Real Madridi vazhdon të dominojë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në aspektin ekonomik. Klubi madrilen ka regjistruar të ardhura rekord që kalojnë shifrën e 1.2 miliardë eurove gjatë vitit aktual financiar, duke vendosur një standard të ri në futbollin evropian.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, me “AS” në krye, kjo është një nga shifrat më të larta të arritura ndonjëherë nga një klub sportiv në botë. Reali vazhdon të mbajë vendin e parë mes klubeve me fitimet më të mëdha në Evropë, duke konfirmuar fuqinë e tij ekonomike sezon pas sezoni.

Rritja më e madhe financiare ka ardhur nga sektori komercial. Të ardhurat nga marketingu, shitja e produkteve zyrtare dhe aktivitetet tregtare kanë arritur në rreth 594 milionë euro. Marrëveshjet e reja të sponsorizimit kanë ndikuar ndjeshëm në forcimin e bilancit financiar të klubit, duke e mbajtur atë brenda kritereve të kontrollit ekonomik të La Ligës dhe UEFA-s.

Një rol të rëndësishëm në këtë sukses financiar kanë luajtur edhe të ardhurat nga stadiumi “Santiago Bernabeu”. Aktivitetet e organizuara në impiantin legjendar kanë sjellë rreth 233 milionë euro, shifër që mbetet shumë e lartë edhe pse skuadra zhvilloi më pak ndeshje në shtëpi në Kupën e Mbretit.

Në totalin e të ardhurave përfshihet edhe pjesa financiare nga pjesëmarrja e klubit në Kupën e Botës për Klube, kompeticion që zhvillohet me format të zgjeruar.

Ndërkohë, drejtuesit madrilenë kanë siguruar edhe vazhdimësinë e bashkëpunimit me sponsorin kryesor. Sipas raportimeve, marrëveshja me Emirates është zgjatur deri në vitin 2031, me klubin që do të përfitojë rreth 74 milionë euro në sezon.

Real Madridi dëshiron që vlera totale e sponsorizimit të fanellës nga Adidas të afrohet në 300 milionë euro, një shifër që do ta përforconte më tej statusin e klubit si fuqia financiare e futbollit botëror.