TIRANË- Plaga për familjen e Aleks Nikës, që mbeti i vrarë në masakrën e 21 janarit, është ende e hapur. 15 vite padrejtësi dhe me hetimet që në SPAK ende nuk kanë ecur para, xhaxhai i tij, Mark Nika zhvilloi sot një takim me kreun e grupit të PS, Taulant Balla me shpresën se mund të vënë në lëvizje drejtësinë e re. Siç, Mark Nika tregon për Report Tv, deputetit socialist i ka kërkuar ndihmë që të ndikojnë në përshpejtim të hetimeve.

Në emisionin “Studio Live” me gazetarin Ermal Qori, Mark Nika tha se i kërkoi Ballës të shfrytëzojë hapësirën kushtetuese e ligjore, që Kuvendi të bëjë një rezolutë për SPAK, kërkesë për të cilën thekson se mori gatishmëri edhe nga Balla.

Nika thotë se kurrë nuk do të heqin dorë nga beteja për drejtësi, ndërsa ndaj Prokurorisë së Posaçme ka akuza se sorollatja e hetimeve është e qëllimshme.

“Takova kreun e grupit të PS, dhe i parashtrova disa ankime që kemi në lidhej me hetimin e çështjes së 21 janarit, e kemi konsideruar dhe e konsideruar se është krim i tmerrshëm. Drejtësia na preu në besë, mori në mbrojtje vrasësit dhe i konsideroi dy vrasje nga pakujdesia, në një kohë që ekspertimi amerikan i konstatoi vrasje të kryera me dashje, ishte pushkatim që garda i bëri qytetarëve të pafajshëm me duar në xhepa. Ne shpresuam se drejtësia e re, SPAK, do të prishte aleancat kriminale mes Prokurorisë së vjetër dhe gjykatës. Ndodhi e kundërta, vazhdon të insistojë se dy vrasjet janë parashkruar dhe nuk merret më drejtësia me to. Kjo për ne është e padrejtë dhe e pabazuar në ligjin tonë, se vrasjet janë kryer në bashkëpunim dhe nuk mund të parashkruhen. Ata po gjejnë artifica që çështjen mos ta hetojnë me objektivitet dhe në mënyrë të gjithanshme. I kërkova Ballës të shfrytëzojë hapësirën kushtetuese e ligjore, që kuvendi të bëjë një rezolutë për SPAK, që ajo të kryejnë veprimet sa më shpejt, po bëhen 16 vite që mbahet në sirtarët e drejtësisë. Ne kemi arritur në përfundimet se SPAK nuk vepron në neglizhencë apo nga padija profesionale, sorollatjet që i bëjnë hetimet janë të qëllimshme që kjo çështje të zvarritet dhe në të heqim dorë. Kurrë s’do heqim dorë nga hetimi dhe identifikimi i vrasësve të Aleks Nikës”, tha Nika në Report Tv.

Nika shprehet se duan të mësojnë me vendim gjykate se kush e ekzekutoi nipin e tij dhe 3 protestuesit e tjerë në bulevard, janarin e 2011-ës, ndërsa po protestonin me duar në xhepa. Xhaxhai i Aleks Nikës hedh akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ndonëse nuk e përmend me emër, se vrasjet i bëri për të mbajtur pushtetin. Sipas tij, plumbat e shtetit u derdhën drejtë protestuesve nga një organizatë kriminale, që jo vetëm vrau, por edhe fshehu provat.

“Kishte gatishmëri, kreu i grupit të PS më premtoi se në përputhje me kushtetutën, në kohën dhe momentin e duhur, do të formulojnë ndoshta akte, që do ta nxisin hetimin që ta çojnë deri në fund. I thamë që hetimi duhet të mbyllet përfundimisht, për ne është plagë e hapur që kërkon vetëm të vërtetën. Duhet të mësojmë se kujt i interesonte gjaku i tij i derdhur në bulevard. Kush e dha urdhrin dhe kush ishte truri politik. Ne e duam me vendim gjykate, se e dimë kush i ekzekutoi. SPAK s’ka thirru asnjë dëshmitar të pranishëm, por dëshmitarë anësorë që e kanë mësuar nga televizori çfarë ka ndodhur. S’ka pakujdesi aty, është një organizatë, organizatë kriminale për të mbajtur pushtetin.

“I bëjmë thirrje SPAK të mbaroj ato veprime hetimore që çështja të përfundojë sa më shpejt, sepse ne po humbim durimin. 15 vjet, të vrarë në rrugë, pa faj, politika hesht, merret me probleme të tjera. Duhet ti vër kush SPAK që të hetohet kjo çështje. Ka 3 vite që plumbi që u gjet në kokën e Aleksit është në Itali, nuk ka informacion se kush e dëmtoi plumbin, do të thotë që është një organizatë që kanë vrarë dhe kanë fshehur provat", tha ai. 

Intervistën e mbyll me një thirrje të drejtpërdrejtë për SPAK që të mbyllë veprimet hetimore dhe të vendosë drejtësinë në vend.