Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nënshkruar Marrëveshjen për kërkim – prodhim hidrokarburesh në blloku Dumrea, me kompaninë e njohur italiane ENI. Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe CEO i kompanisë ENI, ClaudioDescalzi, në prani të kryeministrit të Shqipërisë, z.EdiRama dhe ambasadori Italian në vendin tonë, AlbertoCutillo.
Në fjalën e saj ministrja Balluku ka vlerësuar negociatat e gjata dhe profesionale të bëra për të arritur deri në fazën finale të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, e cila sipas asaj vendos një standard të ri cilësor në sektorin e hidrokarbureve.
“Marrëveshja hidrokarbure për këtë aktivitet kërkim prodhimit në bllokun Dumrea shënon vendosjen e një standardi të ri të cilësisë në këtë sektor si në aspektin teknik, ashtu edhe në aspektin financiar. Në këtë marrëveshje sigurohet respektimi i plotë i të drejtave dhe detyrimeve të secilës palë si dhe balancimi i përfitimit të tyre, duke rritur kështu dhe përfitimet e shtetit shqiptar krahasuar me marrëveshjet e mëparshme”, është shprehur ministrja Balluku.
Kompania ENI e njohur si një nga kompanitë më të mëdha dhe serioze në sektorin e hidrokarbureve në botë do të sjellë në vendin tonë reputacionin dhe eksperiencën e saj si dhe do të vendosë standarde të larta në teknologji dhe në proceset e punës në këtë industri.
Ministrja Balluku deklaroi se “sot investimet private në fushën e kërkim-zbulimit të hidrokarbureve arrijnë në vlerën e 1.5 miliardë dollarëve dhe kompania ENI me programin e saj ambicioz të punës do të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e këtij volumi edhe më tej”.
Ndërkohë marrëveshja e nënshkruar sot mes MIE dhe ENI shënon një nga marrëveshjet më të mira përfituese për buxhetin e shtetit. Përfitime që përveç të ardhurave në buxhetin e shtetit do të shkojnë edhe në drejtim të përgjegjësisë sociale të kompanisë italiane, e cila do të ofrojë përveç punësimit edhe bursa shkollimi për ngritjen dhe formimin e kapaciteteve njerëzore të reja si dhe programe trajnimi për ekspertët vendas.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi rëndësinë që i kushton Qeveria Shqiptare zhvillimit të sektorit të hidrokarbureve dhe thithjes së investimeve të huaja.
“Qeveria shqiptare e vlerëson si një nga prioritetet kryesore zhvillimin, rritjen dhe modernizimin e sektorit të hidrokarbureve, e lidhur kjo ngushtësisht me rritjen ekonomike dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Jemi të sigurt se partneritete strategjike si ky që po formojmë sot, duke nënshkruar një kontratë për bllokun e Dumresë, me një kompani ekselence si ENI, krijojnë elementë ftues dhe garancie për të përthithur edhe më shumë investime të huaja”, ka thënë ministrja Balluku.
Blloku i Dumresë, në qarkun e Elbasanit, është vlerësuar si një zonë me potencial shumë të mirë hidrokarburesh të lëngshme me një shtrirje prej 587 Km2. Kompania ENI ka fituar të drejtën për të investuar në këtë zonë, pas një gare ndërkombëtare të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
Aktualisht si rezultat i operacioneve hidrokarbure të kryera nga kompanitë e huaja në vendburimet e naftës dhe të gazit në vendin tonë, parashikohet që për vitin 2019 prodhimi të arrijë në rreth 1 milion tonë naftë bruto.