TIRANE- Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimin i cili parashikon mënyrën se si do të plotësohet Formulari A1 dhe A1Z për të gjithë maturantët në vend. Sipas këtij udhëzimi, janë një sërë hapash që duhen ndjekur, ku fillimisht mbikëqyrësi hap faqen http/matura.akp.gov.al/site/ dhe më pas po mbikëqyrësi, duhet të plotësojë të dhënat e tij në mënyrë që të hyjë në faqen e tij të punës, ku edhe shfaqet një faqe e cila kërkon të dhënat e maturantëve. Sa i përket këtyre të fundit, ato janë parashikuar të bëhen në dy rrugë, e para nga vazhdimi i aplikimit nga faqja e portalit e-albania dhe e dyta direkt nga portali i maturës shtetërore.

Më pas është mbikëqyrësi ai që bën verifikimin e të dhënave duke verifikuar emrin nga lista e maturantëve. Mbikëqyrësi shkon tek rekordi përkatës i maturantit dhe klikon mbi linkun “modifiko”, më pas shfaqen fushat përkatëse me të dhënat personale të maturantit, që ka plotësuar në portalin e-albania. Pas verifikimit të të dhënave, maturanti së bashku me mbikëqyrësin, zgjedhin nga listat përkatëse në fushat “profili i shkollës” dhe “lënda D3” duke ruajtur më pas të dhënat. “Fusha e profilit të shkollës është tepër e rëndësishme pasi mbi bazën e plotësimit të saj do të gjenerohen për secilin maturant testet e lëndëve me detyrim.

Lënda D3 është gjuha e huaj e detyruar, ndërkohë që edhe adresa e emailit duhet të jetë e saktë pasi aty do të dërgohen kredencialet e maturantit”, thuhet në udhëzim. Pasi plotësohen edhe kontrollohen këto të dhëna, mbikëqyrësi shtyp butonin “ruaj” dhe më pas bëhet verifikimi i lëndëve me zgjedhje, mundësia e ndryshimit edhe një herë e lëndës D3, si dhe plotësimi i pyetjes nëse maturanti do të aplikojë për studime jashtë vendit. Pas kësaj procedure bëhet plotësimi i lëndëve me zgjedhje Z1/Z2. Pasi klikohet butoni “ruaj” shfaqet faqja me të dhënat e plota për print i formularit. Mesazhi “veprimi u krye me sukses” tregon se aplikimi për A1 ka përfunduar me sukses.
 
 Shkrimi u publikua sot (19.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)