PUKE- Dënim me burgim të përjetshëm ka dhënë Gjykata e Pukës për dy vëllezërit Anton e Sokol Përmarkaj, të akuzuar për masakrën në fshatin e Qëlës në vitin 2012, ku pas një prite të armatosur mbeten të vdekur vëllezërit Hilë dhe Paulin Markaj.
 
Dënimi për dy vëllezërit është dhënë në mungesë pasta ata ende nuk janë prangosur nga policia lidhur me ngjarjen e rëndë.
 
Ndërkohë, Gjykata ka dhënë 24 vite burg për Barshok Përmarkajn, vëllain e të sipërpërmendurve, si dhe 22 për Fran Përmarkajn, kushëririn e tyre.
 
Vendimi i Gjykatës përputhej edhe me pretencën e prokurorisë së Pukës.
 
Ngjarja për të cilët u dënuan Përmarkajt ka ndodhur në 29 Qershor të vitit 2012 në fshatin Qelëz të Pukës. Si pasojë e shtënave me automatik ndaj furgonit të fisit Markaj, mbetën të vrarë Paulin Markaj që drejtonte furgonin dhe i vëllai Hila, si dhe u plagosën Tone Marku, bashkëshortja e Paulinit, Angjelina bashkëshortja e Hilës dhe Alfons Markaj nipi i Paulinit.
 
Në furgon ndodheshin edhe 3 pjesëtarë të tjerë të familjes Markaj por që fatmirësisht nuk janë goditur nga breshëria e armëve.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)