Në Ishullin e të Pushkatuarve, vendin ku gjatë diktaturës komuniste u ekzekutuan dhjetëra kundërshtarë të regjimit, u zhvillua koncerti memorial “Tingujt e Kujtesës 2026”, një aktivitet artistik i kthyer në homazh për viktimat e komunizmit dhe për kujtesën historike.
Mes peizazhit të heshtur që mbart plagët e së shkuarës, muzika dhe poezia sollën emocione të forta, duke i dhënë zë historive të atyre që u privuan nga liria dhe jeta.
Në një intervistë për mediat, organizatorja e aktivitetit, Luljeta Progni, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe nevojën që brezat e rinj të njohin të vërtetat e së kaluarës përmes dokumentimit, artit dhe kulturës.
“Ky është edicioni i pestë që i kushtohet artistëve dhe shkrimtarëve që kanë vuajtur në diktaturë”, tha Progoni.
Pjesë e koncertit ishin edhe interpretimet e sopranos Klodiana Brahimi dhe bas-baritonit Armando Likaj, të cilët përcollën përmes muzikës mesazhe dhimbjeje, kujtese dhe shprese.
“Tingujt e Kujtesës” riktheu edhe një herë vëmendjen tek një nga vendet më të dhimbshme të historisë sonë, duke dëshmuar se arti mund të shërbejë si urë mes së shkuarës dhe së ardhmes, për të mos lejuar që kujtesa të shuhet.
Komente



