TIRANE- Ministria e Arsimit po e rimendon mënyrën e hyrjes së të rinjve në universitete. Pavarësisht se edhe këtë vit do të zbatohet matura shtetërore, ajo do të pësojë disa ndryshime të rëndësishme. Këto ndryshime kanë parasysh uljen e masivizimit në universitete, duke bërë të mundur vetëm kuota sipas kërkesave të tregut të punës. Numri dy i Ministrisë së Arsimit Nora Malaj, sqaron se prioritet do t’u jepen degëve që kërkohen nga tregu i punës, ndërsa të tjerat do të kenë ulje të kuotave. Synimi për rritjen e cilësisë së universiteteve ka nisur me reformën e maturës shtetërore.

Forcimi i këtij procesi dhe rregullat e reja që do të vendosin universitet do përcaktojnë nivelin e maturantëve dhe aftësinë e tyre për të hyrë ose jo në shkollë të lartë. “Tani do të shikohet nëse ky është një mekanizëm i mirë që do të jetë edhe hyrës edhe dalës, apo është mekanizëm i cili do të jetë vetëm dalës dhe hyrës do të përdoret një mekanizëm tjetër. Shumë shpejt universitetet mund të bëjnë edhe diçka tjetër, të vendosin pragun e pranimit të studentëve, pra të mos ketë studentë nën mesataren 6 të notës”, ka theksuar Malaj, gjatë një konference, ku ka bërë publike daljen e koeficienteve. Të gjitha të dhënat mbi koeficientet e përcaktuar nga shkollat e larta janë bërë publike në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit.

Ndryshon pikëzimi
Ndërkohë Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Arben Fagu ka pohuar se këtë vit universitetet publike kanë ndryshuar koeficientet, duke i thënë më shumë rëndësi dhe pikë lëndëve që kanë afërsi me degët e shkollës së lartë. “Këtë vit ka vërtet ndryshime, pasi universitetet e shohin si domosdoshmëri për të thirrur kontingjentet e mira me prirje në programet e studimit që ofrojnë. Për shembull Universiteti Politeknik i jep koeficient më të lartë matematikës së thelluar, fizikës së thelluar etj”, ka pohuar drejtori i AKP-së, Arben Fagu.

Sipas tij, ajo që duhet të kenë kujdes maturantët është se duhet të zgjedhin lëndët ku ata janë më të “zotë” pavarësisht koeficientit. Sipas Fagut, një notë më e lartë është më e vlefshme se sa një koeficient më i lartë. Këtë vit plotësimi i formularit A1, dhe përcaktimi i lëndëve me zgjedhje, do të bëhet online dhe i mbikëqyrur nga mësuesit. Për herë të parë, Ministria e Arsimit përcakton kufirin e pikëve që duhet të marrin maturantët për të qenë kalues. Në provimet me detyrim, në gjuhë-letërsi dhe matematikë duhet të sigurojnë 10 pikë për të marrë notën 5, ndërsa në provimin e lëndëve me zgjedhje duhet të kalojnë pragun e 8 pikëve.

 Risitë e maturës
-Kuotat në universitete do të jenë të përcaktuara sipas kërkesave të tregut të punës.
- Këtë vit Universitetet publike kanë ndryshuar koeficientet.
-Rëndësi u është dhënë lëndëve që kanë afërsi me degët e shkollës së lartë
- Të gjitha të dhënat mbi koeficientet e përcaktuar nga shkollat e larta janë bërë publike në faqen e MAS
- Këtë vit plotësimi i formularit A1, dhe përcaktimi i lëndëve me zgjedhje, do të bëhet online dhe i mbikëqyrur nga mësuesit.
- Në provimet me detyrim, në gjuhë-letërsi dhe matematikë duhet të sigurojnë 10 pikë për të marrë notën 5.
- Në provimin e lëndëve me zgjedhje duhet të kalojnë pragun e 8 pikëve për tu shpallur kalues.
- Mesatarja e tre viteve te shkollës së mesme do të ketë 26 % të peshës ose 40 pikë më shumë.

Shkrimi u publikua sot (06.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)