Zef Brozi, ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri, shprehet i çuditur se si Sali Berisha, autor i manipulimit të paprecedentë të zgjedhjeve parlamentare të 26 majit të vitit 1996, dhe urdhërues i dhunës barbare ndaj opozitës vetëm 2 ditë më pas, nderohet ende sot si politikan dhe drejton opozitën.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Brozi rendit disa prej ngjarjeve më të rënda që ka përjetuar Shqipëria në 36 vitet e fundit, të cilat jo rastësisht kanë emërues të përbashkët Sali Berishën.

Nw shkrimin e tij, Brozi deklaron se "sot mbrojtësit më të mëdhenj të Saliut duket se janë SPAK, Gjykatat dhe disa në mazhorancën politike".

"E pabesueshme por e Vërtetë: Në Shqipëri akoma shpërblehet e nderohet ai që organizoi e urdhëroi masakrimin, manipulimin dhe fallsifikimin e zgjedhjeve me 26 Maj 1996 dhe përgjakjen barbare të protestuesve me 28 Maj 1996; Ai që përgjaku, dogji e shkatërroi vendin më 1997; Ai që urdhëroi vrasjet e protestuesve dhe terrorin shtetëror të 21 Janarit 2011; Ai që sulmoi edhe zyrat e Partisë demokratike pak vite më parë. Sot mbrojtësit më të mëdhenj të Saliut duket se janë SPAK, Gjykatat dhe disa në mazhorancën politike", shkruan Brozi. 

Zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 janë një nga njollat e zeza në historinë postkomuniste të Shqipërisë. Opozita e asaj kohe denoncoi manipulime masive, presion dhe dhunë ndaj komisionerëve dhe përfaqësuesve të saj me urdhër të Presidentit të kohës Sali Berisha. Katër orë para përfundimit të votimit, PS dhe partitë e tjera opozitare u tërhoqën nga gara dhe deklaruan se nuk do ta njihnin rezultatin.

Dy ditë më pas, më 28 maj, opozita organizoi protestë në Tiranë kundër asaj që e cilësoi “masakër zgjedhore”, por demonstruesit u përballën me ndërhyrje të ashpër të policisë dhe SHIK-ut të kohës. Në ballë të protestës ishin 30 drejtuesit e opozitës, e cila kryetarin e kishte në burg dhe që drejtohej nga Servet Pëllumbi. Gaqo Apostoli, Neritan Ceka, Paskal Milo, Ndre Legisi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Blendi Gonxhe dhe Kastriot Islami u dhunuan barbarisht nga policia dhe SHIK-u.