Vleftësimi i masës së sigurisë arrest me burg për kreun e Bashkisë Vlorë Shpëtim Gjika pritet të bëhet në ambientet e spitali në kryeqytet ku ai u transferua për arsye shëndetësore.

Kjo konfirmohet për A1Report nga Prokuroria e Vlorës e cila shpjegoi se në kushtet kur Gjika ndodhet nën kujdesin e mjekëve në reanimacionin e kardiologjisë aty do t’i komunikohet dhe arresti me burg marrë në mungesë ndaj tij.

Ndërsa para togave të zeza pasditen e kësaj të shtune kanë dalë drejtoresha e planifikimit Doriana Sulaj dhe Biznesmeni Artur Haxhi të arrestuar sëbashku me Gjikën një ditë më parë, për të cilët ka mbetur në fuqi masa e sigurisë arrest me burg.

Të njëjta burime sqaruan se ditën e hënë në Gjykatë Prokuroria do të dorëzojë edhe kërkesën për sekuestro preventive të pallatit 11 katësh në lagjen “Hajro Cakërri” në Vlorë, pasi objekti është pjesë e hetimit për të cilën Gjika dhe vartësja e tij u arrestuan për dhënie leje fiktive.

Pas kontrolleve në spitalin e Vlorës kreybashkiaku Gjika u transferua në tiranë për anë ambientet e spitalit të burgut, ku qëndroi për disa çaste e më pas kaloi në reanimacionin e një spitali privat.

Shpëtim Gjika, Doriana Sulaj dhe Artur Haxhi u arrestuan një ditë më parë në Vlorë, ku pas kallëzimit të shtetases Sadete Osmani në vitin 2013 hetimi nxori në pah skandalin e tjetërsimit të pronës dhe ndërtimin e paligjshëm të pallatit 11 katësh.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)