Pas zbulimit dhe kontrolleve në ambientet e dy call centerave në zonën e Liqenit të Thatë në kryeqytet, përfundojnë në pranga 7 persona, mes tyre 4 shqiptarë, 1 nga Paraguaji dhe 2 nga Angola. Në gjendje të lirë po hetohen 27 të tjerë, një pjesë nga Brazili dhe Franca.
Gjatë aksionit të policisë dhe Prokurorisë së Tiranës u sekuestruan 70 kompjuterë, 49 celularë dhe një shumë parash në euro, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal përmes skemave mashtruese.
Hetimet zbuluan ambiente të përshtatura në formën “call center”, të pajisura me kompjuterë, që përdoreshin për thirrje telefonike. Personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal dyshohen për 3 veprat penale, mashtrim kompjuterik, punësim i paligjshëm dhe fshehje e të ardhurave.
Aksioni është pjesë e operacionit të nisur në prill, ku u goditën 3 call center në 12 zyra. Në atë kohë, ranë 10 në pranga dhe u sekuestruan 900 mijë euro cash.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









