Matura, Gjoka: Hoqëm Trebeshinën
si kundërshtare të Kadaresë

Matura, Gjoka: Hoqëm Trebeshinën <br />si kundërshtare të Kadaresë
TIRANE - Shkrimtarët dhe poetët kombëtarë po nëpërkëmben duke ndryshuar pa asnjë kriter akademik programet e letërsisë për provimin e detyrueshëm të Maturës Shtetërore. Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit është deklaruar se këtë vit “Janë hequr disa autorë që quhen të vështirë dhe janë futur disa autorë dhe vepra me të cilët nxënësit dhe mësuesit janë mësuar me to”. Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH ka deklaruar se Ministria ka vendosur të heqë nga lista e programit orientues vepra të autorëve të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Është hequr tërësisht nga programi Martin Camaj, vepra “Kënga shqiptare” e Kasëm Trebeshinës, romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, duke u zëvendësuar me vepra të tjera, “Historia e Skënderbeut” e Naim Frashërit, etj.

Përfaqësues të kësja ministrie duke larguar veprat dhe shkrimtarët cilësorë nga programi kanë ngritur pretendimin se “janë të vështira për nxënësit”. Për këtë arsye janë hequr nga programi edhe autorë modernë botëror si Bodleri dhe Whitman.

Ky vendim ka ngjallur reagime tek nxënësit dhe mësuesit e vjetër të letërsisë, duke e konsideruar si dëm në formin kulturor dhe lënie në injorancë të gjimnazistëve, të cilët duhet të ejnë të formuar edhe për të ndjekur studimet e larta filologjike. “Nëse ne iu themi nxënësve tanë që Camaj është i vështirë dhe nuk kuptohet, atëherë u kemi thënë atyre të mos lexojnë kurrë letërsi moderne, letërsi serioze dhe me stil të lartë estetik, por vetëm letërsi folklorike dhe medikore”, reagon mësuesja e vjetër e Letërsisë D.S. Për mënyrën si zhvendosen autorë të rëndësishëm në tekste e shkollës dhe pasojat që sjellin në letërsinë kombëtare ka reaguar dje për “Shqiptarja.com” edhe studiuesi Behar Gjoka.

Zoti Gjoka, janë hequr disa autorë nga programet e letërsisë për provimin e detyrueshëm të Maturës Shtetërore, që nënkupton se nuk janë më të rëndësishëm për t’u testuar rreth tyre. Ky ndryshimi i programeve të herëpashershme, çdo të thotë?
Ky ndryshim shkollën e nxjerr nga binarët. Pa u krijuar një përvojë sugjerohet një përvojë e re. Pjesa e didaktikës së letërsisë duhet të jetë e fiksuar sepse ndodh që ndryshimi i programit sjell ndryshimin e tekstit dhe tekste-shkruesit dëshmojnë dukshëm mangësitë dhe të metat. Duket të ketë një cikël rishikimi programesh, jo më pak se pesë vjet. Psikologjia dhe mentaliteti i pushtetit mendojnë se kanë gjithçka në dorë.

Martin Camaj ka 20 vjet që ka hyrë në tekste shkollore? Sa përpjekje u është dashur për të sjellë në letërsinë shqipe mendësinë e studimit të një autori modern?
Martin Camaj u fut në tekste shkollore prej një beteje të mendjeve të mençura si i nevojshëm dhe tani erdhi vendimi për ta fshirë sepse nuk ka shkruar në gjuhën e njësuar.

Po Mjeda, për shembull, në gegërisht është studiuar gjithmonë në shkollë, pse të veçohet Camaj?
Patjetër, por Mjeda nuk u arratis nga Shqipëria. Shumëkush mendon nga arsyet më të çuditshme. Me Martinin është një situatë tjetër letrare dhe është një nga autorët më të veçantë që ka eksperimentuar në prozë dhe në poezi dhe ka arritur nivele që ju i dini. Nga ana letrare Martin Camaj ka hyrë më letërsi, por sa herë duan ta nxjerrin. Kjo ndodh se Martin Camaj nuk ka hyrë nga porta, që do të thotë nga një mendësi akademike, sepse ekziston edhe nga akademikët mendësia që Letësia shqipe fillon e mbaron e me Kadarenë, Dritëro e Agollin e Fatos Arapin. Dhe e gjithë pjesa tjetër është në funksion të tyre. Martin Camaj lëshon jo pak hije mbi këta, për një arsye të thjeshtë, ka bërë letërsi, nuk ka bërë letërsi në dobi të ideologjisë dhe në nevojës të saj atje, etj. Nuk mendoj që ata të hiqen, por të kthehen edhe vlerat e munguara, të përjashtuara.

Pas Migjenit, a është Martin Camaj ai që përmbush ekzistencën e letërsisë moderne shqipe në shekullin e 20-të, siç e kemi studiuar përgjatë këtyre 20 vjetëve?
Duhet të saktësojmë një gjë. Migjeni e kreu misionin e tij edhe pse pati një jetë shumë të shkurtër, duke hedhur themelet e modernitetit në poezinë shqipe dhe megjithëse vitet shkaktuan themelet e modernitetit nuk kanë lëvizur. Martini është tjetër gjë. Jemi në dy yje të njëjtit qiell që quhet letërsi shqipe. Martini pati fatin të jetonte në dritën e kulturës europiane dhe ta identifikojë veten si poet e prozator dhe shkroi me këndvështrimin e letërsinë shqipe, por nuk e identifikoi veten si shkrimtar i veçantë. Ai mishëroi në letërsi genin shqiptar, subjektet shqiptare me identitetin kulturor europian. Martin Camaj e shpëtoi prozën e tij, duke shpëtuar veten nga pamundësia e komunikimit duke shkruar maksimumin në jetën e vet. Pse Martin Camaj sa herë të ketë zyrtarë sa herë të ketë studiues të varur zyrtarisht do të hyjë dhe do të dalë sa herë të kenë nevojë ata. Kur të duan të thonë se Martini është më i madh se Kadareja, do ta përzënë atë. Kur të duan të thonë se është më i madh se Trebeshina do ta kthejnë Martinin. Dhe kur duan të thonë se Trebeshina është më i madhe se ata, asnjeri prej tyre nuk do ta lëviz dhe të jetë pjesë e verifikimit.

Kush i heq dhe i vendos autorët e letërsisë në programet arsimore. A ka një bord akademik?
Kjo punë është e atij bordi që merret me këto programe. Ka një bord që bëhet nga akademikët me tituj, nga zyrtarët, njerëzit që vetëm Camaj nuk e kanë lexuar. Pse them se nuk e kanë lexuar. Sepse po ta kenë lexuar Camaj, siç bërtasin pse u hoq një poezi nga Kadareja, le të thonë me gjysmë zëri që pse u hoq Martin Camaj. Ku e di unë se ç’janë ca Ali Aliu e ca akademikë të tjerë që e shohin letërsinë sipas nevojave të klanit të caktuar. Në raport me Camaj përgjegjësia është e shumëfishtë. Përgjegjësia është direkt e ministrisë së arsimit që e nxjerr dhe e heq sa herë ka nevojë për të lehtësuar programin dhe asnjëherë nuk e merr në konsideratë si vlerë. Është e atij bordi sugjerues të programit nëse ka diçka për të thënë edhe në raport me Trebeshinën, se me Trebeshinën është një problem pak më i madh se Camaj, sepse Trebeshinën duke e projektuar si kundërshtar të Kadaresë nuk bëjnë asgjë tjetër veçse e përzënë. A e meriton Trebeshina ta përzënë nga letërsia. A mund ta bëjnë këtë që tekstet e tij, që “Kënga shqiptare” të hiqet nga programi pasi është futur me shumë vështirësi. Pastaj edhe i vetmi roman epope si mund të hiqet lehtësisht me filozofinë se nuk gjendet në shitje. Ai është i botuar, është i shitur dhe i palexuar. Duhet ët jemi me një qëndrim më të qartë për të zbuluar që mjediset zyrtare të politikës arsimore të bordeve që merret me hartimin e programeve dhe teksteve do të veprojnë sipas mentalitetit komunist të heqjes të atij që nuk ka shkruar si ata që kanë mësuar në shkollë.

Kemi dëgjuar se një pjesë lexuesve të zakonshëm, të mësuar me estetikën e mediokre te realizmit socialist vërtet nuk e kuptojnë Camaj. Të jetë kjo një arsye që i ka çliruar nxënësit nga kjo ngarkesë estetike e tekstit të Camajt?
Shiko çfarë ndodh. Ku fillon dhe mbaron problemi Camaj. Mësuesit nuk e kanë bërë në program. Nyja gordiane lidhet me kongresin e ‘72-shit që nuk ka shkruar as në gjuhë letrare. Ligjërimi i tij në gegërisht dhe arbërisht është një vështirësi serioze, duhet të hyjë në raport me leksikun fjalorin, ka shkruar në shqip në atë që quhet gjuha e buzukut dhe Bardhit

E kisha fjalën për figuracionin më tepër, pavarësisht se personalisht çmoj shumë edhe prurjen gjuhësore?
Padyshim përthyerjet estetike të Camajt janë të njëmendta dhe të veçanta. Po flas vetëm dy gjëra vetëm për dy tekstet e tij. Është fjala për “Dranen” që është edhe prozë edhe poezi. Është edhe “Madrigal” që tek e fundit që është një eksperimentet tek autori dhe palimpsesti, pra shkrim mbi shkrimin që është projektuar për herë të parë tek Borgesi dhe këtë e gjejmë tek poema, tek libri, tek teksti i fundit i Camajt, po të thuash se unë i kam kuptuar ato nuk ke kuptuar asgjë nga botëperceptimi dhe ndjeshmëria e një poeti, sepse siç thotë Camaj “nuk kam shkruar poezi për të recituar, kam shkruar për të hyrë në shpirtin e njeriut, jo vetëm atij shqiptar, por edhe më gjerë se kaq”

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren