Zevendesministri i Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku
TIRANE, 15 Gusht/ATSH/.- Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku akuzoi sot ish-ministrin e Arsimit, Genc Pollo, si një ndër përgjegjësit kryesorë të mashtrimit të madh shtetëror me diplomat pa vlerë.
Në një deklaratë për mediat, Mazniku e cilësoi Pollon një ndër themeluesit e piramidave mashtruese të arsimit të lartë, ndërsa reagoi ndaj dhunës verbale që e djathta po ndërmerr përditë ndaj Ejona Isufaj, Drejtoreshë e Inspektimit të Ligjshmërisë pranë Inspektoratit Shtetërorë të Arsimit.
"Dhuna e përditshme verbale e z. Pollo dhe e shqupatarëve të tjerë, ka si shtysë shpifjen se Ejona Isufaj ka paraqitur një doktoratë false për të marrë vendin e punës në Ministri. Kjo është po aq e pavërtetë sa ç'është e pavërtetë se zonja Isufaj është kryeinspektorja që gjykon kush universitet hapet e kush mbyllet. Për këtë zonja Isufaj ka bërë edhe padinë përkatëse në gjyq dhe ministri i piramidave në arsim le të shkojë e ta provojë para gjykatësve shpifjen e tij", shprehet Mazniku.
Mazniku e cilësoi z. Pollo si një ndër bashkëpunëtorët në krimin e madh moral që iu bë Shqipërisë me këto piramida mashtruese, ashtu si dhe në dëmin e jashtëzakonshëm financiar që iu shkaktua familjeve të studentëve, në vitet e qeverisjes së PD-së.
"Ne jemi krenarë për reformën historike që kemi ndërmarrë dhe do e çojmë deri në fund pa u ndalur para asnjë vitrine dhe asnjë pasqyre ku shihen e krihen të papenduarit për shkatërrimin që i sollën arsimit. Ne jemi krenarë që po bëjmë realitet zotimet e Aleancës për Shqipërinë Europiane", shprehet Mazniku. /m.m/