Sipas një njoftimi për shtyp të Presidencës, në fokus të samitit të organizuar me iniciativë të Presidentëve të Kroacisë dhe Sllovenisë, do të jenë çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj terrorizmit, të krizës së migracionit nga vendet në konflikt, si dhe të rivitalizimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Me synim forcimin e dialogut strategjik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në këtë Samit të jashtëzakonshëm do të marrin pjesë si të ftuar të veçantë, Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, si dhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Walter Steinmeier.
Presidenti Nishani në krye të delegacionit shqiptar në këtë samit do të paraqesë këndvështrimin shqiptar për çështjet e mësipërme.