Marsi i mësuese Bardhës

Marsi i mësuese Bardhës
Marsi ka dy festat më të bukura në fillim të tij: atë të mësuesit dhe atë të gruas, nënës.
Eshtë e rëndësishme dhe e mrekullueshme festa e gruas, nënës, por, po aq e bukur dhe e rëndësishme festa e mësuesit. Mësuesja, ashtu si Nëna, është një pikë shumë e rëndësishme referimi për fëmijët. Eshtë mirë që në lulëzimin e tyre, të vegjëlit të kenë disa modele jete, e me instiktin e tyre fëminor, të zgjedhin më të mirin.
Mësuesja ime e fillores, Fatbardha Bërdyna sot nuk jeton më. Ajo grua e bukur dhe e mrekullueshme, nëna e 5 vajzave, iku pak shpejt, por besoj se ka lënë shumë kujtime të bukura dhe shenja shumë të mira te të gjithë nxënësit e saj.
Mësuese Bardha ishte nga Tirana, e martuar me profesorin me origjinë nga Kosova, Muhamed Bërdyna, jetonin dhe jepnin mësim që të dy në Shijak. Kishin 5 vajza. Për mua ishte gjithnjë gëzim kur shkoja në klasë: Mësuese Bardha ishte aq e bukur, e mirë dhe vishte disa fustane të mëndafshta me ngjyra që i kujtoj akoma sot. Gjithmonë e qeshur, e sjellshme dhe mendoj se këtë karakteristikë të saj, ua ka lënë të stampuar në shpirt dhe fytyrë të gjithë brezave që ka mësuar. Një nxënës apo nxënëse e mësuese Bardha Bërdynës, edhe sot dallon për buzëqeshjen e mirësjelljen karakteristike. E shoh në fytyrën e të gjithë shokëve e shoqeve të klasës edhe sot kur i takoj.
Ndoshta nga mësuese Bardha më ka mbetur edhe pasioni i madh për lulet. Shtëpia e saj ishte në një pallat përballë lumit Erzen dhe si ballkon kishin tarracën e një dyqani që ndodhej poshtë. Aty, e vogël, kur shkonim ta uronim në shtëpi për 7 Marsin unë jam mahnitur me lulet. Nuk më ikën nga mendja bukuria e pjergullave, pemëve që mësuese Bardha e bashkëshorti i saj rrisnin në atë ballkon. Ishte ballkoni më i lulëzuar i qytetit tim të lindjes.
 Do të kujtoj me respekt, e ndërsa i sjell në mendje sytë më shkëlqejnë, edhe mësuese Beatriçe Dedën, drejtoreshën e shkollës sime 8 vjecare dhe mësuese Bukri Vehbiun, mësuesen time të matematikës dhe kujdestare. Nuk e di nëse kam qenë unë me fat, por mësueset e mia kanë pasur një elegancë, seriozitet dhe profesionalizëm që sot e kërkoj rreth e rrotull dhe rrallë e më rrallë e gjej.
Kohët kanë ndryshuar në Shqipëri, vajza ime Carlotta, qytetare shqiptare dhe italiane, në Tiranë, mësuesen e klasës së saj të parë e ka amerikane, Ms. Cindy. Unë jam po aq e lumtur kur e shoh vajzën time të tregojë e gëzuar për mësuesen e saj dhe sytë t’i shkëlqejnë nga një dritë e mirë. Mësuesi njeh të tjera aspekte të karakterit të fëmijëve, që ne prindërve mund të na shpëtojnë. “Carlotta është pak e ndrojtur”, i them Ms. Cindy-t në një takim në shkollë. “Carlotta e ndrojtur?!” m’u përgjigj me habi mësuesja, duke kërkuar përgënjshtrimin me një bashkëpunim të ngushtë dhe me time bijë… Të dyja, qeshën me mua.  
Ja këta janë mësuesit, ata që njohin po aq mirë të tjera anë të fëmijëve tanë. Janë të vëmëndshëm e të rëndësishëm sa edhe ne prindërit në rritjen e tyre. Unë do të dëshiroja që të mendojmë një përqafim virtual për të gjithë mësuesit e mirë.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Acarohen gjakrat te sheshi Uilson, policia shtyn protestuesit, tentohet shpërndarja! Përplasje me deputetet Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho, shoqërohet një protestues

Acarohen gjakrat te sheshi Uilson, policia shtyn protestuesit, tentohet shpërndarja! Përplasje me deputetet Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho, shoqërohet një protestues