Deputeti Erion Braçe kërkoi sqarime nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi për cilësinë e materialeve të ndërtimit, duke marrë si pikënisje zjarrin te kompleksi “Arlis” përballë QSUT. Braçe tha se në pallatin në fjalë, nuk është përmbushur asnjë zotim ndaj banorëve për të rikthyer disi normalitetin. Deputeti pyeti konkretisht se kur do të jetë e mundur të përmbushen të gjitha rregullat për të ndërtuar godina të sigurta.
“Isha dy ditë më parë në atë kompleks, në nisje të një peticioni ndaj kryetarëve të shtetit. E çmoj praninë e zv/kryeministres pranë tyre. Në objekt as pastrimi nuk është bërë dhe kjo është krejt tjetër. Asgjë ka ndodhur në funksion të këtij angazhimi konkret, përmbushja e të cilit kthen në të përditshmen normale ata njerëz. Ndërtuesit po ndërtojnë për të shitur një fjetinë të bukur nga jashtë e brenda, po ndërtojnë për të shitur një fjetinë të sigurt pas tërmetit 2019. Në mendjen e ndërtuesve, siguria nuk shihet e për pasojë nuk shitet. Sa kohë do të na duhet për të ndërtuar një objekt të sigurt nga zjarri? Shkurt e qartë, për të bërë gjumë të sigurt të godinave që blihen shtrenjtë?”, tha Braçe.
Karakaçi tha se ligji mbulon thuajse plotësisht këtë sektor, ndërsa pranoi se ka nevojë për përmirësim ndaj është hartuar edhe një projektligj. Sipas tij, projektlgji synon krijimin e një sistemi modern dhe të unifikuar për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës së produkteve të ndërtimit në përputhje me standardet e Bashkimit Europian si dhe ngritjen e strukturave përgjegjëse për certifikimin, vlerësimin teknik dhe mbikëqyrjen e tregut.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar tashmë projektligjin për tregtimin e produkteve të ndërtimit, i cili synon përafrimin me rregulloren e Bashkimit Europian të vitit 2024. Ky projektligj synon krijimin e një sistemi modern dhe të unifikuar për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës së produkteve të ndërtimit në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Po ashtu, parashikon edhe ngritjen e strukturave përgjegjës për certifikimin, vlerësimin teknik dhe mbikëqyrjen e tregut me qëllim rritjen e sigurisë. Ky projektligj që është hartuar është depozituar dhe në konsultim publik dhe po ashtu po ndërmerren edhe masat përkatëse ligjore përsa i përket konsultimit të brendshëm me institucionet përkatëse në mënyrë që të vijohet me miratimin e tij. Ligji kërkon që ndërtimet të plotësojnë standardet për rezistencë dhe qëndrueshmëri, siguri nga zjarri, higjienë dhe mbrojtje të mjedisit, siguri në përdorim, mbrojtje nga zhurmat, kursim energjie dhe ruajtje të ngrohtësisë. Zbatuesi i punimeve është përgjegjës për realizimin e punimeve sipas lejes së ndërtimit, projektit dhe kushteve teknike, si dhe për cilësinë e materialeve të përdorura sipas standardeve kombëtare ose europiane. Materialet e importit duhet të kenë certifikatë cilësie nga laboratorë të akredituar nga vendet e Bashkimit Europian, ndërsa materialet e prodhuara në Shqipëri duhet të certifikohen nga laboratorë të akredituar në vend. Zhvilluesi, që është edhe entiteti kryesor përsa i përket përgjegjësisë së ndërtimit, mban përgjegjësi të përbashkët bashkë me projektuesin, zbatuesin, mbikëqyrësin dhe kolaudatorin për respektimin e ligjit dhe standardeve të sigurisë, antisizmikes, mbrojtjes nga zjarri dhe efiçencës energjetike. Ligji parashikon gjithashtu masa, shkelje dhe sanksione për moszbatimin e këtyre detyrimeve”, tha Karakaçi.
Në nisje të përgjigjes, Braçe tha se “askush nuk flet për problemet konkrete”. Ai renditi hendeqet e ndërtimit të kompleksit “Arlis” që nga mungesa e certifikatës së përdorimit, e deri te materialet e përdorura, të cilat janë të djegshme.
Ajo që më shqetëson është që në këtë qytet po ndërtohet pafund ndërkohë që koha e atyre standardeve po zgjatet dhe kalon ritmin e kontrollit të zbatimit të legjislacionit në territor. Ndërtimi i kompanisë ‘Arlis’ është pa certifikatë përdorimi, detyrim ligjor ky. Pse nuk është lëshuar një certifikatë e tillë? Me gjasë, projekti nuk është zbatuar sipas lejes së ndërtimit. I jam drejtuar 5 javë të shkuara kadastrës për informacion lidhur me këtë kompleks dhe nuk e kam marrë. Mungesa e certifikatës së përdorimit tregon procesin e legalizimit. Është përdorur alumin me bërthamë të brendshme me bazë polietileni, tërësisht i djegshëm. Këto montohen në një pjesë të veshur me lesh guri, me një hapësirë ajri midis tyre që ka bërë rolin e oxhakut duke përhapur zjarrin. Montimi është bërë pa asnjë brez çeliku kat më kat. Është po evidente, kemi të bëjmë me dy godina të ndara në vendin ku ra zjarri, pa asnjë hapësirë. Është zgjedhur një klasë e mesme materialesh që digjen dhe përhapin zjarrin”, tha Braçe.
Ministri Karakaçi u përgjigj duke shprehur gatishmërinë për konsultime lidhur me hartimin e masave të mëtejshme për kuadrin ligjor. Gjithashtu mbështeti fjalët e deputetit se nëse do të jetë nevoja, do të ulet për diskutime për përmirësimin e legjislacionit.
“Gjatë zbatimit të procedurave ligjore, ka shumë institucione të tjera, duke përfshirë nga njësitë e qeverisjes vendore deri në institucione zbatuese përkatëse që kanë detyrim për të zbatuar ligjin. Dhe unë do të isha shumë i gatshëm që të vazhdoja diskutimin me ju personalisht, por edhe me çdo deputet apo palë të interesuar që nëse ne kemi hapësirë për të bërë rregullime të tjera të nevojshme që na shmangin situata si ajo që ndodhi para disa kohësh, krejtësisht i lumtur që të ulem bashkë me stafin tim me ju dhe t'ju prezantojmë cili është kuadri i ri rregullator që ne po hartojmë në bazë të Bashkimit Europian dhe çfarë masash të tjera propozuese mund të kishte. Pas zjarrit, nën drejtimin tim dhe gjithë strukturat nën varësinë e ministrisë, kanë shkuar derë më derë për të parë nëse ishte e mundur që të bëhej rilidhja e energjisë dhe ujit. Unë s’kam kompleks që të pranoj se nëse ndërtuesi apo kolaudatori kanë shkelur ligjin, duhet të dënohen dhe të merren masat përkatëse”, tha Karakaçi.
Në përmbyllje të interpelancës, Braçe propozoi ndryshimet për të forcuar kontrollin dhe lejimin e ndërtimit të objekteve nëse nuk plotësojnë paraprakisht një sërë dokumentesh.
“Dua t’ju propozoj që të shtohet shprehimisht se asnjë objekt shumëkatësh, me rrezikshmëri të konsiderueshme nuk legalizohet dhe certifikohet pa certifikatë të mbrojtjes nga zjarri, pa akt kolaudimi dhe certifikatën e përdorimit. Bllokadë dixhitale ndërinstitucionale që ASHK të mos regjistrojë një objekt të ri apo të legalizuar shumëkatësh pa u ngarkuar elektronikisht akti i institucioneve të mbrojtjes nga zjarri dhe certifikata e përdorimit. Në fund, audit i pavarur i sigurisë nga zjarri si kusht i certifikatës së përdorimit”, përmbylli deputeti.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ Pritet votimi në seancë i ndryshimeve në rregullore! Debat për integrimin, Tabaku: Gjermania i thotë ‘jo’ anëtarësimit pa veto! Balla: Objektiv 2027-ta










