Autoritetet shqiptare dhe ato greke kanë hartuar një program të përbashkët për bashkëpunimin ndërkufitar, i cili do të mundësojë lëvrimin e fondit prej 36 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Zona ndërkufitare përfituese e këtij programi shtrihet nga Deti Jon në liqenet e Prespës dhe përfshin njësitë rajonale të Grevenës, Kosturit, Follorinës, Artës, Thesprotia, Janinës, Prevezës, Zakynthos, Kerkyrës, Kefallinias dhe Lefkadës në Greqi, dhe Qarkun e Vlorës, Gjirokastrës, Korçës dhe Beratit në Shqipëri. Kjo marrëveshje financimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, ndërsa ka shkruar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.
Programi IPA mes Greqisë dhe Shqipërisë është hartuar në kuadrin e strategjisë dhjetëvjeçare të zhvillimit të Bashkimit Evropian "Evropa 2020" për një rritje inteligjente, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Gjatë hartimit të këtij programi është marrë parasysh edhe strategjia e BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit, e cila fokusohet në 4 shtyllat tematike: Rritja e rëndësisë detare; lidhja e rajonit; ruajtja, mbrojtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit; rritja e atraktivitetit rajonal. Në këtë program janë reflektuar edhe parashikimet e direktivës kuadër të Strategjisë Detare të BE-së 2008/56 / EC, (MSFD) e cila synon mbrojtjen e mjedisit detar të të gjithë Evropës.
Marrëveshja konsiston në rritjen e kapaciteteve infrastrukturore në zonën ndërkufitare në menaxhimin e transportit, ujit dhe mbetjeve, rritjen e efektivitetit të mbrojtjes mjedisore dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore, rritjen e efiçencës së energjisë dhe përdorimit të sistemeve të energjisë së rinovueshme si dje në përmirësimin e efektivitetit të parandalimit të rreziqeve dhe menaxhimi i katastrofave natyrore, me fokus zjarrin në pyje. Po ashtu, marrëveshja parashikon ruajtjen e resurseve kulturore dhe natyrore si një parakusht për zhvillimin e turizmit të zonës ndërkufitare dhe përmirësimin e kapaciteteve të zonave ndërkufitare për të mbështetur sipërmarrjen, mbijetesën e bizneseve dhe konkurrencën.
Një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes janë edhe kushtet e përgjithshme të marrëveshjes, ku parashikohen përgjegjësitë dhe strukturat zbatuese të Programit. Ky program do të zbatohet nën menaxhimin e përbashkët ndaj, si rrjedhojë, shteti anëtar (në këtë rast Autoriteti Menaxhues Grek – Ministria Greke e Ekonomisë, Zhvillimit dhe Turizmit) dhe Komisioni Evropian janë përgjegjës për zbatimin, menaxhimin dhe kontrollin e Programit. Autoritetet shqiptare do të mbështetin shtetin anëtar në përgjegjësitë e tij dhe do të kryejnë ato detyra të cilat nuk mund të kryhen në territorin shqiptar nga ana e autoritetit menaxhues.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje financiare do të mundësojë zbatimin e përbashkët të projekteve në të ardhmen midis Greqisë dhe Shqipërisë, duke mundësuar, në këtë mënyrë, zhvillimin e zonave ndërkufitare nëpërmjet rritjes së kapaciteteve infrastrukturore në zonën ndërkufitare në menaxhimin e transportit, ujit dhe mbetjeve; rritjen e efektivitetit të mbrojtjes mjedisore; rritjen e efiçencës së energjisë; përmirësimin e efektivitetit të parandalimit të rreziqeve; nxitjen e ekonomisë lokale; ruajtjen e resurseve kulturore dhe natyrore si dhe rritjen e kapaciteteve të zonave ndërkufitare për të mbështetur sipërmarrjen, mbijetesën e bizneseve dhe konkurrencën. Zbatimi i përbashkët i projekteve midis përfituesve shqiptarë dhe grekë do të jetë një mundësi e mirë për të shkëmbyer njohuritë dhe përvojat, për të ndërmarrë dhe zbatuar aksione pilot sipas akseve prioritare.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com