MAS kallëzim penal ndaj shoqërisë tregtare “Vitrina” Sh.P.K.

TIRANE 19 Shtator/ATSH/- Ministria e Arsimit dhe Sportit ka depozituar sot, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare "Vitrina" Sh.P.K. në cilësinë e personit juridik, Edmond Vlashaj, Drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë "Vitrina", Aldorin Braho, Administrator i shoqërisë "Vitrina" dhe Piro Cipo, Rektor i Shkollës së Lartë Private "Vitrina".
MAS kërkon fillimin e procedimit penal në ngarkim të personit juridik, Shoqëria Tregtare "Vitrina" dhe shtetasve të lartpërmendur, për kryerjen e veprave penale të "Shpërdorimit të kompetencave të personit juridik", "Mashtrimit", "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Vetëgjyqësisë" për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave dhe sekuestros konservative ndaj pasurive të paluajtshme, parashikuar në nenet 143, 164, 248 dhe 277 të Kodit Penal, neni 270 të Kodit të Procedurës Penale dhe ligji nr.9754, datë 14.6.2007 "Për përgjegjësinë penale të personave juridik".
"Gjatë procesit të kontrollit të ligjshmërisë u konstatuan shkelje ligjore në veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë, ku ndërmjet të cilave nga personi juridik Shoqëria Tregtare "Vitrina" Sh.P.K., dhe shtetasit që administrojnë veprimtarinë pranë saj, mendojmë se janë konsumuar element të veprave penale të kryera për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave", thuhet në njoftimin zyrtar të MAS.
Konkretisht, sipas MAS, regjistrimi i studentëve në kushtet e mashtrimit për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, pa pasur të drejtën e ushtrimit të aktivitetit përkatës: lëshimin e diplomave në kushtet e mashtrimit për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, pa pasur të drejtën e ushtrimit të aktivitetit përkatës: mos hartimin dhe mos mbajtjen e rregullt të regjistrave themeltar të studentëve sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi:, mos ndjekjen e procedurave ligjore, për pajisjen me numra matrikullimi të studentëve të regjistruar pranë IAL-së "Vitrina": përdorimi i ambienteve në kundërshtim me destinacionin e tyre të përcaktuar ligjor: mosrespektimi i detyrimeve të Vendimit nr. 539, datë 06.08.2014 të Këshillit të Ministrave "Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë"./a.gjonaj/./a.g/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Tradita e festimit të 1 janarit si fillimi i një viti të ri