Masakra e Gërdecit, Patrik Henri pronari i kompanisë amerikane gati të dëshmojë me videokonferencë! Në Shqipëri përfaqësohej nga “vëllai” i Shkëlzen Berishës

Masakra e Gërdecit, Patrik Henri pronari i kompanisë amerikane gati të dëshmojë me videokonferencë! Në Shqipëri përfaqësohej nga “vëllai” i Shkëlzen Berishës

Patrik Henri, pronar i kompanisë SAC, që ishte kontraktuar për demontimin e armëve dhe ishte partner me Mihal Delijorgjin, pronar i Alba Demil është gati të dëshmojë në GJKKO në gjyqin ndaj Fatmir Mediut përmes videokonferencës.

Përfaqësues i kësaj kompanie amerikane SAC (Southern Anmmunition Company), e cila kishte lidhur kontratën me Ministrinë e Mbrojtjes, për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec ishte Rrahman Selmanllari, i konsideruar edhe si “vëllai” i Shkëlzen Berishës.

GJKKO njoftoi sot në seancë se nga Ministria e Drejtësisë kishte ardhur përgjigja se autoritet amerikane kanë pranuar kërkesën e autoriteteve tona për të marrë deklarimet e 5 personave mes tyre edhe Patrick Henry të kompanisë “SAC”, por kërkonte të saktësonte disa pyetje për secilin si dhe ti viheshin në dispozicion Henryt emaili që ai ka patur me ish drejtorin e”MEICO”, Ylli Pinarin.

Autoritetet amerikane kanë lënë seancë më 12 maj dhe brenda kësaj date duhet të mbërrijë përgjigja nga Shqipëria, ndërkohë që sugjeronin se seanca mund të bëhej edhe me videokonferencë.

Selmanllari perfaqesuesi i Shkelzenit

 Selmanllari, në atë kohë përfaqësonte Shkëlzen Berishën në transaksione biznesi apo pasurish të patundshme. Me autorizim të presidentit të kësaj kompanie, Patrick Henry, Selmanllari ka përfaqësuar veprimtarinë e kësaj kompanie në Gërdec. Pikërisht për këtë kompani Fatmir Mediu debatoi me Ridvan Boden në mbledhjen e qeverisë së 17 shkurtit 2007. I pyetur për raportet me Rrahman Selmanllarin, Shkëlzen Berisha ka relativizuar lidhjet me të, duke pretenduar se roli i Selmanllarit në Gërdec nuk kishte lidhje me atë.

Lidhja mes Patrik Henrit, Delijorgjit, Selmanllarin dhe Shkëlzenit

Patrik Henri, pronar i SAC, ishte partner me Delijorgjin, i cili ishte pronar i Alba Demil. SAC merrej me demontimin, ndërsa Alba Demil me ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve, që në fakt ishin gra, fëmijë, por edhe baxhanaku i Sali Berishës, Mehmet Hoxha. Patrik Henri ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë Alba Demil me Delijorgjin. Nga ana tjetër, Patrik Henri përfaqësohej nga shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari, ndërsa vetë Shkëlzeni lëvizte fijet lart, duke pasur babin, Sali Berishën, kryeministër. Kur shpërtheu Gërdeci, Patrik Henri dhe Dlijorgji nisën të akuzonin njëri-tjetrin si përgjegjës dhe madje të implikonin edhe emra të tjerë. Kur prokurorët amerikanë e morën në pyetje për llogari të drejtësisë shqiptare, Patritk Henri u shpreh se “Ylli Pinari (ish-drejtori i MEIKO nën varësinë e Mediut dhe Berishës) më prezantoi mua me Mihal Delijorgjin. Ne u takuam në House of Pasta në Tiranë, Shqipëri. Mu tha se ai kishte çmilitarizuar tanke për MEICO dhe ishte shumë i familjarizuar me drejtimin e biznesit si në Shqipëri dhe me MEICO. Gjithashtu mu tha se ai kishte një kompani ndërtimi, e cila mund të ndërtonte çdo ambient të nevojshëm si dhe të siguronte fondet, që kërkoheshin për të blerë lëndën e parë”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:07
‘Mediu njësh', debati për Gërdecin, Zamira Durda në seancë: Njësh që vrau njerëz

1696339199_zamiradurdadhefatmirmediu.jpg

Në GJKKO u mbajt sot seanca e radhës për Gërdecin. Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu tha pas daljes nga GJKKO se deri më tani asnjë nga dëshmitarët e thirrur nuk ka thënë asnjë fjalë që të fajësojë atë si ministër në kohën kur ka ndodhur ngjarja e Gërdecit.

Në seancë ishte e pranishme edhe Zamira Durda, e cila ka ndërhyrë në një moment në dialogun mes Mediut dhe Rezart Tërshana, ish -shef sektori në Drejtorinë Juridike në Ministrinë e Mbrojtjes. Durda humbi djalin në tragjedinë e 15 marsit 2008. Ja disa prej diskutimeve brenda në seancë. 

Mediu: Çfarë raportesh ke patur me mua?

Tershana: Marrëdhënie pune, asgjë tjetër

Mediu: Çështje fitimi ka qenë demontimi?

Tërshana: Jo, ka qenë çështje sigurie

Mediu: E mbani mend urdhërin 2044?

Tërshana: Jo

Durda: Lërini urdhërat 2044, po flisni për pasojat e Gërdecit (me tone të larta)

Avokati Visha pyet Tërshanën: Cili nga ministrat ka qenë më korrekti sipas jush?

Tërshana: Mediu është njëshi

Durda: Njëshi është se ka vrarë njerëz

Gjyqtarja Irena Gjoka : Mbani qetësi

Ora 13:47
Masakra e Gërdecit/ Nuk gjendet adresa për Luan Hoxhën, SPAK kërkon të ripërsëritet

1709729609_8000615169cbe6fe2.png

Në seancën e sotme gjyqësore në GJKKO u mësua se sa i takon Luan Hoxhës, Anjola Agollit dhe Dashnor Caushit, policia nuk ka gjetur adresa dhe SPAK kërkoi të ripërsëritet thirrja e tyre.  Seanca e radhës u caktua më 13 mars në ora 09:00 .

Mediu u ftua sërisht të dëshmonte si i pandehur nga SPAK, por ai tha se do të priste përfundimin e dëshmive të të gjithë personave të thirrur në proces dhe do të konsultohej me avokatët

Kush janë personat për të cilët kërkohet dëshmia dhe ende nuk dihet adresa?

Luan Hoxha, ish-shefi i shtabi të përgjithshëm. Gjeneral Hoxha u tentua të bëhej kurban kur ndodhi tragjedia, pasi u mor i pandehur. Mirëpo ai u largua në SHBA dhe kërkoi azil gjë që u pranua. Para se të largohej, Luan Hoxha takoi ambasadorin amerikan të asaj kohe John Withers, ku rrëfeu implikimin e Shkëlzen Berishës dhe Mediut në tragjedi. Ai i ka thënë ambasadorit se djali i kryeministrit i kishte bërë presion të procedonte pa vonesa me municionet. I pyetur nëse kishte informuar prokurorinë, Hoxha ishte përgjigjur se kishte depozituar çdo provë, përjashtuar informacionet për Shkëlzen Berishën.

Dëshmia e tij ka rëndësi dhe për dosjen e dytë të Gërdecit, atë ku po hetohet Shkëlzen Berisha. SPAK po heton për trafik fishekësh dhe pastrim parash dhe dëshmia e tij është thelbësore. Por, po ashtu ai fundos dhe Fatmir Mediun, ku në kabllogramin e ambasadës amerikane gjenerali shprehet se personi që u mor me demontimin ishte vetë Mediu.

Anjola Agolli ish-sekretare e Ministrit të Drejtësisë, kërkohet që të merret në pyetje lidhur me faksin për ‘Shkëlzen Berishën’ dërguar nga Ministria e Drejtësisë tek ajo e Mbrojtjes.

Faksi i vitit 2007 ku është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec.

Dashnor Çaushi, ish shefi i Logjistikës, i cili është dënuar me tre vite burg për çështjen Gërdeci.

Ora 11:56
Mediu flet pas seancës në SPAK: Kam 17 vite që pres të pyetem, por dua të jetë akt real

 

Pas përfundimit të seancës së sotme Mediu deklaroi jashtë ambjenteve të SPAK, se prokuroria duhet t’i mundësoj dëshmitarëve të jenë prezent për të dëshmuar mbi ngjarjen e Gërdecit.

'Mendoj se është një detyrim i prokurorisë për dëshmitarët që ka thirrur t’i bëj të mundur të jenë prezent. Mundësisht për dëshmitarët që thërrasin të kenë dëshirën të dëgjojnë të dhëna që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij procesi. Nëse ka mangësi në mënyrën si ka proceduar prokuroria kjo nuk është pjesë e përgjegjësisë së mbrojtjes. Në atë që lexoi gjyqtarja duket që kishte nevojë për të sqaruar se për çfarë thirren këta dëshmitarë për t’u pyetur. Gjë që duhet ta kishim bërë edhe me dëshmitarët që ka thirrur prokuroria deri më tani. Ashtu siç bëmë ne me dëshmitarët tanë dhe një pjesë e tyre u refuzuan në mënyrë krejt të papranueshme.', tha Mediu

Mediu shton se patjetër që përfaqësuesit e kompanisë së demontimit duhet të dëshmojnë mbi ngjarjen dhe çfarë ndodhi në Gërdec.

'Është kompania që ka bërë procesin e demontimit. Është kompania që ka pasur kontrata. Është kompania që ka qenë pjesëmarrëse në procesin e demontimit si në të parën dhe në të dytën. Është kompania që ka bërë transaksionet e ndryshme rreth këtij procesi. Është kompania e cila ka pasur prezantuar tek ministria e Mbrojtjes teknologjinë, eksperiencën dhe të gjitha që ka pasur. Dhe po ta marrim logjikën e thjeshtë, duhej që çdo element që është marrë me këtë proces të ishte pjesë e dëshmisë apo e vlerësimit juridik të veprimtarisë apo mosveprimtarisë së tyre. Nëse këta të bashkëpandehur i kanë dhënë përgjigjje në prokurori gjatë proceseve ku ata kanë qenë të hetuar ose të dënuar ka ca pyetje që janë të palës.', shtoi ai

Sa i përket marrjes së tij në pyetje si i pandehur, ish-ministri i Mbrojtjes thotë se ka 17 vite që pret të pyetet.

'Jam i gatshëm të pyetem për çdo gjë. Kam pritur 17 vjet. Por kohën dhe se si është një konsulencë që nuk dua të ketë akt formal të pyetjes sime. Dua të ketë një akt real të pyetjes sime dhe kushdo që të pyetet. Mendoj se momenti i aktit të pyetjes së të pandehurit është kur janë ezauruar të gjitha aktet juridike për të hedhur dritë akoma më shumë për të vërtetën.', u shpreh ish-ministri.

Ora 11:16
Masakra e Gërdecit, ish-zyrtari i Mediut dëshmon si u përcaktua çmimi i fishekëve! 'SAK' e vetmja kompani që shprehu interes për demontimin

Në GJKKO vijojnë të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria në seancën gjyqësore me të pandehur ish ministrin e Mbrojtjes I akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me masakrën e Gërdecit të 15 marsit 2008.

Ka pranuar të dëshmojë dhe dha shpjegime ishte shefi juridik i Ministrisë së Mbrojtjes Rezart Tërshana. Në procesin e parë gjyqësor ai u shpall i pafajshëm ndërsa në Apel u dënua si rezultat u largua nga ministria e Mbrojtjes ku kishte punuar me 5 ministra nga 2002 – 2013.

Ai u pyet në lidhje Komisionin e Vlerësimit të shitjes së municioneve dhe pse nuk ishte përfshirë në kotratë edhe kostoja e demontimit. Zoti Tërshana shpjegoi se nuk mundet që Komisioni të caktojë koston e transportit të municioneve pasi sipas tij personeli civil i Komisionit nuk e dinin sa ishte gjatësia nga magazina për tek kompania ‘nga pika A në B!

“Pasi ne, siç tha ai, ishim të hapur për oferta. Të gjitha demontimet që bëheshin ishin kosto për shtetin.

Ai tha se ka qenë pjesë e komisionit të vlerësimit të çmimeve të fishekëve. Ai tha që për të përcaktuar çmimin e municioneve për demontim, ishte caktuar një formulë e ndarë në dy shtylla. Ne llogarisnim vetëm se sa kishim të ardhurat nga tunxhi dhe bronzi. Ndërsa sa i takon transportit ne nuk e kishim të përfshirë në kosto sepse nuk e dinim dhe nuk kishim të dhënat e distancës së magazinës së demontimit me adresën ku do zhvendosej. Sa i takon barutit në çdo rast nuk futej në kosto sepse duhej të asgjësohej dhe nuk di çka ndodhur në Gërdec që nuk u asgjësua. Kompania “SAC” ishte e vetmja që shprehu interes, na interesonte se deri në 2008 kishin qenë me humbje demontimet që i kushtonin buxhetit të shtetit deri në atë periudhë deri në 35 milionë dollarë.

Ndërkohë që pyetjes së avokatit të Mediut Ardian Visha se çfarë do të kishte bërë ndryshe tashmë që kanë kaluar 17 vjet, Tërshana tha se “s'do bëja asgjë ndryshe vetëm se nuk do të firmosja”, theksoi ai.

Refuzon te deshmoje 
Dritan Minxolli, ish-drejtori i kompanisë “Albademil”, që kryente demontimin e municioneve dhe predhave në punishten e Gërdecit dhe që është dënuar në gjyqin e parë për Gërdecin, refuzoi të deshmojë duke thënë se I qëndron dëshmive që ka thënë më parë.Të njëjtin qëndrim mbajti Sokol Gjeçi, përgjegjës në fabrikën e demontimit në Gërdec duke mos pranuar të dëshmojë. Ata shfrytëzojnë të drejtën që jep ligji që këta persona të mos pranojnë.

S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, Ali Ahmeti: Kemi siguruar 19 mandate

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, Ali Ahmeti: Kemi siguruar 19 mandate