Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin iu nënshtruan këtë të martë provimit të Matematikës, testit të tretë të Maturës Shtetërore.
Pas daljes nga qendrat e testimit, nxënësit thanë se teza ishte e përballueshme dhe me një nivel mesatar vështirësie.
“Do ta vlerësoja provimin të nivelit mesatar. Personalisht arrita t’i realizoja të gjitha pyetjet duke qenë se edhe niveli im ka qenë 10. Shpresoj shumë për 10.0.”
“Ishte nivel mesatar, gjëra që i kemi punuar.”
“Kishte pak vështirësi te testi, por dolëm shumë mirë të gjithë.”
“Ishte pak i vështirë, por ia dolëm.”
“Ishin gjëra që i kishim punuar, ushtrime standarde.”
Për shumë prej tyre, provimet e maturës janë hapi i parë drejt studimeve universitare dhe profesionit të së ardhmes.
“E kam zgjedhur degën, Informatikë Ekonomike.”
“Synoj për Psikologji.”
“Synoj Mjekësi, por të shohim.”
“Kam zgjedhur Inxhinieri Ndërtimi.”
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi pas përfundimit të testit se dy maturantë u përjashtuan nga provimi pasi tentuan të përdornin telefon celular gjatë zhvillimit të tij.
“Keqardhje për dy nxënës, të cilët gjatë këtij provimi thyen rregulloren duke tentuar të përdornin celular, por që u identifikuan dhe u përjashtuan menjëherë nga provimi” u shpreh Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Provimi i fundit i Maturës Shtetërore do të zhvillohet më 23 qershor dhe do të jetë ai me zgjedhje. Procesi po zhvillohet në 144 qendra provimi në të gjithë vendin, me angazhimin e mbi 2 mijë administratorëve dhe monitoruesve, ndërsa korrigjimi i testeve do të kryhet nga 650 vlerësues.
Komente









