Në zonat kufitare, mjekët e Republikës së Kosovës do të ofrojnë shërbim të specializuar në Republikën e Shqipërisë dhe kudo ku është e nevojshme.

Marrëveshja e re e firmosur sot në Pejë të Kosovës mes Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës Uran Ismaili parashikon shkëmbimin e mjekëve në funksion të përmirësimit të strukturave shëndetësore të dy vendeve tona.

Kjo pikë e re e marrëveshjes, së bashku me ofrimin e shërbimit në zonat kufitare, forcon bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve tona. Marrëveshja parashikon gjithashtu bashkëpunimin në fushën e shëndetit publik, farmaceutikës, trajnimeve të profesionistëve të shëndetit, etj. 

Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, palët do të ndërmarrin plane veprimi për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, të cilët do të përmbajnë aktivitetet e parashikuara në marrëveshje.

Bazuar në këtë marrëveshje, të vlefshme për 3 vjet, ministritë e dy vendeve do të ngrenë një Komitet të Përbashkët Monitorimi dhe Koordinimi, me qëllim vlerësimin e prioriteteve, në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve.