Mbështetja e grave, domosdoshmëri për të rritur cilësinë e zhvillimeve ekonomike

/ATSH/- Në Budva u mbajt takimi i parë bilateral midis Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësinë të Parlamentit shqiptar dhe Komisionit për Barazinë Gjinore në Parlamentin e Malit të Zi.
Fokusi i këtij takimi ishte pjesëmarrja e gruas në sipërmarrje dhe u bë i mundur nga mbështetja e OSBE-së, misioneve në Shqipëri dhe Malit të Zi.
Ndërkohë që fuqizimi i rolit të grave në vendimarrje, fushën ekonomike dhe sociale si dhe barazia gjinore, janë dhe prioritet të mbështetjes që OSBE, i ofron vendit tonë. Në takimin "Sipërmarrjet e grave- drejt forumit parlamentar të Cetinjës", pala shqiptare përfaqësohej nga Kryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi, si dhe deputetë të këtij komisioni.
Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë Vokshi, në fillim të fjalës së saj, theksoi se ky është vetëm fillimi, një hap i parë, ku besoj se do pasohet me një takim në Tiranë, duke i dhënë gjithë mbështetjen e duhur grave biznesmene. Më pas Vokshi bëri një prezantim të shkurtër sipërmarrjes së grave në Shqipëri, "Po të shohim gjendjen e performancës së grave në tregun e punës, treguesit janë shqetësues. Gratë paraqesin një shkallë më të lartë dhe më afatgjatë papunësie dhe një pjesëmarrje të vogël në tregun e punës (60% e grave), ndërsa përfshirja e tyre në aktivitete me vetë- punësim është më e ulët , krahasuar me burrat në Shqipëri.
Një tipar tjetër është përqendrimi i grave në sektorë me prodhimtari të ulët dhe shkallë të lartë informaliteti, të tilla si bujqësi dhe prodhim. Po ashtu, gratë janë më pak të përfshira në industri dhe në sektorët e shërbimeve, krahasuar me burrat".
Në prezantimin e saj, Vokshi bëri të ditur gjithashtu se mbështetja nuk duhet parë si raport gjinor, nuk duhet parë si përqindje midis grave dhe burrave, por si domosdoshmëri për të rritur cilësinë e zhvillimeve ekonomike e sociale në vend. "Ka shumë studime dhe eksperienca pozitive që vërtetojnë se në ato vende ku është rritur dhe përmirësuar angazhimi, punësimi dhe promovimi i grave në biznes, - por jo vetëm në biznes- janë arritur rezultate pozitive në ritmet dhe cilësinë e rritjes ekonomike dhe janë zbutur sfidat sociale. strategjia e mbështetjes së tyre duhet të jetë pjesë e strategjisë kombëtare të zhvillimit të integruar të vendit. Kjo fillon që me draft strategjitë deri në monitorimin e tyre", tha Vokshi. Ajo shtoi se hartimi i politikave bazuar ne evidenca është një nga kushtet bazë për të patur politika të efektshme në rritjen e mirëqenies së popullsisë. Në mbyllje, u ra dakort që ky takim të pasohet nga takime të tjera dypalëshe, dhe ai I radhës të mbahet në Shqipëri në fund të këtij viti.
Delegacioni shqiptar merr pjesë në Forumin e XVII -të, Parlamentar të Cetinjës, 'Gratë në Biznes"
Në kuadër të forumit të XVII-të Parlamentar të Cetinjës "Gratë në biznes", që u zhvillua në Cetinje, dy anëtart e komisionit të Shëndetësisë Mimoza Hafizi dhe Silva Caka diskutuan në emër të parlamentit shqiptar. Pati diskutime nga përfaqësues nga Serbia, Bosnje-Hercegovina Mali i Zi dhe Kroacia.
Një vit pas forumit me këtë temë, u arrit ne konkluzion, se gratë nuk janë të barabarta më burrat në biznes dhe se duhet t'u jepet një mbështetje në të gjitha sferat. Nënkryetarja e Aleancës së Grave, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Mimoza Hafizi ndau me të pranishmit një panoramë të përgjithshme të arritjeve të Aleancës si një formë e veçantë unike për bashkëpunimin ndër-partiak mes parlamentareve të Shqipërisë dhe që u kurorëzua edhe me miratimin e nismës së fundit të tyre për ndryshime ne Kodin Zgjedhor për mundësinë e përfaqësimit të barabartë gjinor në këshillat bashkiake për zgjedhjet vendore. Kjo eksperiencë e ndarë me koleget e rajonit u mirëprit dhe u vlerësuar si një risi dhe shëmbull pozitiv i Shqipërisë për tu ndjekur edhe nga vendet e rajonit.
Krijimi i kësaj Aleance është bërë i mundur vetëm një vit më parë, ku vlen të përmend se arritja më e madhe gjatë kësaj kohe, ishte kalimi i ligjit, ku 50 përqind e grave në këshilla bashkiake të jenë femra. Ndërkohë gjatë kësaj kohe, janë ndërmarrë disa inciativa individuale, si dhë është krijuar rrjeti i grave të biznesit në Shkodër-Durrës dhe Fier, nën mbështetjen e grave deputete.
Deputetja Silva Caka, Sekretare e Aleancës së Grave Deputete, në prezantimin e saj theksoi se Plani i Veprimit 2014-2020 vjen si dokument politikash në vazhden e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2014-2020. Qëllimi i përgjithshëm i tij, është dhe krijimi i një mjedisi fuqizues, i cili nxit një numër të madh grash, të krijojnë dhe zhvillojnë bizneset e tyre dhe t'i sjellin ato në vemendje të politikbërësve lokalë dhe qëndrorë, si dhe donatorëve. Më pas Caka, shtoi se qëllimet konkrete të këtij Plan Veprimit janë që numri i ndërrmarrjeve aktive të drejtuara nga gratë të rritet deri në 30 %, shkalla e lëvrimeve të kredive për gratë sipërmarrëse të arrijë deri në 45 % dhe numri I grave të vetëpunësuara të rritet deri në 35 %. Ky plan veprimi sipas znj. Caka do të mëbshtet në katër shtylla kryesore: në kuadrin mbështetës të politikave, edukimin dhe trajnimin, mundësinë për të siguruar financimin dhe aftësi konkurruese si dhe rrjetëzimi. Forumi i vazhdoi punimet dhe pasdite, ku te ftuar ishin kryetarët e bashkive të Podgoricës, Sarajevës, Cetinjës, Kolashinit Gusinjës, ku secili prej tyre prezantoi eksperiencën e bashkisë që përfaqësonte.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Vrasja e Eduart Reçit, del në gjykatë polici i komisariatit nr 2 dhe i vëllai