Shqipëria feston sot, 5 Majin, që njihet si Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Ashtu si çdo vit, edhe këtë 5 maj, krerët më të lartë të shtetit morën pjesë në ceremoninë e përvitshme në varrezat e Dëshmorëve. Maxhoranca dhe opozita kryen homazhet të ndara për Ditën e Dëshmorëve.

Kurora me lule u vendosën nga kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Zëvendës kryeministri Niko Peleshi, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe përfaqësues të lartë të maxhorancës dhe opozitës.

Ora 10.15 Meta: 5 maji, ditë angazhimi për një Shqipëri më të lirë
" Është një ditë mjaft e rëndësishme për të gjithë vendin tonë, për të gjithë shqiptarët, pasi është dita e mirënjohjes së përjetshme të shqiptarëve ndaj dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare që dhanë jetën për çlirimin e vendit Dhe për një të ardhme më të mirë. Është edhe një ditë angazhimi dhe detyrimi, jo thjesht për të kujtuar veprën e tyre të përjetshme, por edhe për të kontribuar në mënyrë që Shqipëria të jetë një vend më i sigurt, një vend më i begatë, një vend më i lumtur për të gjithë qytetarët e saj." tha Meta pas homazheve.

homazhet

homazhe

Ora 09.30 Basha nderon Dëshmorët e Kombit: Të vendosur për një Shqipëri pa krime dhe korrupsion
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i ndjekur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe zyrtarët e tjerë të opozitës kanë nderuar të parët dëshmorët e atdheut, në ditën përkujtimore të tyre.

"Sot kujtojmë dhe nderojmë sakrificën më të lartë për atdheun, lirinë dhe kombin, në luftrat çlirimtare, për liri dhe pavarësi në shekuj e dekada. Për lirinë e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e tyre në Luginën e Preshevës. Përkulemi me nderim të thellë para atyre që u flijuan edhe për vlera të tjera si demokracia, liria nga tirania e krimit, liria nga terrorizmi. Përkulemii edhe para bijave dhe bijëve që kanë dhënë jetën në uniformat e Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit. E sotmja është ditë reflektimi. Reflektimi i PD para gjakut të dëshmorëve është vendosmëria për të vazhduar deri në fitore për një Shqipëri të lirë, të çliruar nga krimi dhe korrupsioni. Lavdi përjetë Dëshmorëve të kombit," u shpreh kreu i PD-së.