Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, kryeministrja italiane Giorgia Meloni u pyet nga gazetari i medias Rai3 mbi marrëveshjen për strehimin në Gjadër të Lezhës të emigrantëve të paligjshëm që tentojnë të futen në territorin e Italisë.

Meloni tha se për nga forma, marrëveshja me Shqipërinë është revolucionare dhe se kjo formulë po kopjohet tashmë nga shumë vende të Bashkimit Europian.

Kryeministrja italiajne u shpreh e bindur se pavarësisht se ky projekt ka mbetur në vendnumëro për momentin, “ingranazhet” juridike do të zhbllokohen sapo të hyjë në fuqi Pakti i ri i BE-së për Migracionin dhe Azilin.

“Ka disa vende europiane të cilat prej kohësh përpiqen të ndërmarrin veprime të ngjashme, në të njëjtin drejtim dhe me të njëjtin qëllim. Të gjithë e kuptojmë se një nismë e tillë është revolucionare sa i përket mënyrës së menaxhimit të flukseve të emigracionit. Ne e dimë mirë pse deri më sot nuk ka funksionuar siç duhet. Protokolli do të funksionojë kur të hyjë në fuqi marrëveshja e re për azilin. Nëse disa transferime të emigrantëve janë bllokuar, kjo është një çështje që do të zgjidhet së shpejti”,- tha Meloni.

Ndërsa kryeministri Rama theksoi se nuk është penduar aspak që ka pranuar marrëveshjen për emigrantët me vendin fqinj.

“Sa i përket pyetjes suaj nëse jam penduar — nëse ju, që për dy vjet me radhë bëni të njëjtën pyetje, nuk jeni penduar, si mund të jem unë? Unë kam bërë 100 gjëra të tjera me Kryeministren tuaj.  Këtë e kam thënë që në fillim: me Italinë, unë do të vazhdoj ta bëj këtë bashkëpunim 100 herë, edhe pse 100 herë të tjera do të vazhdoni të jeni kundër — dhe me vendet e tjera jo. Italia mund t’i kërkojë Shqipërisë çfarëdo që i vjen ndër mend”,- tha Rama.


Lajmi kryesor:

Shqipëri-Itali, për herë të parë mbledhje mes dy qeverive, firmosen 16 marrëveshje! Rama-Meloni: Ditë historike! Ndërtojmë 7 anije në bazën e Pashalimanit (VIDEO)