TIRANE - Ish-ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, aktualisht deputet i Partisë Demokratikë është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme për shpërdorim detyre. Në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori, nga sekretari i MAS Plarent Ndreca, thuhet se ish-ministri ka akredituar Shkollën e Lartë Universitare “Vitrina”, ndërkohë që Këshilli i Akreditimit e kishte refuzuar kërkesën.

Në dosjen e dorëzuar në Prokurori, sipas Ministrisë së Arsimit, Tafaj ka përdorur autoritetin e tij si ministër për ti dhënë akreditimin një shkolle që nuk plotësonte kushtet bazë. Burime pranë Ministrisë së Arsimit shprehen se dosja përmban dhjetra dokumente ku vërtetohet se “Vitrina”, nuk duhej të akreditohej nga MAS. Gjithashtu ish-Ministri Tafaj akuzohet për dhënie ambientesh në pronësi të Ministrisë së Arsimit për subjekte private.

Spias kallëzimit, Tafaj i ka dhënë një godinë në pronësi të MAS, një subjekti privat dhe nuk ka respektuar ligjin për dhënin e godinave publike. “Të paktën për veprën penalë të shpërdorimit të detyrës. Janë dy raste që janë konstatuar nga Ministria e Arsimit që kanë të bëjnë me dhurim të një pronë një subjekti privat dhe marrje leje nga një subject privat i IAL në kundërshtim me ligjin pas refuzimit që i ka bërë këshilli i akreditimit”, - tha menjëherë pasi doli nga dyert e Prokurorisë Plarent Ndreca, sekretar i Ministrisë së Arsimit.

Universiteti që u akreditua nga ish-ministri Tafaj, është vendosur shpesh herë në qëndër të vëmëndjes. Në raportin e MAS kur u vendos për tu mbyllur “Vitrina”, thuhet se “një student mund të regjistrohej për të vazhduar studimet edhe nëse dorëzonte një makinë me domate”.
 
Pse u mbyll “Vitrina” 
Në muajin gusht Ministria e Arsimit publikoi raportin për mbylljen e disa universiteteve private. MAS publikoi dhe arsyet për secilin Universitet që u mbyll. Në rastin e Vitrinës ishin bërë 10 shkelje. Ishin hapur programe studimi para se të licencohej. Regjistrimi ishte bërë para hapjes së programeve pa asnjë kusht, një vit para licencës dhe 2 vjet para lejes nga MAS.
Ishin lëshuar diploma para akreditimit të programit.

Departamentet shkencore nuk kishin numrin minimal të anëtarëve të stafit nga 7 që është minimalja, dhe ata nuk kanë as gradat shkencore të përcaktuara. Raporti personal akademik–student ishte më i ulët se 1/20. Objekti nuk plotësonte standardet e sigurisë. Nuk kishte kontrata qeraje të rregullta. Nuk kishte laboratorë, nuk kishte literaturë dhe nuk kishte mundësi të kryejë praktikë. Institucioni nuk kishte tarifa fikse, për një vit studimi. Ato variojnin nga 350-700 euro. Dokumentacioni i institucionit nuk administrohej. Nuk kishte depozituar garancitë bankare dhe nuk garanton vazhdimësinë e studimeve.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)