Skiatori shqiptar Deni Xhepa, njëri prej 4 sportistëve që mbajti flamurin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore në Itali, ka folur për Report TV, lidhur me eksperiecën e kaluar.

Gjatë fjalës së tij në një lidhje për emisionin ‘Studio Live‘ me gazetarin Ermal Peçi, ai falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë olimpiadës.

Po ashtu Xhepa tha se Federata po bënte një punë shumë të mirë me këtë sport. Për të ardhmen Xhepa nuk premtoi gjë, pasi sipas tij, ky sport është i paparashikueshëm.

Teksa foli për disa vështirësi të hasura gjatë olimpiadës, Xhepa tha se përgatitjet për Lojërat Olimpike Dimërore kishin nisur që në shtator të vitit të kaluar.

“Kemi dhënë 100 %. Në sport nuk është e thjeshtë. Domethënë kemi parë që disa seksione ishin mirë. Por fati i keq, moti, bora, kemi bërë disa gabime. Në këtë sport asnjëherë nuk i dihet. Ke vetëm një minutë për të bërë zbritjen më të mirë që mund të bësh në jetë. Sepse olimpiada është njëherë në 4 vite. Jemi duke punuar, duke mbajtur një konstate të mirë. Pregatitja fillon që në shtator, fillon shumë herët. Je në 3 mijë metra mbi nivelin e detit, sepse nuk ka borë në shtator. Duhet të bësh shumë pasazh… Dua të falenderoj të gjithë njerëzit që më kanë shkruar për të ndihmuar. Shumë njerëz më kanë shkruar nga Shqipëria. Federata me këtë sport duket se është duke bërë një punë shumë të madhe”, tha mes të tjerash Xhepa.

Denni Xhepa, Lara Colturi, Semire Dauti dhe Lisa Brunga përfaqësuan Shqipërinë në Olimpiadën Dimërore. Lara u rendit e 16-ta në Slalomin Gjigant dhe e 10-ta në disiplinën e Slalomit në skitë alpine. Denni Xhepa u rendit në pozitën e 34-t në Super-G dhe po në atë pozicion në Slalomin Gjigant. Semire Dauti dhe Lisa Brunga u mjaftuan me pjesëmarrjen.

Kosova u përfaqësua nga Kiana Kryeziu, që garoi në tri disiplina të skijimit alpin dhe Drin Kokaj në një disiplinë, por të dy dolën nga gara të eliminuar.