Sheshi ‘Skënderbej’ dhuroi kontrast të martën pasdite. Në një pjesë të tij, qytetarë të mbledhur në protestë, në ditën e 17-të të saj, nxitur nga projekti në Zvërnec. Pak më tutje, pas monumentit të Skënderbeut, të tjerë, djem e vajza të rinj, të relaksuar dhe të ulur në zonën e krijuar për të ndjekur në ekrane të mëdhenj, ndeshjet e kampionatit botëror të futbollit.

Pas marshimit drejt kryeministrisë, podiumi i fjalimeve, këtë radhë iu la rinisë.

Studentët, në seri, i kthyen përgjigje reagimeve publike që kryeministri Edi Rama ka bërë për protestën, e cila sipas tij, është e qartë se nuk ka më lidhje me flamingot e Zvërnecit dhe se e gjitha, po jep efekte negative në turizmin vendas.

“Kryeministri tha që investimi është në interes publik. Pyetje, kur ka qenë hera e fundit që një investim ka qenë në interesin publik?”, tha një prej tyre.

Qëndrimi i Komisioneres europiane të Zgjerimit, Marta Kos, se ka qenë në kontakt me qeverinë shqiptare dhe se ka marrë garanci se për projektin e Zvërnecit do të bëhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis, në protestë nuk mori përgjigje vetëm me fjalë.

“ Sot morëm vesh që qenka bërë Narta kos dhe këtë e tha Marta Kos. Marta Kos, nuk pijnë më ujë garancitë këtu! Anuloni ligjin, shkatërrimin dhe bëni një moratorium!”, tha një student.

Pati edhe pankarta që e futën edhe eurokomisioneren në vorbullën e sulmeve.

Me kreun e PD-së, Sali Berisha, që u ka bërë thirrje të tijëve të dalin në protestë, dhe të bëhen të verbër ndaj pankartave kundër atij vetë, disa zonja demokrate, e ndryshuan korin e protestës:

“Rama në burg. Belinda në burg.”

"Unë sugjeroj që studentët në një kuti të madhe të kalojnë dhe të mbledhin letrat me shkrim dore sesi doni ju që kjo protestë të zhvillohet dhe jeni në garancinë e studentëve që do të bëjnë një numërim të drejtë", tha një student.

Studentët, nën banderolën e tyre, udhëhoqën edhe marshimin, i cili vijoi përgjatë lumit Lana, më pas drejt parlamentit, në Unazë.

Dalja e studentëve në ballë të protestës, ishte një skenar i detyruar. Organizatorët, persona nga shoqëria civile që nga dita e parë e protestës shfaqeshin rreth podiumit duke organizuar fjalimet dhe itineraret e marshimeve, u përçanë dhe u larguan nga skena, pas bllokimit të autostradës Tiranë-Durrës dhe rrugës së aeroportit të Rinasit, të dielën e 14 qershorit. Një skenar, që veçse sfiliti grupin që eci për 5 orë në këmbë, u dha një ditë më pas hapësirën, 3 aktivistëve, të vetëshpalleshin nismëtarë të protestës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:01
Vijon marshimi, protestuesit thirrje qytetarëve: Çohuni nga kafja!

Thirrjet “çohuni nga kafja” kundrejt qytetarëve jehuan edhe gjatë marshimit të sotëm të protestuesve.

Këtë herë, për të shmangur përsëritjen e situatës së bllokimit të Rinasit, ata po ndjekin banderolën e studentëve.

Ora 21:19
‘O bos t’rre mendja se u ka bo deti Marta Kos’, protestuesit mesazhe për komisioneren përmes pankartave

Pankartat e protestës këtë herë e fokusuan vëmendjen te komisionerja e Be për Zgjerimin, Marta Kos.

Duke u frymëzuar nga shprehja “u bë deti kos” dhe mbiemrit të komisioneres që në gjuhën shqipe tingëllon si produkti ushqimor, ata e kanë përdorur si pikënisje për sloganet e tyre.

Ora 20:48
Këngëtarja Gala Dragot: Kurajë, mos lejoni politikën t’u njollosë të ardhmen! Robert Aliaj: Qeveria që s’është krah jush, është armiku juaj

 

Gala Dragot, këngëtarja e njohur, u kujtoi tubuesve protestën e studentëve duke u thënë se duhet të kenë kurajë dhe s’duhet të lejojnë askënd t’u njollosë të ardhmen.

“Jam kaq e lumtur që jeni të ndërgjegjshëm për të ardhmen që doni. Unë kam qenë në protestën e studentëve kur isha 13 vjeç. Më kujtohet si më mbushi me shpresë. Sot jam këtu për t’ju kujtuar që duhet të keni kurajë pafund! Kurajë pafund që të bëni ndryshim, të rrëzoni këtë klasë politike të kalbur! Mos lejoni këtë klasë të njollosë të ardhmen tuaj! E ardhmja na përket ne dhe çdo qeveri që s’lejon të ndërtojmë të ardhmen tonë, është armiku ynë! Liria nuk dhurohet, liria negociohet dhe duhet të luftosh për ta fituar! Jam e lumtur të them se brezi im do ta shpëtojë këtë vend!”, tha këngëtarja.

Gala shoqërohej nga i ati, Robert Aliaj, i cili mbështeti deklaratën e së bijës.

“Një qeveri që s’është në interesat e brezit tuaj, është armiku juaj! Është shumë e vërtetë! Ne s’mund të lejojmë arrogancën sikur ky vend i përket një padroni. Ne s’mund të tolerojmë një lider që flet në emër të çdo ministri të shtetit të vet! Kjo nuk është demokraci!”, tha Aliaj.

Ora 20:30
Bllokimi i Rinasit, sugjerimi i protestuesit: Shkruani letra si doni të zhvillohet protesta, studentët do t’i grumbullojnë

 

Një protestues i cili është proceduar për bllokimin e Rinasit, u dha të drejtë edhe asaj pjese të qytetarëve që nuk ishin dakord me marshimin e gjatë. Ai shprehu idenë që qytetarët të shprehin mendimin e tyre lidhur me vijimësinë e protestës, përmes disa letrave që do të mblidhen nga studentët.

“Po procedohemi në gjendje të lirë për marshimin që ndodhi para 2 ditësh. Ka shumë njerëz që thonë që ai marshim i gjatë ishte i gabuar dhe kanë të gjithë të drejtën për ta thënë. Ka shumë mësime që mund të nxirren nga ai mashtrim, sesi qeveritarët thonë që populli u mashtrua. Populli u mashtrua nga ju në këto 35 vitet e fundit. Ishin mijëra vetë që marshuan deri në 1 të natës. Ishin qindra makina të bllokuara që shoferët brohorisnin. Kishte gjyshe atje, vajza, dje, burra që vendosën të marshonin. Ama prapë u them që edhe ata që janë kundër, kanë shumë të drejtë. Ka shumë njerëz që thonë që fonia të hiqet, edhe ata kanë të drejtë. Prania e mediave duhet të jetë. Unë sugjeroj që studentët në një kuti të madhe të kalojnë dhe të mbledhin letrat me shkrim dore sesi doni ju që kjo protestë të zhvillohet dhe jeni në garancinë e studentëve që do të bëjnë një numërim të drejtë. Ne mund t’i tregojmë gjithë botës sesi votojmë”, tha protestuesi.

Ora 20:20
Protestuesi i drejtohet komisioneres Kos: Garancia s’vlen, do të grisim kontratën 36-vjeçare me klasën politike

 

Një protestues ishte i radhës që iu drejtua komisioneres së BE për Zgjerimin, Marta Kos duke i thënë se garancia e qeverisë s’është e vlefshme pasi kanë vendosur të grisin kontratën me klasën politike.

“I them znj. Kos, ti mund të marrësh garanci nga kjo qeveri, por ka diçka që e ke harruar: ne shqiptarët e Shqipërisë kemi vendosur ta grisim kontratën 36-vjeçare me këtë klasë politike! Pavarësisht përpjekjeve për ta kapur këtë protestë, inteligjenca e kësaj rinie është më e madhe nga sa mendoni! Teorisë se të gjithë jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës i ka ardhur fundi!”, tha protestuesi.

Ora 20:02
‘U bë Narta kos’, biologu i mjedisit sulmon Komisioneren e Zgjerimit: Garancitë nuk pijnë ujë, anuloni ligjin!

 

Një i ri, me profesion biolog mjedisi, sulmoi Komisioneren e Zgjerimit të BE, Marta Kos duke thënë se “Narta u bë kos”, pas deklaratës së saj se shteti shqiptar ka dhënë garanci për investimet në zonë. Ai tha se “garancitë s’pijnë më ujë” dhe ligji duhet të anulohet, ndërsa pati edhe një ‘sugjerim’ Ministrisë së Mjedisit.

“A keni parë protestë më të bukur se kjo? A keni parë që ndërkohë që fëmijët pikturojnë, prindërit, motrat e vëllezërit qëndrojnë këtu prej ditësh për të ardhmen e tyre? Sot morëm vesh që qenka bërë Narta kos dhe këtë e tha Marta Kos.

A ekziston diku tjetër në BE që bëhet vlerësimi i ndikimit në mjedis njëkohësisht me urat e rrugët e reja? Njëkohësisht, ndërkohë që biologët numërojnë shpendët, ndërtuesit bëjnë rrugë.

Mbase është më mirë të riemërtohet Ministria e Mjedisit dhe të quhet Ministria e Turizmit të Paqëndrueshëm. Rama, Marta Kos, nuk pijnë më ujë garancitë këtu! Anuloni ligjin, shkatërrimin dhe bëni një moratorium!”, tha biologu mjedisor.

Ora 19:41
Artistja e re: Kam mbaruar studimet me ekselencë në Torino, një vit e gjysmë që diploma s’është njehsuar

 

Anjeza, një artiste e re, tha para protestuesve se edhe pse ka përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera në Torino, mbetet peng i një diplome që ende s’është njehsuar. Ajo foli për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe për rritjen e emigracionit, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.

“Kam mbaruar studimet me ekselencë në Torino dhe erdha në Shqipëri me mendimin se do të njehsoja diplomën dhe do të gjeja punë menjëherë. Ka kaluar një vit e gjysmë dhe diploma nuk është njehsuar. Jemi këtu edhe për personat me aftësi të kufizuara. Duam një Shqipëri me vlera, jam edhe për motrën e vëllain që emigruan shumë herët. Organizatorë jemi të gjithë ne. Kryeministër, nëse gjërat janë kaq mirë në Shqipëri, pse po largohen njerëzit dita-ditës? Shfuqizo ligjin e investimit strategjik! Jep dorëheqjen!”, tha artistja.

Ora 19:41
‘Zvërneci’, studenti: S’jemi kundër investimeve, por s’duam ato jo transparente

 

Një student tha se të rinjtë s’janë kundër investimeve, por nuk përkrahin investimet jo transparente. Më pas shtoi se në sheshin para kryeministrisë ka lindur shpresa për Shqipërinë.

“Jam para jush si një i ri që shokët e tij janë larguar nga politika. Kjo qeveri çdo ditë ia ka marrë shpresën këtij populli, por unë mendoj se Shqipëria do të bëhet pikërisht nga ne që jemi këtu! Ne nuk jemi kundër investimeve, ne jemi kundër vjedhjeve! Jemi kundër investimeve jo transparente. Ne jemi kundër pasurimit të politikanëve dhe oligarkëve në kurrizin tonë! Këtu sot ka lindur shpresa dhe ne do e bëjmë Shqipërinë!”, përfundoi ai.

Ora 19:22
Profesori krah studentëve: Janë më të masakruarit në 35 vjet, koha të reagojmë për brezin e ri!

 

Një profesor që mori fjalën në podiumin e protestës para kryeministrisë tha se studentët janë më të masakruarit në 35 vjet. Ai u bëri thirrje protestuesve të reagojnë për brezin e ri dhe mos të përsëritet skenari i vitit 1992.

“Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm. Studentët janë pjesa më delikate dhe e masakruar në 35 vjet! S’ka vend në botë që i ka masakruar shkollat dhe universitetet si Shqipëria! Ju flet një njeri që fëmijën e tij e ka arsimuar në Shqipëri dhe e ndien çdo ditë dhimbjen se do të ikë jashtë. Është koha të reagojmë për brezin e ri dhe mos të mashtrohemi më si më 1992!”, tha profesori.

Ora 18:51
Protestë në njërën anë, Botërori në tjetrën, sheshi ‘Skënderbej’ ndahet në dy 'kampe'

 

Sheshi “Skënderbej” duket se është ndarë në dy anë. Ndërsa protestuesit kanë nisur të grumbullohen, pas statujës së Heroit Kombëtar, të tjerë janë ulur për të ndjekur ndeshjen e radhës së Botërorit.

Ndeshja do të jetë midis Francës dhe Senegalit, në orën 21:00.