Zhvillimi i njëtrajtshëm i territorit mbetet një nga sfidat kryesore me të cilën po përballet sot pushteti vendor në Shqipëri. Në dëgjesën publike të qarkut të Durrësit, bashkëkryetari i Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, u ndal tek arritjet e përfituara nga reforma e vitit 2014, e cila pavarësisht shumë treguesve pozitivë, nuk e ka zgjidhur tërësisht zhvillimin e njëtrajtshëm të territorit.
Sipas tij, reforma e re dhe diskutimi për të duhet të fokusohet sidomos tek balancimi i zhvillimit mes zonave dhe forcimi i kapaciteteve të bashkive për sfidat e reja demografike.
"Një nga sfidat që kemi ka të bëj me zhvillimin e pabarabartë të territorit. Ne kemi sot qytete turistike si Durrësi me një sërë treguesish pozitiv përsa i përket zhvillimit, por kemi edhe zona apo bashki të cilat po zhvillohen më ngadalë, ndaj na duhet një zhvillim i ekuilibruar”, theksoi Mazniku.
Mazniku preku në fjalën e tij hyrëse edhe treguesit e bashkive, ku megjithëse të dhënat tregojnë rritje të cilësisë së shërbimeve dhe ulje të borxheve të bashkive, ende ka një pjesë të njësive vendore që nuk arrijnë të realizojnë me cilësinë e duhur të gjitha funksionet e tyre.
"Të dhënat na tregojnë gjithashtu se shumë prej bashkive nuk ia dalin të ofrojnë me cilësi gati gjysmën e funksioneve. Kjo ka të bëjë me financat, por edhe me territorin", tha ai.
Për Maznikun, antarësimi i Shqipërisë në BE, duhet të shkojë paralelisht me forcimin dhe përgatitjen e bashkive për të përthithur fondet e BE-së dhe përfituar nga programi i kohezionit social dhe programet strukturore.
"Kemi nevojë të përdorim këtë periudhë deri në vitin 2027 për të forcuar bashkitë, në mënyrë që nga 2027–2028 ato të fillojnë të punojnë me linjën e BE-së", tha ai.
Komente










