TIRANE- Maturantët, administratorët dhe sekretuesit e testeve të provimeve të maturës shtetërore këtë vit do të përballen me rregulla më të forta. Sipas asaj çka parashikuar Ministria e Arsimit këtë vit nuk do të ketë më administratorë të patrajnuar, ndërkohë që testet do të shpërndahen nëpërmjet postës, duke shmangur abuzimet që janë bërë në vitet e mëparshme. Kjo ka qenë deklarata e Ministres së Arsimit dhe Sportit gjatë një interpelance në Parlament. “Administratorët e sekretimit do të kalojnë në një proces trajnimi dhe do të pajisen me një certifikatë nga Agjencia Kombëtare e Provimit.

Nuk do të ndodhë më që kutitë do të hapën rrugës dhe të shumëfishohen për kopjim. Kushdo që konstatohet me celularë do të përjashtohet nga provimi" tha Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit. Një risi tjetër në mënyrën e administrimit të testeve të maturës, do të jetë  zhvillimi i provimeve në sallat e mëdha dhe jo në klasa ndërkohë që rifutet në sistemin e korrigjimit edhe vlerësuesi i tretë, për të rritur në këtë mënyrë  korrektësinë me testet.

“Vlerësuesit do të përzgjidhen dhe do të trajnohen me një procedurë tepër strikte, për të mësuar një trup vlerësuesish me mësuesit më të mirë. Ne do t’i japim fund modelit që për të kapur afatet kohore të shtohen në këtë proces mësues të patrajnuar dhe jo të mirë. Do t'i rikthehemi vlerësuesit të tretë që u hoq në vitin 2013 dhe preku sistemin e vlerësimit" tha Nikolla. Sipas saj në maturat e viteve të kaluara janë vënë re një sërë abuzimesh, por për to nuk ka pasur asnjë person të ndëshkuar. Po ashtu është vënë re se rezultati i një provimi ka qenë 4 nota më i lartë se mesatarja vjetore në këtë lëndë.

“Ka shumë raste, kur për shkak të gabimeve të sekretuesve një maturanti i janë komunikuar dy nota të ndryshme, madje dhe me një diferencë shumë të madhe, por penalizim të sekretuesve asnjë. As penalizime e as analiza, e jo bashkëpunim me universitetet për të parë se pse maturantët të dalë me shumë pikë nga matura shtetërore nuk arrijnë të kalojnë në provimin e parë në universitet”, ka theksuar Nikolla. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se gjithçka do të jetë transparente përpara futjes në provim të të rinjve, përsa i përket edhe kufirit të kalueshmërisë.
 
 Maturanti përjashtohet nga provimi kur:
     Ndryshon vendin që i është caktuar.
    Merr, jep informacion apo kopje ose komunikon me maturantë të tjerë.
    Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit.
    Mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimet.
    Refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjatë hyrjes në qendrën e provimit
 
Maturantit nuk i njihet rezultati i provimit:
   Nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuara, si dhe në rastet kur përdor më shumë se sa një ngjyrë në plotësimin e testit.
    Nëse ka hequr ose ka dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin).
    Nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme
    dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.
    Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës KOPOTED-i.
    Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.

Shkrimi u publikua sot (28.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)