vazhdimin e reformave, FMN e vendos theksin kryesisht tek avancimi i reformës në drejtësi dhe reformave strukturore të lidhura me të, për zgjidhen e problematikave të institucioneve dhe ineficencës së sistemit gjyqësor".
 
Problemet
Institucioni financiar ndërkombëtar kërkon ecjen para me reformën në drejtësi, të mbështetur nga BE, si dhe reformat e tjera të lidhura me të, “për të trajtuar shqetësimet e qeverisjes dhe një sistem joefikas të drejtësisë”. Sipas deklaratës, duhet të vijojnë përpjekjet për të ulur borxhin publik dhe nevojat e huamarrjes.

Gjithashtu kërkohet që Shqipëria ta bëjë menaxhimin publik financiar më efiçent dhe të modernizojë administratën tatimore. Gjithashtu, e rëndësishme për FMN është që të zgjidhet problem i borxhit ende të lartë publik, që bllokon dhënien e huave nga jashtë. 
Në fund, lihet të kuptohet se FMN nuk do të largohet nga Shqipëria.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS