Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka zhvilluar analizën 9-mujore. Në këtë mbledhje, Drejtori i ISSH-së Astrit Hado, u shpreh se qytetarët nuk duhet të dorëzojnë të gjitha dokumentet që kërkoheshin më parë nga zyrat lokale të ISSH-së. Hado theksoi se tashmë ka nisur puna për heqjen e dokumentave si certifikatat apo dëshmitë e penalitetit.

“Instituti i Sigurimeve Shoqërore duhet të vazhdojë punën për përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe realizimin e planit të ardhurave! Këto ishin dy çështjet më kryesore që trajtova sot(dje) në analizën 9-mujore me të gjithë drejtorët e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.

Masave të ndërmarra nga ISSH në këtë drejtim, tashmë i janë shtuar edhe heqja e një serë dokumentesh, që deri para pak kohësh merreshin personalisht nga qytetarët. Duke pasur në fokus pikërisht këta fundit, janë marrë të gjitha masat që çdo punonjës në zyrat e ALSSH-ve dhe DRSSH-ve të tërheqë në mënyrë elektronike këto dokumente, duke eleminuar në maksimum ecejaket për aplikuesit”- u shpreh në një postim në rrjetet sociale, Astrit Hado.

Përfitimet
Drejtori i Insitutit të Sigurimeve Shoqërore u shpreh gjithashtu se qytetarët do të marrin përfitime të drejta në kohë të shpejtë.

“Pavarësisht se treguesit financiarë për këtë vit janë në nivele të kënaqshme, të gjitha strukturat e drejtorisë së kontributeve në ISSH, duhet të vazhdojnë me intensitet punën që të realizohet plotësisht plani i të ardhurave nga sigurimi i të vetëpunësuarve në bujqësi dhe atij vullnetar. Për ne, është e rëndësishme që qytetarët të marrin përfitime të drejta dhe në kohë sa më të shpejtë, sepse ata që kanë punuar gjithë jetën meritojnë respekt dhe trajtim dinjitoz”, - tha Astrit Hado në analizën 9-mujore të ISSH-së.

Dokumentat që nuk duhet ti dorëzoni
Agjencitë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, për të gjitha shërbimet që ofrojnë dhe pranojnë dokumentacion nga qytetarët, nuk do të kërkojnë prej tyre depozitimin e dokumentave të mëposhtme:

-Të gjitha llojet e certifikatave që gjenerohen nga sistemi i gjendjes civile.

-Dëshmi penaliteti.

-Dokumente të cilat gjenerohen nga strukturat e sigurimeve shoqërore.

“Në çdo rast, punonjësit, të cilët do të aksesojnë të dhënat, mund ta realizojnë këtë vetëm pasi të jenë pajisur me autorizim me shkrim nga ana e aplikuesit për këtë qëllim. Përpunimi i të dhënave të përfituara nëpërmjet aksesit të drejtpërdrejtë kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Dokumentacioni do të gjenerohet nga portali e-albania.al dhe nga ndërveprimi i bazës të të dhënave të sigurimeve shoqërore me institucionet e tjera shtetërore. Gjithashtu theksojmë se përsa i përket dokumentave apo vërtetimeve për përdorim jashtë vendit, deri në një moment të dytë, kërkesa për këto dokumenta do të vazhdojë të kryhet nëpërmjet Postës Shqiptare sha, drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, - thotë Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com