Një kredi me vlerë totale 218 milionë euro, për të cilën Kuvendi ka dhënë në fund të vitit të kaluar miratimin, zbulohet se paraqet dy aspekte problematike, të cilat institucionet qeveritare ndoshta i kanë anashkaluar.

Fjala është për marrëveshjen kreditore që është nënshkruar tashmë midis Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me anë të së cilës synohet ndihma financiare për shlyerjen e borxheve, që KESH u ka katër bankave në vend, maturimi i të cilëve ka filluar që nga shtatori i vitit të kaluar dhe do të vazhdojë deri në mars të këtij viti.

Duke krijuar një situatë të vështirë sërish për financat e ndërmarrjes më të madhe të prodhimit të energjisë elektrike në vend me pronësi shtetërore.
 
Çmimi
Kjo kontratë parashikon disa kushte, të cilat BERZH ja vendos kredimarrësit dhe të cilat janë miratuar edhe nga Parlamenti shqiptar. Së pari, kush është ndryshimi i tarifave.
Sipas termave të marrëveshjes, qeveria, që është garant për krrdinë, do të “rishikojë çmimet e rregulluara për prodhimin e energjisë elektrike dhe çmimet e tregut të shitjes me shumicë, në linjë me përfundimin e kontratës afatgjatë për furnizimin/blerjen e OSHEE/KESH-it, me të ardhura në nivelet e tarifës për KESH-in, të konfirmuara me shkrim në mënyrë të pëlqyeshme për BERZH”.

Kjo është hera e parë që një bankë evropiane kërkon dhe merr miratim për ndikim në vendosjen/ndryshimin tarifor në tregun e energjisë elektrike në Shqipëri. Një gjë e tillë është atribut ekskluziv i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, që është një institucion i pavarur nga Ekzekutivi. Pavarësish se në të kaluarën qeveritë shqiptare kanë ndikuar direkt mbi ERE-n për çmimet, gjithsesi për institucionet evropiane është absurd të kërkohet një kusht i tillë.

Për më tepër, një gjë e tillë nuk ka të bëjë me uljen e tarifës, por detyrimisht me rritjen e çmimit, me të cilin një kilovatorë energji e prodhuar nga HEC-et e KESH-it u shitet operatorëve kontraktorë, duke nisur nga OSHEE. Një ditë më parë, kreu i KESH-it Agron Hetoja i ka pohuar revistës “Monitor” se, për të mbuluar kostot që vijnë nga amortizimi i aseteve dhe shlyerja e kredive që KESH ka marrë për gjithë sistemin, Korporatës i duhet një tarifë shitjeje 2.8 lekë për kilovatorë. Aktualisht KESH një kilovator energji ia shet 1.45 lekë ndaj Operatorit të Shpërndarjes.

Kjo ve në pikëpyetje qendrimin në fuqi të tarifave aktuale, të cilat pritet të rishikohen nga fundi i tremujorit të parë të këtij viti.
 
Liberalizimi
Ligji i ri për energjinë, që ka hyrë në fuqi në vitin 2015, detyron kompanitë të operojnë me çmime të tregut dhe kjo reformë nuk le jashtë procesit kompaninë shtetërore të prodhimit të energjisë. Liberalizimi nënkupton që kompanitë do ta tregtojnë energjinë me çmime të lira, por çmimi për konsumatorin fundor nuk do të ndryshojë.

Pra, të ardhurat që realizohen nga shitja e energjisë elektrike do të shpërndahen në mënyrë të barabartë, me kusht që asnjëra nga kompanitë të mos subvencionojë tjetrën.
Por KESH ndërhyn në këtë mes, duke nxjerrë arsyetimin e shlyerjes së borxheve dhe duket se këtë ja ka kërkuar edhe BERZH-it. Në këtë mes, BERZH ka kërkuar që KESH të ketë tregues të lartë financiarë, që mund të jenë të arritshme vetëm nëse rritet çmimi, me të cilin ai i shet energjinë Operatorit të Shpërndarjes.

Çfarë pritet të bëjnë në këtë mes ERE dhe OSHEE?
Kjo e fundit ka patur rezultate më të mira se sa pritej, të paktën më të larta se parashikimet e ERE-së një vit më parë, në sajë të rritjes së arketimeve dhe uljes së humbjeve në rrjet. Le të shpresojmë që një pjesë të këryre fitimeve kompania shtetërore e shpërndarjes t’ia kalojë “pa dhimbje” KESH-it.

Pra, pa rritur tarifimin për konsumatorin fundor. ERE duhet ta mbajë parasysh këtë fakt, siç duhet të mbajë edhe atë që, si pasojë e vitit me reshje, edhe burimet hidrike të rritura të HEC-eve do të sjellin më shumë të ardhura në arkën e KESH-it.
Mund të mendohet edhe se konsumatorët e biznesit do të jenë të vetmit që do të sakrifikohen për hatër të borxheve të Korporatës, duke lënë mënjanë familjarët.  

berzh kesh


berzh kesh

dy.b/shqiptarja.com