Matteo Mandala: Reforma në Akademi të bëhet rrënjësore, në çdo institucion

Matteo Mandala: Reforma në Akademi të bëhet rrënjësore, në çdo institucion

Matteo Mandala

Profesori dhe studiuesi i shquar arbëresh, Matteo Mandalà, autor i disa librave dhe studimeve themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe dhe atë shqiptare, në një intervistë për “Shqiptarja.com” ka folur edhe për çështjen e reformimit të Akademisë së Shkencave dhe albanologjisë, por edhe të problemeve të arbëreshëve të Italisë në kohët e sotme.

Studiuesi i njohur arbëresh ishte i pranishëm dje në Akademinë e Shkencave, ku kolegët dhe miqtë kanë përgatirur një surprizë për të:  libri “Matteo Mandalà dhe albanologjia sot”, dedikuar për 60-vjetor të lindjes (botuar nga “Naimi”).

Libri për albanologun arbëresh është përgatitur nga Francesco Altimari, Gëzim Gurga dhe Shaban Sinani dhe përmban shkrime dhe analiza posaccërisht për kontributin e profesorit Mandalà në kulturën dhe historinë e kombit shqiptar.

Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Matteo Mandala njihet si themelues i filologjisë moderne shqiptare, autor librash dhe ruajtës i trashëgimisë arbëreshe.

Prof. dr. Matteo Mandalà, është përgjegjësi i seksionit të albanologjisë në Universitetin e Palermos (Università degli Studi di Palermo). Albanolog i mirënjohur; historian dhe studiues i letërsisë arbëreshe ai është vlerësuar dje nga akademikët e njohur si një intelektual me interesa të gjera dhe dijetar me kontribute të spikatura në disa fusha të dijes kombëtare,si përfaqësues i shquar i mendimit shkencor shqiptar në gjithë botën e sotme akademike e universitare e më gjerë. Mandala jep një kontribut të madh edhe përmes ideve dhe mendimeve të tij përmes intervistave,ku nuk mungon edhe fryma e debatit të hapur.

Intervista 

Profesor Mandala, miqtë dhe kolegët tuaj ju kanë surprizuar me një libër që mban titullin “Matteo Mandala dhe albanologjia sot”, pse mendon se e kanë bërë këtë lidhje të personalitetit tuaj me albanologjinë?

Libri më ka befasuar me titullin, dhe me një foto timen të harruar në të. Unë ende nuk e kuptoj pse kolegët ma përgatitën librin me këtë titull. Ndoshta për të justifikuar një ndjenjë shfajësimi ndaj problemeve të albanologjisë.

Çfarë problemesh mendoni se ka konkretisht albanologjia sot?

Sikurse të gjithë sektorët akademikë, edhe albanologjia po jeton çaste të vështira dhe perspektivat e zhvillimit varen kryesisht nga politikat që do të zbatohen në të ardhmen. Për mua kanë rëndësi aspektet organizative, por edhe më të rëndësishme janë drejtimet që do të marrë albanologjia në të ardhmen. Dhe drejtimi i mbarë kërkon kolegjialitet dhe karakter ndërdisiplinor, hapje maksimale dhe bashkëpunim me studiuesit e huaj, një politikë rigoroze ndërkombëtarizimi të sistemit kërkimor dhe didaktik. Por edhe aftësinë për të thithur fondet nga BE, aftësi që mungon, siç u shpreh edhe zoti Edi Rama, kryeministri, një ditë më parë. Por unë jam i bindur se kohë më të mira na presin për albanologjinë, ndërkohë që po përgatiten edhe platformat e reja të reformimit të Akademisë së Shkencave.

Jam optimist edhe sepse vë re shumë entuziazëm te brezat e rinj të studiuesve. Pra unë mendoj se albanologjia sot është një shkencë që po vihet në shinat, duke u përpjekur për të bashkuar njohuritë e ndryshme në fusha të ndryshme të gjuhësisë, historisë e më gjerë për t’u dhënë vendin e duhur studimeve albanologjike. Albanologjia është një fushë që pretendon të jetë  e hapur, por me ballafaqime shkencore, në vendin e duhur dhe me specialistë e duhur. Albanologjia nuk bëhet me biseda kafenesh. Unë që në rini e kam pasur këtë edukatë nga familja, që në kafene me miqtë mund të bëjë biseda të ndryshme, të tjera nga puna që bëj, të bëja humor e shkencën ta bëja në vendin e duhur. Albanologjia dhe shkenca nuk bëhet ne kafene. Dhe ju mediat, duhet të tregoni një kujdes të madh, të mbani përgjegjësi sepse nuk mund të konsiderohen si debate të fushës opinionet e kafeneve. Perspektiva e albanologjisë dhe e shkencave duhet të jetë e hapur përmes rrugës së debateve mes akademikëve që gëzojnë një status të lartë.  

Çfarë mendimi keni ju vetë për reformën në Akademinë e Shkencave. Mendon se nga mungesa e reformimit kanë shterur ekspeditat kërkimore?

Unë e kam ndjekur me interes debatin që po zhvillohet mbi reformën e Akademisë së Shkencave  dhe, natyrisht, kam mendimet e mia mbi këtë çështje. Nuk jam në gjendje të jap gjykime të prera në disa aspekte që lidhen me kushtet sociale të vendit, por edhe  sikur të isha, nuk do ta bëja. Ka mjaft akademikë të shquar ky vend që duhet të japin ndihmën e tyre e të ndalin rrënimin që pësoi Akademia në një fazë tranzicioni të gjatë e të mundimshëm. 

Disa nga propozimet më duken largpamëse, disa të tjera nuk më bindin, por unë jam duke parë dhe mbështetjen e kryeministrit dhe të akademikëve të njohur dhe mendoj se pretendohet një reformë rrënjësore, por që nuk duhet vonuar. Pra unë mendoj se çdo gjë duhet të reformohet në thelb, çdo institucion duhet t’i nënshtrohet reformimit. Është domosdoshme, është në natyrën gjerave që Akademia të ndryshojë mënyrën e organizimit të saj dhe t’i përshtatet kohës, se është e natyrshme edhe ne vet ndryshojmë.  Janë ngritur disa here grupe të punës për reformën. Por duhet edhe të dimë ta bëjmë këtë reformim. Edhe zoti kryeministër tha se “një popull që ka dije ka shpresë edhe në të ardhmen”, dhe kjo është një e vërtetë reale. Pavarësisht se ç’është bërë në të kaluarën, një nga detyrimet që u takon ta bëjnë akademikët dhe universitetet është që të përgatiten mirë të thithin buxhetet e vendeve të BE. Ky është një hap që do të na çojë drejt rezultatit. Fondet, do të rrisin nivelin e kërkimit shkencor dhe çeljen e ekspeditave kërkimore. .

Dekadat e fundit kanë ndryshuar edhe kushtet, edhe jeta e arbëreshëve, si është gjendja e gjuhës shqipe vitet e fundit atje?

Mirëmbajtja e një tradite gjuhësore lidhte edhe me kushtet në të cilat jetojnë folësit. Kushtet në rastin tonë nuk janë të mira,. Arbëreshët në jug të Italisë vuajnë nga kriza ekonomike dhe të rinjtë detyrohen ta braktisin fshatin e tyre dhe braktisin dhe gjuhën, një gjuhë që nuk ka folës, nuk mund të ruhet gjatë.  Unë nëse është e mundur i bëjë një thirrje zotit Rama, që t’i kujtojë homologu italian se ka një pakicë të arbëreshëve të Italisë  që duhet të përkrahet se po rrënohet.

Atje me ligj shkollat në gjuhën shqipe janë fakultative dhe ne nuk kemi as lekë t’i paguajmë ato shkolla të gjuhës shqipe, sepse shkollat kanë shpenzime, por unë me kolegët e mi kemi bërë të pamundurën të krijomë shkolla verore, aktivitete, por shkolla e plotë do të hidhte themelet më mirë. Në shumicën e fshatrave arbëreshe ende flitet shqip. Dhe ka fëmijë që nuk dinë ende italisht. Në një fshat të largët, fëmija e thërriste pulën e tij me emrin Galina, sepse nuk e kishte mësuar kurrë se galina dhe pula janë e njëjta gjë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë