Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, është shprehur se marrëveshjet që lidhen me rolin e Shqipërisë në politikat rajonale, të cilat janë paraqitur në Parlament për t’u miratuar, janë tepër të rëndësishme.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Shehu garantoi mazhorancën se do t’i votonte marrëveshet, pavarësisht rezervave që kishte me konceptet e politikës së jashtme rajonale të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Por Shehu shprehu pakënaqësi me atë që sipas tij po ndodhte në Parlament, duke thënë se asnjë ministër i fushës nuk ishte prezent për të diskutuar marrëveshjet e sipërpërmendura.

“Ka diçka që nuk shkon në këtë Parlament, i cili është kthyer krejtësisht në formalizëm. Së pari marrëveshjet që janë paraqitur janë marrëveshje të rëndësishme, që lidhen me politikat rajonale mbi rolin e Shqipërisë për marrëdhëniet reciproke në rajon. Dhe unë nuk shoh asnjë ministër të fushës që të jetë prezent. Është një skandal i vërtetë kjo që po ndodh në Parlament. Jemi në një situatë vërtetë qesharake dhe të rëndë në Parlamentin shqiptar. Këto marrëveshje unë do t’i votoj, megjithë rezervat që kam në konceptet e politikës së jashtme rajonale të realizuara nga kjo qeveri, e cila në vend të forcojë bashkëpunimin me faktorët rajonalë, e ka shkatërruar atë”, tha mes të tjerash Shehu.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ PD: S’e kemi bojkotuar Territorialen! PS afat deri në mbrëmje: Nëse nuk vini, zhbëjmë barazinë! Debate për Ballukun, opozita bllokon foltoren sapo futet Berisha