Janë të maskuar, të armatosur dhe veprojnë shpesh pa u identifikuar. I shohim në bastisje, deportime dhe përballje me protestues, por pak e dinë se kush janë realisht “federalët” që Donald Trump ka vënë në vijë të parë kundër emigrantëve dhe trazirave sociale në SHBA.
Pas 11 shtatorit, Amerika ndërtoi një aparat të ri sigurie që sot numëron dhjetëra mijëra agjentë dhe kompetenca të jashtëzakonshme. Departamenti i Sigurisë së Atdheut, ICE, Forcat e Kufirit dhe Garda Kombëtare janë bërë instrumente kyçe të politikave të ashpra të administratës Trump, të cilat kanë ngritur debate të forta mbi ligjshmërinë, përdorimin e forcës dhe kufijtë e demokracisë.
Gazeta italiane Corriere e shpjegon kështu këtë arkitekturë të pushtetit federal.
Kur u krijua Department of Homeland Security?
Ministria e Sigurisë së Brendshme u krijua pas atentateve të 11 shtatorit 2001, duke bashkuar 22 agjenci federale. ICE është një prej tyre.
Sa agjentë ka ICE?
Zyra e Zbatimit të Ligjit për Emigracionin dhe Doganat (ICE) është agjencia kryesore që merret me luftën kundër emigracionit të paligjshëm. U krijua në vitin 2002. Gjatë vitit të parë të presidencës Trump, numri i agjentëve u rrit nga 10 mijë në 22 mijë ndërsa numri i kandidatëve aplikues ishte 220 mijë. E gjithë kjo ndodhi falë një fushate rekrutimi që kushtoi 100 milionë dollarë. Fushata u përqendrua veçanërisht në faqe dhe rrjete sociale të së djathtës, si Rumble, me synimin për të gjetur “patriotë amerikanë të kualifikuar”.
Agjentët u joshën me paga rreth 50 mijë dollarë në vit dhe bonuse për ish-studentët, ku përfshihej edhe falja e kredive universitare.
Sa të kualifikuar ishin? Koha e trajnimit të rekrutëve u përgjysmua në vetëm 8 javë. U hoq edhe kërkesa për njohjen minimale të spanjishtes, gjuha më e përhapur mes emigrantëve. Kriteret e përzgjedhjes mbeten mjaft të paqarta
Ku qëndron ndryshimi mes agjentëve të ICE dhe Patrullës Kufitare?
Ato veprojnë në bashkëpunim. Patrullat kufitare, rreth 20 mijë efektivëm tradicionalisht operojnë pranë kufijve dhe brenda 150 kilometrave prej tyre kanë kompetenca edhe më të gjera se policia lokale. Donald Trump u ka besuar atyre shumë nga operacionet e bastisjeve dhe deportimeve në qytetet amerikane.
Të paktën 50% e agjentëve të kësaj Patrulle i përkasin pakicës latino-amerikane (që përbën rreth 20% të popullsisë), kundrejt 30% në ICE (para rekrutimeve të fundit). Ndër agjencitë federale, Forca Kufitare ka përqindjen më të ulët të grave: vetëm 4% nga rreth 20 mijë efektivë.
A kanë uniformë këta agjentë federalë ?
Po, jo, ndonjëherë më shumë se një. Agjentët e ICE veprojnë edhe me rroba civile, ose me jelek antiplumb me mbishkrimin Police, ICE, apo ERO (njësia e specializuar për arrestime). Ata të Ekipit të Reagimit të Shpejtë, përdorin uniforma kamuflazhi dhe armë që qëllojnë me plumba me piper.
Agjentët e Patrullës së Kufirit shpesh mbajnë mbi rrobat civile jelekë pa mëngë me emrin e agjencisë. Për arsye sigurie personale, askush nuk ka detyrim të tregojë fytyrën. Pothuajse gjithmonë mbajnë maska ose shami që i bëjnë të paidentifikueshëm.
Po Garda Kombëtare?
Është bërthama më e vjetër e forcave të armatosura amerikane (emri u sugjerua nga markezi de La Fayette gjatë një vizite rreth 200 vjet më parë). Aktualisht numëron 325 mijë rezervistë në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Garda aktivizohet në raste emergjencash të veçanta ose situatash lufte, me kërkesë të presidentit të SHBA-së ose të guvernatorëve të shteteve. Është përdorur në Irak dhe Afganistan, gjatë uraganit Katrina, si dhe për emergjencën e Ebolës në Afrikë. Trump ka tentuar ta përdorë Gardën Kombëtare kundër protestave, për shembull në Çikago, por në fund të dhjetorit Gjykata e Lartë ia rrëzoi këtë kërkesë. Ironikisht, guvernatori Tim Walz ka vënë në gatishmëri Gardën e Minesotës kundër fuqisë së tepruar të “federalëve”.
Vdekja e Renee Good dhe Alex Prettit gjatë një ndërhyrjeje të forcave federale në Minnesota ka hapur një debat të fortë në Shtetet e Bashkuara, jo vetëm për përdorimin e forcës, por edhe për rolin, përbërjen dhe mënyrën se si veprojnë agjentët e ICE dhe Policisë Kufitare. Protestat që janë përhapur në disa shtete dhe përplasja mes autoriteteve lokale dhe atyre federale e kanë kthyer çështjen në një krizë politike kombëtare.
Senatorë republikanë kanë kërkuar një hetim të pavarur, duke paralajmëruar se besueshmëria e ICE dhe e Departamentit të Sigurisë Kombëtare është në rrezik. Ndërkohë, demokratët po tentojnë të bllokojnë financimin e institucioneve federale, çka mund të çojë në një tjetër mbyllje të administratës amerikane.
Komente








