Shqipëria mund të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në në vitin 2027. Këtë perspektivë ofroi komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, duke u kërkuar mazhorancës dhe opozitës të bashkojnë forcat për realizimin e reformave.

Duke iu referuar përvojës së saj si sllovene, e rritur në ish-Jugosllavinë komuniste, Kos theksoi rëndësinë e bashkëpunimit politik për t'u dhënë reformave legjitimitet dhe mbështetje të gjerë.

Komisionerja vlerësoi përparimin e Shqipërisë, e cila hapi të gjithë grupkapitujt e negociatave në vetëm 13 muaj, ndërsa ka mbyllur katër kapituj. Deri në fund të këtij viti, Brukseli pret mbylljen e një të katërtës së kapitujve. Kos vlerësoi gjithashtu ngritjen e institucioneve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Mali i Zi është në prag të mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave. Vitin e ardhshëm Shqipëria ka mundësi të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë”, tha Kos.

Në mbledhjen e Këshillit, pjesa e parë e së cilës u drejtua nga Taulant Balla dhe e dyta nga Jorida Tabaku, kreu i grupit parlamentar socialist kërkoi konsensus për reformat e integrimit, përfshirë ndryshimet në legjislacionin zgjedhor.

“Mund të kemi qasje të ndryshme mbi qeverisjen, por destinacioni ynë i përbashkët është Shqipëria në BE”, tha Balla, duke nënvizuar edhe detyrimin e Kuvendit për të mbikëqyrur zbatimin e reformave dhe garantuar llogaridhënien.

Por, sipas Tabakut, mazhoranca ka dobësuar pikërisht kontrollin parlamentar, ndërsa shqetësimet që ngrihen në Bruksel për pastrimin e parave dhe ndikimin politik mbi drejtësinë nuk diskutohen sa duhet në Kuvend. Deputetja demokrate solli si shembull çështjen e Belinda Ballukut.

“Rasti i saj shkon përtej këtyre shqetësimeve, me akuza të reja për korrupsion dhe pastrim parash. Dosja e zëvendëskryeministres është dërguar për gjykim pa autorizimin e Parlamentit dhe pushteti i saj mbetet i paprekur”, tha Tabaku.

Ajo kritikoi edhe miratimin e ligjeve që, sipas saj, cenojnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndërsa paralajmëroi se integrimi nuk duhet të përdoret si fasadë. Duke iu referuar protestave që vijojnë prej ditësh, Tabaku tha se shqiptarët kërkojnë më shumë Europë, institucione të forta dhe sundim të ligjit.

Në takim, Balla i kërkoi komisioneres Kos më shumë mbështetje edhe për integrimin europian të Kosovës ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan një proces integrimi që është më i hapur për qytetarët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:08
‘Keni çajra të mrekullueshëm’, Marta Kos rrëfen pushimet në Shqipëri: Bëra 4 mijë km me makinë, nuk kam parë vende më të bukura e njerëz më të mirë se këtu

Pa njoftuar askënd, komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, zgjodhi një ditë Shqipërinë për të kaluar festën e Pashkëve me bashkëshortin. Udhëtimin deri në Theth, mikpritjen e shqiptarëve dhe ndjesinë e sigurisë gjatë qëndrimit në vend, Kos i kujtoi sot gjatë diskutimeve në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian

“Unë kam kaluar Pashkët në Shqipëri me bashkëshortin. Nuk i thashë askujt që kishim ardhur. Kam bërë 4000 km me makinë nga këtu deri në Theth. Iu ngjitëm malit, kemi pirë çajin e mrekullueshëm dhe nuk kam përjetuar ndonjëherë vende më të bukura dhe njerëz më të mirë dhe ndihesha e sigurt në çdo çast. Procesi i anëtarësimit nuk është linear, por rëndësi ka që të ndjekim objektivat”, tha Kos.

Ora 15:55
Integrimi në BE, Kos kërkon përfshirjen e biznesit: Reformat sjellin investime dhe mirëqenie

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk mund të realizohet pa përfshirjen e komunitetit të biznesit. Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, propozoi që gjatë vizitës së saj të ardhshme në Shqipëri të zhvillojë takime me sipërmarrës nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Sipas Kos, reformat dhe përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së krijojnë kushtet për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e mirëqenies ekonomike.

Në diskutimet në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, komisionerja u ndal edhe te nevoja për më shumë transparencë, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë ndryshimet që sjell procesi i anëtarësimit. Një tjetër prioritet është arsimi, ku Kos veçoi mundësitë e shkëmbimeve të të rinjve me vendet e BE-së.

Komisionerja kujtoi se transformimi i vendeve kandidate kërkon kohë dhe në disa raste edhe dekada.

“Një shndërrim i vërtetë kërkon kohë. Kur shkoj në vendet kandidate që janë më larg se ju në këtë anëtarësim, e shoh që gjërat nuk mund të ndodhin sot për nesër. Nganjëherë kërkohen dekada. Ky është një proces. Jam dakord që transparenca dhe komunikimi janë shumë të rëndësishme. Është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë çfarë po ndodh. Herën tjetër kur të vij në Shqipëri, të organizojmë një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit. Na ndihmoni që t’i angazhojmë dhe dua të angazhohem me ju sipas sektorëve. Komuniteti i biznesit është i rëndësishëm, se begatia e Shqipërisë do të bëhet e mundur falë reformave. Pas bazës ligjore vijnë investimet dhe rritet begatia. Pa bizneset s’mund të ndodhë procesi i anëtarësimit. Ne duhet të kujdesemi edhe për arsimin. Një nga përfitimet më të mëdha të anëtarësimit janë shkëmbimet e të rinjve që shkojnë në BE. Sa më pranë të jeni vijës së finishit, aq më pak do të keni nevojë për mua, por unë do të doja të vija gjithnjë e më shpesh”, tha Kos.

Ora 15:51
Integrimi/ Kos: Projekt kombëtar, palët politike në Shqipëri të bashkohen për një qëllim! Luftoni krimin e organizuar dhe korrupsionin, protestat paqësore janë pjesë e proceseve demokratike

1795704840_MartaKoss.JPG

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, është shprehur se anëtarësimi në BE kërkon përgjegjësi politike nga të gjitha palët dhe bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës.

Kos tha se shumica e shqiptarëve e mbështesin integrimin në BE dhe sipas saj, zbatimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një provë e rëndësishme për Shqipërinë.

“Udhërrëfyesi që ne kemi publikuar për të cilin folët ju zoti Balla, në fillim të këtij muaji tregon rrugën që duhet ndjekur. Por ne të gjithë e dimë që udhërrëfyesi në vetvete nuk përbën asnjë garanci. Sa më pranë jemi drejt anëtarësimit, aq më e rëndësishme bëhet të dëshmohet se institucionet funksionojnë dhe ligjet zbatohen në praktikë. Rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe përafrimi i legjislacionit për mjedisin do të jenë sfidat tuaja kryesore. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e mbështesin anëtarësimin në BE. Mbështetja e shqiptarëve është më e larta në të gjithë vendet kandidate. Për ta ruajtur këtë mbështetje dhe për të përmbushur pritshmëritë e publikut, është e rëndësishme që qytetarët të përfshihen në këtë proces. Zbatimi i ligjeve të reja është një provë e rëndësishme. Por është po aq e rëndësishme sesi zbatohen këto ligje. Anëtarësimi në BE kërkon përgjegjësi politike nga të gjithë. Konsultimet publike janë mundësia për të dëgjuar shqetësimet dhe për të ndërtuar legjislacionin. Deputetët kanë detyrë për të sjellë shqetësimet e zgjedhësve të tyre në debatin kombëtar”, tha mes të tjerash Kos.

Marta Kos theksoi gjithashtu se protestat paqësore janë pjesë e rëndësishme e proceseve demokratike dhe sipas saj, kërkesat e protestuesve duhet të pasqyrohen dhe të marrin zgjidhje.

“Protestat paqësore janë pjesë e proceseve demokratike. Komisioni Europian nuk merr anë në diskutimin e brendshëm politik në Shqipëri. Përgjegjësia jonë është që të sigurohemi që standardet që kërkohen për anëtarësimin në BE të përmbushen. Qytetarët që kërkojnë veprim kundër korrupsionit, ose mbrojtje më të mirë mund ta ndihmojnë Shqipërinë duke e shtyrë atë përpara në rrugëtimin drejt BE-së. Kërkesat e tyre janë pasqyruar nga shumë në shtetet anëtare dhe në Parlamentin Europian. Dhe janë këto shqetësime që merren seriozisht dhe që angazhohen me ata që i kanë ngritur këto kërkesa dhe kjo gjë do e forcojë besueshmërinë e Shqipërisë brenda BE-së. Sot Shqipëria ka një mundësi historike. Që 2027 të jetë viti i Shqipërisë, do ju duhen 3 gjëra. Së pari, do të jetë e rëndësishme që ju të vazhdoni këtë rrugëtim reformash dhe të tregoni që legjislacioni funksionon në praktikë edhe në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe standardeve mjedisore. Së dyti do të jetë e rëndësishme për të fuqizuar pjesëmarrjen në procesin legjislativ. Dhe së treti dallimet politike do të duhet të trajtohen me anë të dialogut demokratik. Të gjitha rrymat e politikës shqiptare duhet të bëhen bashkë, sepse anëtarësimi në BE është projekt kombëtar. Mundësia e Shqipërisë për t’u bërë shtet anëtar në BE është një moment historik dhe Europa është e gatshme që ta kapë këtë moment bashkë me ju. Po zoti Balla, unë jam mike e shqiptarëve dhe si komisionere për zgjerimin vij nga Ballkani Perëndimor dhe do ta ndihmoj Shqipërinë. Mund të mbështeteni te ne, të Komisioni Europian dhe te mbështetja ime personale”, shtoi Kos.

Ora 15:46
Ina Zhupa në Këshillin për Integrimin: Europa të jetë në krah të qytetarëve, jo të propagandës së Ramës

Zgjedhjet e 11 majit 2025, reforma zgjedhore, protestat dhe ligji për zonat e mbrojtura ishin në fokus të diskutimit të deputetes demokrate Ina Zhupa në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, në prani të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.

Zhupa u kërkoi përfaqësuesve europianë të bazojnë qëndrimet e tyre në raportet zyrtare dhe jo në informacionet që u përcjell qeveria Rama, duke paralajmëruar se në të kundërt rrezikohet besimi i shqiptarëve te Bashkimi Europian.

Deputetja akuzoi mazhorancën se nuk ka paraqitur asnjë propozim për adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it dhe se synon ta realizojë reformën zgjedhore në mënyrë të njëanshme. Ajo kërkoi krijimin e një qeverie tranzitore për garantimin e kushteve të barabarta zgjedhore, si dhe mbrojtjen nga BE-ja të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të protestuar.

Zhupa i kërkoi gjithashtu komisioneres Kos që shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura të jetë një vijë e kuqe për qeverinë shqiptare, në përputhje me kërkesat e Parlamentit Europian.

Fjala e plotë e Ina Zhupës:

“Në prag të zgjedhjeve lokale, dua t’ju kujtoj se zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk ishin një garë e barabartë demokratike, por një farsë elektorale, ku Edi Rama përdori të gjitha burimet njerëzore, financiare dhe institucionale të shtetit për të siguruar mandatin e katërt. Mbi 4,500 aktivitete të organizuara me burime shtetërore, punësimi i 10 mijë personave në administratë gjatë periudhës së ndaluar, shpërndarja e përfitimeve financiare për pensionistët, fermerët dhe bizneset në prag të votimit, falja e gjobave, legalizimet dhe lejet e ndërtimit u kthyen në instrumente për blerjen dhe kontrollin e votës. Raporti denoncon gjithashtu përfshirjen e të paktën 40 grupeve kriminale dhe karteleve të drogës në mbështetje të 28 kandidatëve të Partisë Socialiste në 10 qarqe, si dhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve nga e-Albania për qëllime elektorale.

Këto janë disa informacione zyrtare, të cilat ju i keni në dispozicion, dhe çdo qytetar shqiptar pret nga ju të mbani qëndrime bazuar në të dhënat zyrtare dhe raportet e Parlamentit Europian, jo keqinformim të qëllimshëm që ju bën kryeministri Rama dhe zyrtarët e tij. Sepse ndryshe ne rrezikojmë të humbasim besimin e qytetarëve shqiptarë te Bashkimi Europian.

PD ka kërkuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it, ndarjen e shtetit nga partia dhe fushë të barabartë loje. Mazhoranca nuk ka sjellë asnjë propozim deri sot për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i janë shprehur të gatshëm të kontribuojnë, ndërkohë mazhoranca do ta mbyllë komisionin për ta bërë në mënyrë të njëanshme, pikërisht sepse nuk i interesojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, se ndryshe do të humbte pushtetin.

Protestat kërkojnë pikërisht një qeveri tranzitore për të garantuar kushtet për zgjedhjet. Qytetarët protestojnë kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe mbrojtjes së zyrtarëve me imunitet nga drejtësia. Siç e tha edhe kryetari i delegacionit, Gahler, nuk kemi një garë të barabartë dhe do të ishte e udhës të kishim një qeveri tranzitore. Policia ka ushtruar dhunë, siç e solli në vëmendje edhe Tarquini, dhe ju, si përfaqësues të Europës, duhet të jeni në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

Shqiptarët protestojnë edhe kundër ligjit 21/2024 për zonat e mbrojtura. Më 14 maj 2026, depozitova projektligjin për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, me synimin për të rikthyer garancitë ligjore të mbrojtjes së natyrës. Parlamenti Europian nuk e ka kërkuar këtë vetëm një herë, por disa herë. Edhe në rezolutën e 9 korrikut 2025 kishte shprehur shqetësim serioz, ndërsa në qershor 2026 kërkesa u bë edhe më e qartë dhe më konkrete për shfuqizimin e ligjit 21/2024. Ne presim nga ju që ta vendosni këtë si vijë të kuqe për qeverinë dhe t’i qëndroni vendimit të Parlamentit Europian për shfuqizimin e këtij ligji.”

Ora 15:39
'Integrimi', Balla prezanton objektivat: Synojmë mbylljen e negociatave në 2027, nënshkrimin e Traktatit në 2028 dhe anëtarësimin në BE brenda 2030-s!

1795703323_keshillikombetariintegrimit.jpg

Përmbyllja e negociatave deri në Krishtlindjet e vitit 2027, nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit në vitin 2028 dhe Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian brenda vitit 2030. Ky është kalendari i anëtarësimit që paraqiti kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Balla e cilësoi udhërrëfyesin e Komisionit Europian për negociatat gjatë vitit 2027 ambicioz, por realist, ndërsa kërkoi bashkëpunim me opozitën për realizimin e reformave.

Në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027, Balla kërkoi që edhe ndryshimet në legjislacionin zgjedhor të bëhen me konsensus.

“Legjislacioni ynë zgjedhor ekzistues është produkt i konsensusit politik. Edhe përmirësimet e mëtejshme të tij duhet të udhëhiqen nga e njëjta qasje, duke adresuar rekomandimet ndërkombëtare, duke garantuar gjithëpërfshirjen dhe duke konsoliduar një sistem zgjedhor me besueshmëri europiane”, theksoi Balla.

Sipas tij, rekomandimet e raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026 duhet të shërbejnë si dokument pune për Kuvendin, ndërsa suksesi i integrimit nuk duhet të matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, por edhe me përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve.

Balla kërkoi gjithashtu intensifikimin e bashkëpunimit me parlamentet dhe familjet politike të vendeve anëtare për të siguruar mbështetjen politike për anëtarësimin e Shqipërisë, ndërsa i bëri thirrje komisioneres Marta Kos të mbështesë më shumë edhe perspektivën europiane të Kosovës.

“Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj europiane prej kohësh. Sot kemi mundësinë historike që aspiratën europiane të brezave të shqiptarëve ta shndërrojmë në realitet. Dhe kjo është një përgjegjësi që na takon të gjithëve. Koha është tani!”, përfundoi Balla.

Ora 15:35
Marta Kos: 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë! Forcat politike duhet të bashkojnë forcat për anëtarësimin në BE

Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, tha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian se Shqipëria ka mundësi të ndjekë në vitin 2027 rrugën e Malit të Zi, i cili është në prag të mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave.

Kos bëri të ditur se Brukseli pret që Shqipëria të mbyllë një të katërtën e kapitujve të negociatave deri në fund të këtij viti, ndërsa u kërkoi mazhorancës dhe opozitës të bashkëpunojnë për t'u dhënë reformave legjitimitet dhe qëndrueshmëri. Duke iu referuar përvojës së saj në ish-Jugosllavinë komuniste, komisionerja foli edhe për përfitimet që anëtarësimi në BE i ka sjellë Sllovenisë.

“Unë u rrita në një vend komunist që nuk ekziston më. Në ato kohë ne sllovenët vendosëm që të ndiqnim rrugëtimin drejt BE-së. Prandaj unë e kam përvojën, e kam përjetuar se çfarë do të thotë të jetosh në një sistem komunist. BE na ka sjellë shumë ne sllovenëve.

Ky Këshill ku ndodhem sot, përfaqëson atë që nevojitet për ta ndjekur me sukses dhe për ta çuar përpara rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Do të duhet që rrymat e ndryshme të politikës shqiptare të bashkojnë forcat dhe jo thjesht të zhvillojnë debate për të përmbushur aspiratat tuaja europiane. Dhe nuk kam dyshim që ju keni aspirata europiane. Kjo do t'u japë reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE legjitimitetin dhe mbështetjen e gjerë që nevojitet për të qenë të qëndrueshme në kohë.

Ky vit që ne po lëmë pas ka sjellë përparim të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në vetëm 13 muaj. Katër kapituj janë mbyllur tashmë dhe presim që ¼ e të gjithë kapitujve të negociatave të mbyllen deri në fund të këtij viti.

Keni ngritur institucione për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ky është themeli për të garantuar besimin e shteteve anëtare të BE-së. Shprehja më konkrete e këtij besimi ishte miratimi nga shtetet anëtare i raportit të vlerësimit të piketave të ndërmjetme për shtetin e së drejtës më herët gjatë muajit maj. Ky ishte një moment historik në negociatat e anëtarësimit. Ju e keni arritur atë me një shpejtësi rekord.

Mali i Zi është në prag të mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave. Vitin e ardhshëm Shqipëria ka mundësi të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë”, tha Kos.

Ora 15:19
‘Balluku’, Tabaku në Këshillin e Integrimit: Pavarësisht akuzave të reja për korrupsion dhe pastrim parash, pushteti i saj mbetet i paprekur!

Çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pavarësia e drejtësisë, pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit dhe dobësimi i kontrollit parlamentar ishin disa prej shqetësimeve që deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti përpara komisioneres europiane për Zgjerim, Marta Kos, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Tabaku,akuzoi mazhorancën socialiste se ka kufizuar hapësirat për diskutimin e çështjeve që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Sipas saj, ndërsa në Bruksel ngrihen shqetësime për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit dhe fusha të tjera, në Kuvendin e Shqipërisë këto problematika nuk marrin vëmendjen e duhur dhe qeveria jep gjithnjë e më pak llogari.

Deputetja demokrate solli në vëmendje shqetësimet e Komisionit Europian për përpjekjet për ndikim politik mbi institucionet e drejtësisë, duke u ndalur konkretisht te refuzimi i Kuvendit për të autorizuar arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“KE konstaton përpjekje për ndikim politik ndaj drejtësisë, përfshirë edhe SPAK. Ka shqetësime për barazinë para ligjit pas refuzimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres. Rasti i saj shkon përtej këtyre shqetësimeve, me akuza të reja për korrupsion dhe pastrim parash. Dosja e zëvendëskryeministres është dërguar për gjykim pa autorizimin e Parlamentit dhe pushteti i saj mbetet i paprekur”, deklaroi Tabaku.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetja demokrate ishte miratimi i ligjeve që, sipas saj, cenojnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ajo përmendi ligjin për investimet strategjike, për shfuqizimin e të cilit qeveria ishte angazhuar me kërkesë të Komisionit Europian.

Duke iu drejtuar komisioneres Kos, Tabaku foli edhe për protestat që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri, duke i cilësuar ato si një kërkesë të qytetarëve për më shumë Europë dhe sundim të ligjit.

“Ne kemi dërguar letra për këto shkelje dhe ju vini në një moment kur ka një protestë prej shumë ditësh, ku kërkohet më shumë Europë, institucione të forta dhe sundim i ligjit. Për ne kjo është kërkesë për më shumë Europë. Pas çdo pale zgjedhjesh kemi pasur më pak Europë, më pak shtet të së drejtës dhe më shumë mbrojtje politike të korrupsionit”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate paralajmëroi se procesi i integrimit europian nuk duhet të shndërrohet në një fasadë, ndërsa përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit duhet të shoqërohet me forcimin e institucioneve dhe garantimin e barazisë së qytetarëve përpara ligjit.