/ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian mori dje një marrëveshje mes Kievit dhe Moskës për të garantuar livrimet e gazit në Ukrainë deri në fund të muajit mars dhe për të siguruar gjithashtu tranzitin nga ky vend të gazit që blejnë evropianët, njoftoi Komisioni Evropian.
Kompania ukrainase "Naftogaz" u angazhua t'i parapaguante "Gazpromit" në muajin mars blerjet e gazit duke garantuar mbulimin e konsumit në Ukrainë.
"Grupi rus garantoi nga ana e tij tranzitin e gazit të blerë nga Bashkimi Evropian dhe do të livrojë në pikat e pranuara nga të dyja palët deri në 114 milionë metër kub gaz në ditë në Ukrainë në bazë të parapagimeve të marra", sipas marrëveshjes së publikuar në përfundim të disa orëve negociatash në Bruksel mes ministrave rus dhe ukrainas të Enegjisë, respektivisht, Alexandre Novak dhe Volodymyr Demtchichine.
Bashkimi Evropian i blen çdo vit rreth 130 miliardë metër kub gaz Rusisë dhe gjysma e këtyre blerjeve, rreth 15 për qind e konsumit, tranzitohet nga Ukraina me destinacion Poloninë, Hungarinë, Rumaninë, katër vende nga ku mbërrijnë gazjellësat ukrainas në Bashkimin Evropian.
Ukraina është një klient i rëndësishëm i Gazprom me 26 miliardë metër kub gaz të blerë çdo vit, rreth gjysma e konsumit të këtij vendi.
Një ndërprerje e livrimeve të gazit në Ukrainë do të kishte ndikim për dërgimin e gazit të blerë nga dhjetëra vende të Bashkimit Evropian. Më të shqetësuar janë Sllovakia, Hungaria dhe Bullgaria, sepse ato varen më shumë se 80 për qind nga gazi i Gazprom për konsumin e tyre.












