Kandidatët të cilët vijnë nga trojet shqipfolëse kanë mundësi të aplikojnë për të drejta studimi në master në universitetet shqiptarë. Sipas udhëzimit të MAS kandidatët nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, mund të aplikojnë nga data 3 deri në datën 10 nëntor për të përfituar nga kuotat e ciklit të dytë të studimeve në IAL publike. Kandidatët të shprehin 5 preferenca të ndryshme lidhur me aplikimin në programet e preferuara të studimit sipas formularit të udhëzimit Nr. 52, datë 03.11.2014. Kandidatët në momentin e aplikimit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar. Në rastet kur dokumentacioni nuk është i plotë, aplikimet nuk merren në konsideratë. Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet mbi kriterin e meritës, bazuar në notën mesatare të të gjitha viteve të studimeve universitare të ciklit të parë dhe në notën mesatare të të gjitha viteve shkollës së mesme.