Më 18 maj maturantët në të gjithë vendin i drejtohen shkollave për 3 javë në lidhje me përgatitjen dhe mësimet e nevojshme për provimin e maturës. Shkollat do të hapen nën masa të rrepta sigurie, ndërsa për rikujtimin e tyre ministrja e Arsimit, Besa Shahini nëpërmjet një video-mesazhi ka përcjellë edhe disa prej rregullave kryesore që duhet të ndiqen gjatë qëndrimit në shkollë në mënyrë që të mbrohet shëndeti i secilit.
Maska do të vendoset para shkollës dhe rreshtimi i maturantëve do të bëhet në distancë me largësi 1.5-2 metra nga njëri-tjetri, distancë e cila duhet të mirëmbahet gjatë gjithë qëndrimit në shkollë. Gjithashtu në të gjitha bankat do të ketë dezinfektonte dhe maturantët do të ulen në distancë. Shahini nënvizon gjithashtu se në hyrje të secilës shkollë dhe në korridoret e secilit kat janë të vendosura postera me ilustrime të thjeshta të rregullave kryesore që duhet të ndiqen nga maturantët gjatë qëndrimit në shkollë.
"Rregulli i parë është vendosja e maskës para shkollës dhe rreshtimi në distancë 1.5-2 metra nga njëri-tjetri, distancë e cila duhet të mirëmbahet gjatë gjithë qëndrimit në shkollë. Edhe ulja në klasat tuaja është organizuar në një distancë të tillë mes njëri-tjetrit. Nëse keni nevojë të përdorni dezinfektues gjatë qëndrimit në shkollë, keni në bankat e shkollës nga një dezinfektues që mund të përdoret gjatë ditës. Rregullin kryesor për parandalimin e përhapjes së viruseve, i cili është larja e shpeshtë e duarve", tha Shahini.