TIRANË- Seanca e kaluar e 1 prillit u shty për shkak se mungoi një nga të pandehurit, polici i burgjeve i cili i dha celularin e tij kryebashkiakut Erjon Veliaj gjatë shoqërimit për në gjykatën e posaçme, e po ashtu nuk u përfaqësua as nga avokati i cili ishte me raport mjekësor.

Këtë të premte, efektivi Fatjon Baçi, i pezulluar nga detyra, u shoqërua me forcë nga policia e burgjeve dhe u soll në Gjykatën e Posaçme për gjyqin në themel, ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 16 të pandehurve, bashkë me 12 shoqëri. Në mungesë të avokatit të tij, ish-gardianit iu caktua avokate kryesisht, Pranvera Doci. Por Maks Haxhia, i cili mbron bashkëshorten e kryebashkiakut, ngriti pikëpyetje për legjitimitetin e procesit, në kushtet kur sipas tij avokatja e caktuar, nuk është njohur me dosjen hetimore. Nga prokurori i çështjes, Ols Dado dhe gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, iu tërhoq vëmendja se ai mbron një të pandehur në proces, dhe nuk ka tagra të tjerë.

Qytetari i parë i Tiranës, ashtu siç lajmëroi me shkrim gjykatën, nuk ishte në seancë, në të cilën pritet të marrë pjesë vetëm pasi të ketë përfunduar së lexuari në paraburgimin e Durrësit, 60 mijë faqet e dosjes ndaj tij, të cilën e mori vetëm më 10 mars pasi GJKKO urdhëroi SPAK t’i krijojë akses për ta studiuar në qeli.

Me dosjen e cila përmban mbi 1 mijë prova, nuk është njohur plotësisht as avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, i cili u shpreh në seancë se ende nuk e ka marrë atë në mënyrë elektronike. Ndreca tha se ka nisur ta lexojë pjesë nga dosja prej 26 marsit duke shkuar fizikisht në gjykatë, dhe ka konstatuar se mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 166. Ai i kërkoi gjykatës 2 javë kohë për tu njohur me dosjen e për të shqyrtuar se çfarë mungon në të, kërkesë e cila u pranua nga gjykata e Posacme.

Avokatët e 3 të pandehurve kërkuan që procesi të ndahet, dhe gjykimi për ta të bëhet jo në gjykatën e Posaçme, por në Gjykatën e Tiranës, me procedurë të përshpejtuar.

Kjo kërkesë u artikulua nga mbrojtja e 2 biznesmenëve të pandehur, Elman Abule, i cili po gjykohet me masë arresti shtëpiak për pastrim parash dhe Mirtion Likaj i akuzuar për fshehje të të ardhurave. Në të njëjtën linjë, ndarje të çështjes, shpalljen e moskompetencës në Gjykatën e Posaçme, shtuar pushimin e akuzës, kërkoi edhe avokati i Klotilda Bushkës, e pandehur për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Henrik Ligori theksoi se përsakohë klientja e tij nuk është më deputete, procesi duhet të nisë në Gjykatën e Tiranës.

Ndërkohë, 4 të tjerët, biznesmeni Fatmir Bektashi i akuzuar për korrupsion aktiv, të pandehurat Frosina Bollo, po për korrupsion dhe Adela Kondakçiu e akuzuar për pastrim parash, kërkuan gjykim të shkurtuar, bashkë me ish-gardianin e burgut të Durrësit, Fatjon Baci.

Prokuroria e Posaçme e cila në mungesë të Altin Dumanit, u përfaqësua vetëm nga Ols Dado, tha se kompetenca e çështjes i takon Gjykatës së Posaçme, pasi është procedim i lidhur.

Për të gjitha kërkesat paraprake të bëra nga të pandehurit, gjykata e posaçme do të shprehet në seancën e ardhshme më 15 prill.

Të pandehurit dhe shoqëritë që kërkojnë gjykim të veçuar
Elman Abule- “Rametal” shpk;
Fatmir Bektashi- Kontakt shpk
Mirton Lika- Lani shpk
Frosina Bollo- OJF “Frobolous”
Adela Kondakçiu
Fatjon Baci

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:29
Ndreca kërkoi 2 javë kohë për t'u njohur me dosjen, Dado: E papranueshme, e ka pasur mundësinë të komunikojë me Veliajn

Prokurori i SPAK, Ols Dado ka kundërshtuar kërkesën e Plarent Ndrecës që t’i jepet dy javë kohë për tu njohur me dosjen. Ndërkohë, Dado u shpreh kundër edhe kërkesës së të pandehurve për veçim të dosjes dhe dërgimin në Gjykatën e Tiranës. Ndërkohë, SPAK është pro kërkesave për gjykim të shkurtuar,

Pjesë nga fjala e Ols Dados

Është e papranueshme kërkesa për dhënie kohë për Plarent Ndrecën pasi i kanë pasur mundesit. Kemi respektuar procesin gjyqësor sipas ligjit. Ai ka pasur mundësi për të folur me klientin e tij.

Për Elman Abulen për kërkesën e shpalljes së moskompetencës lëndore. Por kjo kërkesë duhet të rrëzohet pasi është procedim qe i takon kësaj gjykate që të vijojë procesin e gjykatës. Pra i takon Gjykatës se Posaçme si kompetencë.

-Në lidhje me kërkesën e Merton Likës dhe Lani shpk. Edhe kjo kërkesë është procedim i lidhur dhe duhet të vazhdojë në këtë gjykatë.

-Edhe për Fatmir Bektashin ata nuk kanë kërkesë për moskompetencë.

-Për Klotilda Bushkën, duhet të rrëzohet kërkesa. Procedimi duhet të vijojë nga kjo gjykatë pasi është procedim i lidhur.

Ols Dado: Për gjykimin e shkurtuar duhet të pranohet dhe ndarja e çështjeve duhet të bëhet nëse pranojnë gjykim të shkurtuar. Jemi dakord për ndarjen e çështjeve për shkak të kërkesave për gjykim të shkurtuar.

Ora 09:49
Dosja ‘Veliaj’/ Biznesmenët Abule, Bektashi, Likaj dhe ish-deputetja Bushka kërkojnë gjykim të veçuar

1773045144_elmanabule.jpg

Mbrojtja e biznesmenit Elman Abule ka kërkuar gjykimin veçman nga dosja e Velijat. Në GJKKO avokatja Romina Zano thotë se  veprat penale për të cilat akuzohet Abule, nuk janë kompetencë e GJKKO. Gjithashtu ajo ka kërkuar dhe gjykim të shkurtuar.

Romina Zano: Kemi kërkuar ndarje të çështjes dhe gjykim të shkurtuar për klientin tim, Elman Abule. Arsyeja pse kërkojmë ndarjen lidhet me shkaqet procedurale. Ndodhemi në fazë shqyrtimi gjyqësor dhe vlerësojmë se mbajtja e procedimit të përbashkët do të cënonte qartësinë e procesit për klientin tim. Vepra penale për të cilën akuzohet Elman Abule lidhet me një gjykatë të një juridiksioni tjetër dhe jo të Gjykatës së Posaçme. Pra, ndryshe, kompetenca lëndore duhet të kalojë në një gjykatë tjetër. Faktet për Elman Abulen janë të pavarura nga të pandehurit e tjerë.

Shpalljen e moskompetencës së GJKKO-së ka kërkuar dhe mbrojtja e Klotilda Bushkës, pasi ajo nuk është më deputete. Avokati Henrik Ligori ka kërkuar dhe pushimin e çështjes.

Avokati Henrik Ligori i Klotilda Bushka: Kemi kundërshtuar akuzën. Kemi kërkuar pushimin e akuzës për klienten time. Ka dy probleme. Kërkesa e dytë: kërkojmë ndarjen e çështjes dhe deklarimin e moskompetencës për këtë çështje, si dhe kalimin e çështjes në Gjykatën e Tiranës. Klotilda Bushka nuk është më deputete dhe gjykatës i mungon kompetenca.

E njëjta kërkesë, për shpalljen e moskompetencës për gjykim nga GJKKO ka ardhur dhe nga avokati i biznesmenit Mirton Likaj – shoqëria Lani sh.p.k, dhe biznesmeni Fatmir Bektashi.

Ora 09:40
Gardianit Baci i caktohet avokat kryesisht, debate në GJKKO! Ndreca: Në dosje mungojnë 24 fashikuj, procesi rrezikon të bjerë ndesh me konventën europiane

1775031567_ndreca.jpg

Me debate është zhvilluar seanca gjyqësore për dosjen Veliaj. Gardianit Fation Baci, iu caktua avokat kryesisht Pranvera Doci, pasi avokati i tij mungoi në seancën e 1 prillit. Ky moment krujoi debate në gjyq, ndërsa avokati Maks Haxhia, i cili në këtë proces mbron Ajola Xoxën, tha se procesi po bëhet qesharak. Ai shtoi se avokatja ligjore Pranvera Doci nuk është e njohur me dosjen hetimore.

Maks Haxhia: Jam legjitimuar te ndjek ligjin. Avokatët që keni caktuar kryesisht është njohur me dosjen hetimore apo jo ? Pra përfaqësuesja ligjore Pranvera Doci e caktuar kryesisht për Fatjon Barcin. Duam të bëjmë proces jo sa për te pasur një avokat. Të lutem prokuror të mbaroj une. Sepse po bëhet qesharak procesi.

Ols Dado i drejtohet Maks Haxhisë:  Nuk je kryetar i dhomës zotëri je avokat i të pandehurit. Ti urdhëron këtu të flas apo nuk flas unë?

Engjëllushe Tahiri: Si ju ashtu edhe Maks Haxhia mbroni të pandehur në proces. Ju mund të keni tagra të tjera, por këtu jeni vetëm mbrojtës ligjor.

Ndërkohë, avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca tha se ende nuk i është vënë në dispozicion në mënyrë elektronike e gjithë dosja prej 60 mijë faqesh dhe se ende paraqitet në Gjykatë për ta lexuar. Sipas tij mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 166 (pra 24 fashikuj) dhe shtoi se rrezikon që ky proces të bjerë ndesh me Konventën Evropiane.

Plarent Ndreca: Jeni ju ata që vendosni. Të gjithë çka janë këtu janë për shkak të gjyqit të Erion Veliaj. Dhe cilësitë e një avokati nuk mund të ndalen nëse shikohet një problematikë. Ju kam kërkuar orare se kur unë të vij në gjykatë dhe të konsultohem me dosjen. Më 26/03 kam filluar studimin e dosjes dhe më është thënë se do të vijnë elektronike. Unë kam qenë fizikisht në gjykatë për të fituar kohë dhe për të lexuar 60 mijë faqe dhe 1 mijë e më shumë prova. Mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 166. Dua të shqyrtoj se çfarë mungon nga kjo dosje. Rrezikon që ky proces të bjerë ndesh me Konventën Evropiane.