Në kulmin e debatit mbi atë se çfarë po ndodh me procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, Komisionerja për Zgjerim Marta Kos rikonfirmon se afati ‘2030’ që Shqipëria të jetë pjesë e familjes evropiane nuk ka lëvizur. Në një diskutim të organizuar nga Këshilli i Atlantikut, Kos tha se integrimi do të bëhet bazuar në meritë.

“Ne nuk vendosim data në procesin e anëtarësimit, sepse kjo varet vërtet nga meritat. Por sigurisht, ne mbështesim objektiva ambicioze. Së pari për Malin e Zi, është e mundur që ne t’i mbyllim. Pra, është e mundur që Mali i Zi me 650,000 banorë të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian. Është gjithashtu e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare deri në vitin 2030 ose edhe më herët”, tha Kos.

Iniciativa e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pa të drejtë vetoje, nuk ka gjetur përkrahjen e Komisioneres për Zgjerim Marta Kos. Ajo thotë se vendet duhet të jenë anëtare me të drejta të plota të BE-së.

“Ose je anëtar dhe atëherë i merr të gjitha të drejtat, ose nuk je anëtar dhe nuk i merr të drejtat. Por sigurisht, e kuptoj këtë letër nga zoti Vuçiç dhe Rama, në kuptimin që nëse BE-ja do të ketë probleme, për të vazhduar me procesin e zgjerimit, ata do të ishin të kënaqur me diçka më pak. Kjo është zgjedhja e tyre. Unë nuk e mbështes këtë, sepse roli im është t’i ndihmoj ato vende të bëhen anëtare të plota të BE-së. Rregulli i thjeshtë është ky: nëse një vend përmbush të gjitha reformat dhe kriteret, duhet të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian”, tha Marta Kos.

Këto deklarata të Kos vijnë në një kohë, kur Këshilli i BE-së nuk ka kaluar ende Raportin e Ndërmjetëm të Komisionit evropian për procesin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë.

Shqipëria i hapi në kohë rekord të gjithë grupkapitujt e negociatave ndërsa tashmë sfida është mbyllja e tyre brenda 2027-tës.