Një kontigjent prej 40 muxhahedinësh iranianë, mbërritën mbrëmë në aeroportin e Rinasit me një avion çarter.

Mes personave që kanë mbërritur sipas agjencisë iraniane të lajmeve, është edhe Massaoud Rajavi.

Ai konsiderohet si një prej drejtuesve të grupimit MKO, që Irani e cilëson si organizatë terroriste, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë hequr ata nga lista e terrorizmit.

Irani e cilëson organizatën si përgjegjëse për kryerjen e krimeve të ndryshme të rënda, gjatë, para apo pas revolucionit të Republikës Islamike.

Muxhahedinët e mbërritur të mërkurën, janë pjesë e një kontigjenti prej 2000 personash që do të strehohen në vendin tonë në kuadër të një marrëveshjeje me SHBA-në dhe me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për refugjatët.

Vetëm javën e parë të muajit gusht në Shqipëri mbërritën 1200 persona nga ky kontigjent.

Mbërritja e plotë e grupit të mësipërm të përfaqësuesve të opozitës iraniane, pritet të mbyllet në muajin shtator të këtij viti.


Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com