'Masakra zgjedhore'? I mbani mend ç’thanë panelistët natën e 25 prillit pas exit polleve

'Masakra zgjedhore'? I mbani mend ç’thanë panelistët natën e 25 prillit pas exit polleve

Foto ilustruese

Le të kthehemi pak në natën e 25 prillit, sidomos kur dolën exit pollet që parashikonin një epërsi të PD-LSI apo mos arritjen e 71 mandateve nga Edi Rama.

Këto momente janë përjetësuar edhe në një kolazh filmik që u bë viral para ca ditësh në rrjete. Hullia e debatit ishte krejt ndryshe; njëri fliste për një fitore të opozitës si pasojë e Trupave të Mbrojtjes së Votës, që sipas tij arritën të sprapsin “regjimin e Edi Ramës”.

Dikush tjetër thoshte se triumfi i opozitës në Tiranë është sinjali i pastër i fitores, që tregon se pikërisht në qendrën e qytetaruar njerëzit dolën masivisht dhe votuan për ndryshimin.

Presidenti i Republikës tha se “procesi zgjedhor ka marrë 10 me yll”, ndërsa Lulzim Basha gjithashtu vlerësoi në mënyrë të “shkëlqyer”, daljen e njerëzve në mënyrë demokratike në votime dhe shprehjen e vullnetit të tyre.

Kështu thanë pak a shumë edhe panelistët pro opozitës, megjithëse ndonjëri si Bushati, nuk se i besoi aq shumë, por të tjerët ishin në eufori.

Sikur të nesërmen në mëngjes, trendi i numërimit të zgjedhjeve do të kishte përforcuar exit pollet, atëherë përshkallëzimi i euforisë së darkës do të bëhej me gazin në dërrasë, e me marshin e 6-të.

Blerja e votës do të ishte një frazë arkeologjike e përdorur vite më parë, që do të harrohej si koncept.

Mirëpo, gjithçka ndryshoi në mëngjes, kur exit pollet nuk u konfirmuan nga kutitë e votimit. Në fillim pati një heshtje të gjatë, madje edhe një inkurajim të fortë nga Lulzim Basha e Ilir Meta që të numëroheshin votat se aty ndodhej fitorja e opozitës. Madje deklaruan se në fillim po numërohen qendrat pro qeverisë dhe po lihen në fund ato të bastioneve të opozitës. Po flitej për Tiranën.

E kur u numëruan të gjitha votat e Tiranës: doli se opozita kishte fituar vetëm dy njësi administrative në të gjiithë qarkun: njësinë 8 me 400 vota plus dhe Kamzën. Të gjitha të tjerat PS fitoi me diferencë të madhe.

Pati 24 orë “refleksion” dhe nisi e ashtuquajtura fabul për “masakrën parazgjedhore”.

Dhe në fakt, në vend që të analizohen votat e hedhura në kutitë e 25 qershorit, që janë një objekt i pafundëm analizash dhe përfundimesh politike, diskutohet për hipoteza e për akuza ku nuk ka asnjë provë.

Madje Andi Bushati, nuk është i kënaqur me këtë situatë dhe i kërkon paneleve televizive të mos merren as me fatin e Lulzim Bashës si humbës, e as me rezultatin, por thjesht me “masakrën”.

Po kush e vendos që në Shqipëri procesi zgjedhor ka qenë një masakër? Zgjedhjet tek ne i administron PS dhe PD që kanë krijuar të gjitha komisionet zgjedhore, grupet e numërimit, e deri në KQZ.

Çdo veprim që merret në zgjedhje, votim, numërim, e tabulim nuk mund të merret nëse nuk ka një miratim si nga komisionerët e PS-së, ashtu edhe nga të PD-së.

Pas komisionerëve, që janë nëpunës të emëruara nga opozita, janë gjykata, por edhe arbitri ndërkombëtar, pra OSBE-ODIHR dhe kancelaritë kryesore të Fuqive të Mëdha.

Tani, i bie që të gjithë këta: komisionerë, KQZ, gjykata, OSBE-ODIHR, por edhe SHBA, Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe etj përkrahin “masakrën zgjedhore” e vetëm panelistët që ndryshuan mendjen janë për “zgjedhje të lira”.

Në zgjedhjet e vitit 2009, vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it deklaruan se “procesi numërimit shkoi keq dhe shumë keq në pjesën dërmuese të KZAZ-ve”, një frazë që në mënyrë të qartë vinte dyshimin e legjitimitetit të zgjedhjeve. Por asnjëherë nuk u fol nga këta panelistë që janë pot ë njëjtit prej shumë vitesh se ka pasur “masakër zgjedhore”.

Për të parë sjelljen e tyre, mjafton t’i ktheheni mbrëmjes së 25 prillit, është edhe me video…/TemA

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës