Në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, lëvizja në pikën kufitare Shqipëri–Kosovë është paraqitur më e ulët krahasuar me vitet e mëparshme, kur çdo 17 shkurt shënonte një fluks të lartë qytetarësh nga Shqipëria drejt Kosovës për të festuar në Prishtinë.
Edhe pse këtë vit pritej një rritje e numrit të udhëtarëve, për shkak të marshimit “Drejtësi, Jo Politike” që do të mbahet sot në orën 14:00 në Prishtinë, fluksi rezultoi i lehtë me hyrje te dhjetra mjeteve te Shqiperise te stolisura me simbolet kombetare. Marshimi është paralajmëruar si një tubim solidarizimi për ish-komandantët e UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë.
Autoritetet doganore bënë të ditur se deri në mesditë është regjistruar një numër i vogël lëvizjesh të mjeteve dhe qytetarëve nga Shqipëria drejt Kosovës, ndryshe nga vitet e tjera kur kolonat e automjeteve kanë qenë të gjata në këtë datë simbolike.
Ndërkohë, ajo që ra në sy në kufirin e përbashkët ishte hyrja në Shqipëri e një numri të konsiderueshëm automjetesh nga Kosova, disa prej tyre të transportuara me mjete të posaçme dhe të stolisura me flamuj të Shqipërisë, Kosovës dhe me mbishkrimin “Liria ka emër UÇK”.
Sakaq rreth 100 anëtarë të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të pajisur me simbole kombëtare dhe me imazhin e kryetarit Adriatik Lapaj, udhëtuan drejt Prishtinës për t’iu bashkuar marshimit. Para kalimit të kufirit, Lapaj e cilësoi këtë si një ditë të shënuar për kombin shqiptar.
“Sot është një ditë e veçantë. Përtej festës së Pavarësisë, ne po shkojmë në Kosovë për të dëshmuar mbështetjen tonë për heronjtë e luftës së Kosovës. Askush nuk mund ta bëjë pis luftën dhe pavarësinë e Kosovës. Mund të mos kemi pikëpamje të njëjta për politikën e brendshme, por sa i takon kombit, ne jemi një dhe bashkë”, u shpreh Lapaj.
Marshimi në Prishtinë pritet të mbledhë qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria, në një ditë që përkon me një nga datat më të rëndësishme në historinë e shtetit të Kosovës.
Komente











