Marzhi i ndërmjetësimit, që mat diferencën mes interesave të depozitave dhe kredive në sistemin bankar shqiptar, arriti vitin e kaluar nivelin më të lartë të viteve të fundit. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, marzhi mesatar mes interesit të depozitave dhe kredive për vitin 2014 ishte 6.7%, në rritje të ndjeshme nga niveli 5.7% i vitit 2013. Ky është njëkohësisht marzhi më i lartë i regjistruar që nga viti 2007. Vlerësohet se kjo rritje e marzhit ka ardhur sidomos nga ulja e interesit të depozitave, që ka rezultuar më e thellë në raport me interesin e kredive.