Masakra e Mejës, një nga dëshmitë se Serbia kishte qëllim spastrimin dhe shfarosjen e shqiptarëve

 /ATSH-B.Jashari/.- "Masakra e Mejës është një nga dëshmitë më të forta që Serbia kishte qëllim spastrimin dhe shfarosjen e popullatës shqiptare", tha kryeministi kosovar, Isa Mustafa, sot pasdite në Ditën e të Pagjeturve të Kosovë, në Mejë të Gjakovës, ku në Lëndinën e Pikëllimit, në 27 prill 1999, para 16 vitesh, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.
Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, 16 vjet pas luftës, janë ende mbi 1650 të zhdukur të pagjetur. "Lëndina e Pikëllimit është dhe do të mbetet përgjithmonë sinonim i dhembjes, i krenarisë, por edhe i kujtesës tonë kombëtare. Masakra e Mejës është një nga dëshmitë më të forta që Serbia kishte qëllim spastrimin dhe shfarosjen e popullatës shqiptare", theksoi kryeministri Mustafa.
Përpara një monumenti të tillë të dhembjes dhe kujtesës kombëtare, vijoi ai, ne përulemi me respekt dhe ndjehemi të detyruar të bëjmë çfarë është e mundur për të zbardhur fatin e të pagjeturve.
"Po ashtu, mbamendja dhe respekti e përkujtimi, nuk janë të vetmet detyrime tona. Ju garantoj se në përputhje me obligimet ligjore e kushtetuese, në harmoni me konventat ndërkombëtare, qeveria e Republikës së Kosovës do të insistojë për t'ua krijuar kushtet e përshtatshme mekanizmave të sundimit të ligjit dhe të rendit, për të zbardhur në tërësi këtë ngjarje makabre dhe për të vendosur përpara drejtësisë ideatorët dhe ekzekutuesit e masakrës së Mejës dhe të gjitha masakrave tjera anembanë Kosovës", tha Mustafa.
Ai vijoi se, Kosova ka demonstruar dhe po demonstron gatishmërinë e bashkëpunimit me drejtësinë për të zbardhur të gjitha dyshimet dhe akuzat që rëndojnë mbi njerëzit e saj. "Unë besoj se Kosova ka siguruar tashmë të drejtën që ta ketë mbështetjen e krejt botës për ta detyruar Serbinë të dorëzojë të gjitha viktimat shqiptare që i mban të fshehura. Krahas kësaj, jam i bindur se bota do të përkrahë edhe kërkesën  tonë që Serbia të shtrëngohet për t'i dorëzuar fajtorët për krimet që janë kryer ndaj popullsisë civile në Kosovë, në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë për veprat e tyre kriminale", u shpreh kryeministri kosovar.
Në Kosovë, në Ditën e të Pagjeturve - 27 Prill, sot u mbajt seanca e veçantë e Kuvendit të Republikës dedikuar çështjes së personave të zhdukur dhe u zbulua në kryeqytet, Prishtinë, Përmendorja "Atyre që na mungojnë".
Në luftën e para mëse 16 viteve kundër Kosovës, në fushatën e terrorit, spastrimit etnik e gjenocidit, forcat serbe të Milosheviçit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit, i cili më pastaj ka përfunduar në Tribunalin për Krime Lufte në Hagë, kanë vrarë më shumë se 12.000 shqiptarë, kanë dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë, dhe kanë djegur mëse 400 qytete dhe fshatra. Në Kosovë pas luftës kanë rezultuar 5.650 persona të zhdukur.
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit