DURRËS - Më shumë se një vit pasi Prokuroria e Durrësit sekuestroi 2800 tonë mbetje të rrezikshme të kompanisë ‘Kurum’, organi i akuzës ka lëshuar 33 urdhërarreste, pasi hetimet zbuluan shkelje të legjislacionit mjedisor nga Kurum, kompania “Sokolaj” që bleu mbetjet, por edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit. Operacioni për ekzekutimin e masave është shtrirë në 3 qytete, Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe bëhet fjalë për 26 masa arrest me burg dhe 7 arrest në shtëpi, por ende nuk ka informacion se sa prej tyre janë ekzekutuar.
Prokuroria e Durrësit e ka regjistruar procedimin penal për disa akuza, nga "Kondrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” të pastrimi i “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale” që rëndojnë kryesisht ndaj administratorëve të kompanive të përfshira në këtë rrjet, deri te “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” apo “shpërdorimi i detyrës” për zyrtarët e Doganës dhe Agjecisë Kombëtare të Mjedisit.
Nga analizat e kryera në Itali, rezultoi se mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike dhe me përmbajtje të lartë metalesh të ndryshme, të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Elementët përbërës konsiderohen të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Referuar analizave, në dosjen hetimore përshkruhet rreziki i toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore.
7 MASA VETËM TE KURUM, ARREST DHE PËR ADMINISTRATORËT TURQ
7 masa te Kurum. Dy administratorë të KURUM, kompanisë turke për prodhimin e hekur-çeliqeve që vepron në Elbasan që prej vitit 2009, janë në masë arresti me burg, Erdal Demir, turku i Kurum International dhe Yusus Sezai, administratori me prokurorë i kompanisë.
Po tek KURUM, prokurorja e Durrësit Suela Beluli, firmosi arrest në burg edhe për 5 të tjerë, përfshirë drejtorin e transportit, atë të prodhimit të çelikut, dhe të departamentit të shitjeve.
KURUM E SOKOLAJ ‘FSHEHËN’ RREZIKUN ME FATURA ‘OKSID HEKURI’
Burg edhe për pronaren e kompanisë “Sokolaj”, Gjovana Sokolaj, dhe ish administratoren Olizana Pemati. Kompania, më 1 gusht 2023, kishte blerë mbetjet nga Kurum për t’i eksportuar me përshkrimin “oksid hekuri”, eksporti i të cilës është i lejuar pasi nuk konsiderohet i rrezikshëm. Sipas dosjes hetimore të cilën Report Tv e siguron, shoqëria Kurum dhe kompania Sokolaj, në fakt ishin në dijeni të plotë të mbetjeve të rrezikshme dhe kanë falsifikuar faturat e shitjes duke i fshehur. Arrest shtëpie, dhe për kontabilisten e “Sokolaj”.
Përveç transaksionit të kryer me kompaninë Sokolaj, Prokuroria e Durrësit e akuzon Kurum edhe për shkelje të tjera mjedisore, të cilat lidhen me transferimin e një sasie të madhe mbetjesh të rrezikshme drejt kompanisë “Alliance Resource”, e cila sipas akuzës nuk ka kushtet për trajtimin e tyre, si dhe përpunimin e skorjeve përmes kompanisë Bajrami N, që sipas prokurorisë nuk ka leje për trajtimin e tyre. Gjykata caktoi arrest me burg për aksioneren e “Alliance Resource” Mbarime Koroci, si dhe pronarin dhe administratorin e kompanisë “Bajrami N”, Nazif Bajrami dhe Andon Prifti.
Mashtrimet dhe falsifikimet e dokumentave nga Kurum dhe shoqëria Sokolaj, u lehtësuan dhe nga zyrtarët e institucioneve shtetërore që duhet të kishin qenë një filtër parandalues, por që në të vërtetë, rezultuan si ingranazhe mbështetëse. Në doganën e Durrësit faturat doganore kalojnë nëpr duart e agjentëve privat dhe atyre shtetëror, duke ndryshuar percaktimet teknike të cilat transformohen nga oksid hekuri, në oksid hekuri (Zn) e përfundojnë në koncentrat zinku.
MBETJET/ ARRESTE TEK AGJENCIA E MJEDISIT, S’MONITORUAN LEJET
Tek Agjencia Kombëtare e Mjedisit, janë lëshuar 7 masa sigurie. Ish drejtoresha e Agjencisë Arta Dollani, në arrest shtëpie bashkë me drejtuesen aktuale, Marjeta Përlala. Të tjerët, punonjës nga sektori i lejeve mjedisore, monitorimi i tyre, dhe nga drejtoria e inspektimit.
5 doganierë të Durrësit gjithashtu me masa sigurisë bashkë me aksionerin e agjencisë doganore “Joti Spedition” dhe 2 inspektorë të autoritetit portual.
Me përgjegjësi, hetimi gjen edhe kompaninë gjermane koncesionare të terminalit lindor në portin e Durrësit EMS APO ku u depozituan mbetjet, për shkak se kompania nuk ishte pajisur me leje mjedisore për pranimin e tyre dhe as ka raportuar për to. Ndaj masa sigurie ka edhe për 2 administratorët e kompanisë, njëri shqiptar e tjetri gjerman, si dhe një punonjës.
Kompania EMS APO sipas organit të akuzës i ka dhënë kompanisë Sokolaj hapësirë për depozitimin e mbetjeve në portin e Durrësit, përmes disa kontratave të qirasë të lidhura me kompaninë GS Minerals d.o.o, me seli në Kroaci, e kontrolluar gjithashtu nga familja Sokolaj. Ndaj arrest me burg u caktua edhe për Doni Sokolaj, administratorin e kësaj kompanie.
Ishte organizata mjedisore ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ që ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. Për këtë rast, në hetime u përfshi dhe zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel.
Prokuroria e Durrësit thotë se ka zbuluar shkelje të ligjit dhe shpërdorim detyre nga drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe inspektorë të saj pasi nuk ka ushtruar kontrolle sipas ligjit dhe për pasojë ka lejuar kalimin e mbetjeve të rrezikshme të KURUM nga porti i Durrësit.
Nga hetimi ka rezultuar se AKM nuk ka kryer inspektime në përputhje me ligjin pranë shoqërive “Kurum International”, Alliance Resorce, “Sokolaj” dhe ESM APO, duke i hapur rrugën grumbullimit, transportimit dhe kontrabandimit të mbetjeve të rrezikshme të kodit 10 02 07.
Në dosjen e siguruar nga Report Tv thuhet se AKM nuk ka kryer inspektime periodike tematike, por vetëm inspektime vjetore të përgjithshme, në të cilat gjithashtu evidentohen shkelje mbi rezultatet e inspektimit. Sipas Prokurorisë, AKM është gjithashtu përgjegjëse se nuk ka monitoruar cilësinë e vetëmonitorimeve të kompanive private, të cilat i kanë kryer ato fiktivisht dhe në shkelje të detyrimeve të diktuara nga ligji.
Nga ana tjetër, sipas prokurorisë së Durrësit nga dokumentacioni rezulton se AKM ka kryer inspektim në kompaninë Sokolaj për veprimtarinë e saj lidhur me mbetjet e blera nga Kurunm SHA, ku rezulton se inspektimi është kryer në datën 29 gusht 2024, menjëherë pasi është dhënë njoftimi ne media për shkeljet e konstatuara
Sipas prokurorisë bazuar në proceverbali e datës 29.08.2024 AKM ka evidentuar shkelje dhe e ka gjobitur.
Një tjetër hallkë problematike thuhet në dosje është Drejtoria Doganore e Durrësit, e cila sipas Prokurorisë i ka trajtuar praktikat në kundërshtim me ligjin, duke lejuar eksportimin e mbetjeve të rrezikshme.

Përveç transaksionit të kryer me kompaninë Sokolaj, Prokuroria e Durrësit e akuzon kompaninë Kurum edhe për shkelje të tjera mjedisore, të cilat lidhen me transferimin e një sasie të madhe mbetjesh të rrezikshme drejt kompanisë “Alliance Resource”.
Kürüm International sh.a. ka lidhur tre kontrata për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme me Alliance Resource sh.p.k, në vitin 2021 për 2 780 ton mbetje të rrezikshme kundrejt çmimit prej 54 USD /ton me TVSH. Po ashtu janë lidhur kontrata në 2023 për 8 611 ton mbetje të rrezikshme dhe 2024 në 2024 për 2 000 ton mbetje të rrezikshme. Por, sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetarja Keti Banushi, ekziston mospërputhje serioze sasish mes regjistrave zyrtarë dhe tabelave operative (995 ton diferencë për vitin 2024), që ngre dyshime për deklarim jo të saktë të mbetjeve.
Në dosje thuhet se Kurum ka deklaruar në regjistrat zyrtarë se i ka dorëzuar Alliance Resource mbetje të rrezikshme. Por, Alliance Resource ka raportuar se ka marrë nga Kurum mbetje jo të rrezikshme, duke i klasifikuar si produkt "oksid zinku". Gjatë inspektimeve të vitit 2024, janë konstatuar fizikisht mbetje e rrezikshme, çka për hetuesit ka ngritur dyshimet se falsifikimi i klasifikimit të mbetjeve është bërë qëllimisht.
“Shoqëria "Kurum International sh.a" sh.a në deklarimet e saj në Regjistrat e transfertave Individuale të mbetjeve deklaron se dërgon te shoqëria "Alliance Resource" sh.p.k, mbetje të rrezikshme me kodin 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca te rrezikshme), ndërkohë që shoqëria "Alliance Resource" sh.p.k nga ana tjetër deklaron se ka tërhequr nga "Kurum International sh.a” sh.a, mbetje jo të rrezikshme me kodin: 10 02 08 (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve), të tjera nga ato të përmendura në 10 02 07, edhe pse mbetjet me kod 10 02 07* janë evidentuar edhe gjatë inspektimit në vitin 2024”, thuhet në dosjen hetimore.
Nga dokumentacioni rezulton se Kurum ka deklaruar për vitin 2023 dorëzimin e 8 611 tonëve mbetje të rrezikshme te Alliance Resource, si dhe për vitin 2024 një tjetër sasi prej 2 000 tonësh. Ndërkohë, për të njëjtat periudha, Alliance Resource ka raportuar pranë institucioneve mjedisore se nuk ka pasur aktivitet, ose se ka qenë në fazë “remonti”.
“Nga analiza e kontratave, dokumentacionit financiar, regjistrave mjedisorë dhe deklarimeve doganore rezulton se shoqëria "Alliance Resource" sh.p.k ka marrë nga "Kurum International" Sh.a mbetje të rrezikshme me kod 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve që përmbajnë substanca të rrezikshme), të cilat, në kundërshtim me objektin e kontratave dhe detyrimet ligjore, nuk janë trajtuar si mbetje, por janë faturuar, magazinuar dhe tregtuar si produkt "oksid zinku", duke u eksportuar në tregje të huaja”, thuhet në dosje.
Në këto kushte, rezulton se mbetjet e rrezikshme janë maskuar si lëndë e parë/produkt, janë futur në qarkullim tregtar dhe janë eksportuar, pa u trajtuar sipas kërkesave të legjislacionit mjedisor në fuqi.
Kontrolle të kryera nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit kanë konstatuar se Alliance Resource nuk ka vënë në dispozicion dokumentet e transferimit për mbetje jo të rrezikshme të gjeneruara nga procesi teknologjik që disponon. Po ashtu, subjekti nuk paraqiti dokumentet e dorëzimit të mbetjeve të rrezikshme të marra nga subjekti Kurum International sha.
Agjencia ka evidentuar gjithashtu mungesë provash për kapacitete teknike reale, përfshirë menaxhimin e skorieve, trajtimin e ujërave teknologjike dhe lejet përkatëse për shkarkimet.
Përveç faktit që nuk ka disponuar dokumentacionin, sasia e mbetjeve është gjendur në stok, ndërkohë që subjekti marrës i mbetjes së rrezikshme ka detyrën e trajtimit të tyre dhe jo të magazinojë sasi të mëdha mbetjesh duke i lënë të patrajtuara duke shtuar efektet e rrezikut të lëshimit të gazrave toksikë në mjedis e në ajër.
Po kështu, Alliance nuk ka paraqitur dokumentacion provues se çfarë ka ndodhur me këto mbetje, si janë trajtuar, nëse janë tranportuar a shitur tek të tretë, apo janë eksportuar, duke shtuar dyshimet se shoqëria Kurum në bashkëpunim me shoqërinë Alliance shpk ka shkelur legjislacionin për menaxhimin e mbetjeve duke i transferuar mbetjet tek të tretët në sasi shumë të mëdha, me kosto të ulët për të shmangur kostot e asgjësimit. Po kështu, Kurum nuk ka ndjekur në vijmësi (mbikëqyrë) si prodhuesi i mbetjeve deri në procesin fundor se ku kanë përfunduar këto mbetje e si janë trajtuar.
Krahas mospërputhjeve të të dhënave që Kurum raporton si përsa i përket sasisve dhe kodit të mbetjeve, Kurum ka shitur mbetje të rrezikshme tek shoqëria "Alliance Resource" sh.p.k. e cila nuk disponon kushtet e nevojshme për trajtimin e këtyre mbetjeve. Po kështu, sasitë e shitura nga Kurum janë mbetje të rrezikshme në sasi shumë të mëdha, për të cilat Alliance nuk ka kapacitet ti menaxhojë.
2800 tonët e mbetjeve të rrezikshme të Kurumit, të cilat u rikthyen në Shqipëri pas një alarmi ndërkombëtar, rezultojnë të mos jenë të vetmet ngarkesa të detinuara për jashtë. Në të paktën tre raste të tjera, një total prej gati 1300 tonësh të tjerë, është arritur të dalë jashtë vendit nga shoqëria Sokolaj, e Gjovana Sokolajt. Hetimi ka zbuluar se përmes kompanisë tjetër kroate GS Minerals d.o.0, të kontrolluar po nga Gjovana, janë firmosur me EMS Albanian Port Operator, 4 kontrata qiraje për depozitim të oksidit të zinkut në terminalin Lindor të Portit të Durrësit e që shtrihen në periudhën shtator 2022 deri në shtator të 2024.
Po ashtu, të dhënat hetimore zbulojnë se në kërkesat e refuzuara për autorizim eksporti, kompania Sokolaj, flet për marrëveshje për tërheqjen nga kombinati metalurgjik të të paktën 25 mijë tonë mbetje me kod 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme), te cilat deklarohen se në vitin 2023 gjendeshin stok.
Ndërsa është vërtetuar dhe nga faturat doganore se eksportet nga Sokolaj arrijnë të paktën 4100 ton, mbetet e paqartë se çfarë është bërë me pjesën tjetër të malit të mbetjeve të Kurumit.
Historia e kompanisë Sokolaj dhe lidhjet me Kurumin
Kompania Sokolaj që në lindje të saj, në vitin 2006, ka një emër që shfaqet gjatë gjithë kohës herë si ortake e herë si pronare, herë si administrator, atë të Gjovana Sokolajt. Përveç saj, emri i dytë është ai i Oliziana Pematit, e cila hyn e del në librat e kompanisë si administrator e saj. Partneri i Gjovanës, Doni Sokolaj është fillimisht ortak me 50 përqind, pastaj ia shet kuotat një shtetasi turk, Serdar Can Hakliol, i cili i mban ato për më pak se një vit nga 29 prill 2013 deri në shkurt 2014, kur ja shet Gjovanës. Një vit më pas ka një tjeër lëvizje, ku Doni blen 49.5 përqind të aksioneve dhe pas dy muajsh ia rishet ato sërish partneres së tij.
Gjatë viteve kompania ka zgjeruar objektin e veprimtarisë së saj nga grumbullim e deri eksport mbetjesh industrial e jo të rrezikshme deri në grumbullim, transportim i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, si dhe duke regjistruar adresën, në qytete të ndryshme të vendit, Durrës, Shkodër, Elbasan.
Shoqëria “Sokolaj" sh.p.k. është pajisur me 2 leje nga Ministria e Mjedisit për: i) transport të mbetjeve të rrezikshme ii) eksport të mbetjeve jo të rrezikshme, por ajo nuk rezulton të ketë patur autorizim për eksportim të mbetjeve të rrezikshme dhe as nuk i është aprovuar një kërkesë e tillë për periudhën 2022-2024.
Sipas dosjes hetimore “shoqëria Sokolaj ka blerë nga Kurum artikullin Oksid Zinku, pa pasur leje të veçantë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, ndërkohë që për transportimin e këtyre mbetjeve të cilat klasifikohen me kodin 10 07 02* kërkohet autorizim i posaçëm për eksportin e mbetjeve”.
Ndonëse kërkesat për autorizim për eksport të mbetjeve të rrezikshme nuk i janë miratuar asnjëherë, shoqëria ka vijuar veprimtarinë e saj në kundërshtim me ligjet.
Në rastin e eksportit të mbetjeve të Kurum-it “rezulton se shtetasja Gjovana Sokolaj në agjencinë doganore ka deklaruar produktin si "oksid hekuri"ashtu si edhe është përcaktuar në kontratën me shoqërinë Kurum, ndërkohë që fatura e deklaruar në tatime është oksid zinku dhe në faturën e shitjes bërë shoqërisë GS Minerals d.o.0 me seli në Kroaci, i ka shtuar si element në kllapa kodin ZN pra “Okside hekuri (ZN)”.
Në rastin e dy kërkesave për autorizime eksporti, zbulohen dhe sasitë e mëdha të mbetjeve të rrezikshme të prodhuara nga Kurum e të marra përsipër për eksport nga shoqëria Sokolaj. Në vitin 2022 Sokolaj shprehet se bazuar në kontratën me gjeneruesin e mbetjeve Kurum International sh.a. angazhohet ti blejë mbetjet me kod 10 02 07*, me sasi vjetore 25.000 ton në vit, me vend origjine Kurum, Elbasan, dhe t’i transportojë përmes portit të Durrësit drejt Tajlandës.
Ndërsa në vitin 2023 angazhohet t'i blejë shoqërisë Kurum mbetjet me kod 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme). Sasia vjetore e këtyre mbetjeve është 25000 ton/vit për vitin e parë pasi ka stok sasie. Sasia totale parashikohet 50.000 ton deri në 21.12.2029”.
Sipas dosjes hetimore “shoqëria Sokolaj dhe Kurum kanë pasur marrëdhënie bashkëpunimi të vazhdueshme për të eksportuar pikërisht këtë lloj mbetje të rrezikshme me kod me kod 10 02 07*. Mosdhënia e autorizimit nga Ministria e Mjedisit për të eksportuar këtë lloj mbetje, ka bërë që shoqëria Sokolaj dhe Kurum ta eksportojnë këtë mbetje në kundërshtm me ligjin, pa autorizimin përkatës duke fshehur natyrën e vërtetë të mbetjes në aktet shkresore, pavarësisht se nëpërmjet pasaktësive dhe mospërputhjeve mes tyre, konkludohet në mënyrë të arsyeshme se objekti i shitblerjes kanë qenë pikërisht mbetjet me kod 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme).

Në kushtet e dyshime mbi sasinë që do të eksportohej nga subjekti Sokolaj se përmban mbetje të rrezikshme, u urdhërua nga Prokuroria e Durrësit kryerja a analizave. Në total janë marrë 11 mostra nga 102 kontejnerët e ngarkuar në anijen Moliva me 2800 ton mbetje, 1 nga shoqëria Kurum International, 2 nga shoqëria Sokolaj sh.p.k, 1 nga shoqëria Alliance sh.p.k, sqarohet në dosjen e siguruar nga gazetarja e Report Tv Keti Banushi.
Mallrat ishin regjistruar me përshkrimin “Oksid Hekuri” ndërsa si ndërmjetës për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Azisë ishte kompania GS Minerald D.o.o me bazë në Kroaci dhe me administrator Gjoni Sokolaj. Kjo kompani ishte produkt i shoqërisë Sokolaj Sh.p.k me drejtoreshë Gjovana Sokolaj. Nga analizat e kryera në Itali në loboratorin “Advanced Analytical Services”, ka rezultuar se mostrat kishin përmbajtje të lartë hekuri, zinku, bakri, plumbi, squfuri e të tjera. Mostrat e marra nga kontejnerët kanë rezultuar të njëjtat që janë marrë tek shoqëria Kurum.
Pjesë nga dosja hetimore:
Në deklaratat “oksid zinku”, është korrigjuar nga korum është bërë oksid hekurit duke ju referuar konkluzioneve të aktit të ekspertimit kimik-mjedisor, në fakt materiali që Kurum ka shitur tek shoqëria Sokolaj nuk rezulton as oksid hekuri dhe as oksid zinku, ashtu sikurse subjektete janë përpjekur nëpërmjet fletëve të analizave që kanë paraqitur, por një përbërje kimike karakterizuar nga përmbajtje të larta të zinkut (Zn) dhe hekurit (Fe), me prani të plumbit (Pb) dhe bakrit (Cu) në nivele tipike për pluhurin e furrës elektrike të çelikut (EAF dust), e cila mbi bazën e origjinës teknologjike të mbetjes dhe identifikimit të vetive të rrezikut sipas Annex III te Direktivës 2008/98/EC, me shumë gjasa kodi 10 02 07* përfaqëson klasifikimin e saktë teknikisht dhe ligjërisht të materialit të analizuar.
Nga analizimi i akteve të administruara në funksion të këtij procedimi penal dhe rezultateve të ekspertimit, rezulton se subjektet Sokolaj sh.p.k. dhe Kurum International sh.a., në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve të rrezikshme, të cilat kualifikohen sipas kodit 10 02 07*, kanë kryer një sërë veprimesh për fshehjen e llojit të vërtetë të mbetjes, me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë, duke ju shmangur të gjitha detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme. Shoqëria Kurum dhe Sokolaj kanë fshehur në mënyrë të vazhdueshme natyrën e vërtetë të llojit të mbetjes së rrezikshme, duke e përpjekur ta paraqesin herë si oksid hekuri dhe herë si oksid zinku.
Shoqëria Kurum ka lëshuar për Sokolaj sh.p.k, fatura me përshkrim artikulli “Oksid hekuri” dhe “oksid zinku”. Kontrata është lidhur për llojin e artikullit Oksid hekuri ndërsa është tentuar fshehja e faturës me përshkrim malli ‘oksid zinku’.
Pjesë nga dosja hetimore:
Në bazë të kontratës datë 01.08.2023 të sipërcituar, Kurum ka lëshuar për Sokolaj faturat tatimore: Nr.19107/2023 datë 16.11.2023, me përshkrim artikulli "Oksid Hekuri”, në sasinë 852.740 kg;
• Nr.88/2023 datë 03.10.2023, me përshkrim artikulli "Oksid zinku (në thasë) 2000f", me blerës "Sokolaj" sh.p.k.; Nr.88/2023 Korigjuese me përshkrim artikulli "Oksid Hekuri".
Siç vihet re, pavarësisht se kontrata është lidhur për llojin e artikullit Oksid Hekuri, Kurum ka lëshuar për Sokolaj faturën tatimore Nr.88/2023 datë 03.10.2023, për artikullin "Oksid zinku (në thase) 2000.
Shoqëritë Kurum dhe Sokolaj, janë përpjekur të fshehin ekzistencën e faturës Nr.88/2023 datë 03.10.2023, me artikullin “Oksid zinku (në thasë) 2000ť”, jo vetëm me deklarime, por edhe me veprime kokrete, duke paraqitur në vend të saj faturën nr.88/2023 KORIGJUESE, në të cilën artikulli është "Oksid Hekuri".
Duke ju referuar edhe deklarimeve të shtetasve Gjovana dhe Gjoni Sokal ata mohojnë të kenë blerë dhe eksportuar oksid zinku nga Kurum, por oksid hekuri.

Transportimi i mbetjeve të Korum në 'Porto Romano'
Një vit pas sekuestrimit të 2800 tonë mbetjeve të kompanisë Kurum, Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 urdhër arreste. Report Tv ka siguruar dosjen hetimore, ku tregohet si nisi hetimi për këtë çështje. Ishte organizata mjedisore “Basel Action Network” e akuzoi Shqipërinë se po shkelte konventat ndërkombëtare për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.
Në korrik 2024, OLAF informoi për ngarkesën e rrezikshme dhe më pas në bashkëpunim me doganat nisi edhe puna për lokalizimin e dy ngarkesave, njëra 2000 tonë dhe tjetra 800 tonë. Ka rezultuar se mbetjet ishin blerë pranë Kurum International sh.a., me vlerë 40.800 USD. Më datë 16.08.2024 Policia e Durrësit ka referuar materialet në Prokurorinë e Durrësit për nisjen e hetimeve, ku i bashkëngjit si provë edhe një artikull të publikuar nga Shqiptarja.com për njërën prej ngarkesave prej 800 tonësh.
Pjesë nga dosja hetimore
Nga studimi i akteve të procedimit penal rezulton se: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, mbi bazën e materialeve hetimore të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe Drejtoria e Hetimit Doganor Tiranë, ka regjistruar procedimet penale Nr. 1596 datë 14.08.2024, Nr.1611 datë 19.08.2024 dhe Nr.1612 datë 19.08.2024, procedime të cilat janë bashkuar në një procedim të vetëm atë me Nr.1596 datë 14.08.2024, për veprat "Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara", parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal, "Transportimi i mbetjeve". parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal, si dhe "Shpërdorimi i detyrës" parashikuar nga neni 248 1 Kodit Penal.
Me shkresën Nr.17267 prot. datë 13.08.2024 të Drejtorisë së Hetimit Doganor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, është referuar materiali hetimor, për veprën penale "Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara", parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetases Gjovana Sokolaj, administratore e subjektit Sokolaj sh.p.k. me NIPT K64312403D
Nga aktet e këtij materiali referues rezulton se, me e-mail të dërguar nga Drejtoria Antitrafik datë 13.08.2024, është përcjellë një memo e shkurtër dhe dokumente në lidhje me eksportin e dyshimtë të oksidit të hekurit. Ndërsa, në datë 25.07.2024, janë njoftuar nga OLAF (European Anti-Fraud Office-European Commission), për një ngarkesë se dyshohej që mund të transportonte mbetje nga Shqipëria në Tailandë. Njoftimi i OLAF përmbante një listë kontenierësh dhe fotografi të mallrave të dyshuara gjatë procesit të ngarkimit në portin e Durrësit.
Që nga ky moment, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe OLAF kanë bashkëpunuar në mënyrë aktive për identifikimin dhe verifikimin e ngarkesës. Edhe pse numrat e kontenierëve nuk përputheshin, është arritur të identifikohej deklarata doganore bashkëngjitur ngarkesës së dyshimtë, bazuar në llojin e mallrave dhe destinacionin
Të dhënat e transportuesit janë shkëmbyer me partnerët, për të asistuar në lokalizimin e ngarkesës, e cila ishte ndarë në dy mjete transporti. Itinerarët ishin Durrës-Triste-Singapor-Tailandë dhe Durrës-Pire-Singapor-Tailandë. Subjekti Sokolaj sh.p.k., në datë 04.07.2024, ka eksportuar 2,816,300 kg Oksid Hekuri (Zn) drejt Tailandës, me vlerë 140.815 USD me tvsh.
Sipas dokumentacionit të depozituar nga subjekti, mallrat ishin blerë pranë Kurum International sh.a., me vlerë 40.800USD.
Nga verifikimi në sistemin Asycuda Word, rezulton se ky subjekt ka kryer edhe dy eksporte të tjera me këtë natyrë malli "Oksid Hekuri (Zn), përkatësisht me deklaratat doganore EX.1 R11842 datë 27.03.2024 dhe EX.1 R15663 datë 22.04.2024.
Bashkëlidhur referimit janë dërguar edhe praktikat e këtyre eksporteve. Materiali i mësipërm është regjistruar si procedimi Nr.1596 datë 14.08.2024, për veprën penale "Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara", parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal.
Me shkresën Nr.5268 prot. datë 16.08.2024, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, ka referuar materialin hetimor, për veprat penale të parashikuara nga nenet 174, 180 dhe 202 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve Gjon Sokolaj, Gjovana Sokolaj dhe Doni Sokolaj.
Nga aktet e këtij materiali referues rezulton se, më datë 13.08.2024, në faqen online të internetit www.shqiptarja.com, është publikuar linku https://shqiptarja.com/lajm/mbetje-te-rrezikshme-nga-shqiperia-drejt-tajlandes-reagon-drejtoria-e-doganave-po-bashkepunojme-me-olaf-per-te-lokalizuar-ngarkesen. Nga përmbajtja e këtij shkrimi jepet informacion se, nga Porti Durrës është nisur një anije e ngarkuar me kontenierë, e cila dyshohet se transporton rreth 800 ton mbetje toksike.
Nga ana e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik pranë DVP Durrës, janë kryer verifikime për të identifikuar konkretisht se cila anije ishte nisur, datën kur është nisur, ngarkesën që ka pasur, cilat subjekte kanë dërguar produkte me destinacion Tajlandën.
Nga verifikimet paraprake rezultoi se, anija është nisur më datë 04.07.2024 nga Porti i Durrësit, dhe mbetjet të cilat dyshohen se janë toksike, janë nisur nga subjekti Sokolaj sh.p.k., me NIPT K64312403D, me administratore shtetasen Gjovana Kol Sokolaj.

Vendi ku mbahen mbetjet e Korum në 'Porto Romano'
102 kontejnerët me 2800 tonë mbetje që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Netëork” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.
Ngarkesa u nis në muajin korrik 2024 nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan. Destinacioni i saj ishte Tajlanda, e cila i refuzoi kontenierët pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ (BAN) me seli në Seattle të Shteteve të Bashkuara, pas një sinjalizimi që ajo kishte marrë nga Shqipëria.
Sipas kësaj organizate, dyshohej se bëhej fjalë për pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, më përmbajtje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.
Kontejnerët u ngarkuan në portin e Durrësit, pasi mbetjet kishin qëndruar më parë në një mjedis të hapur. Eksporti i tyre u krye nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila në deklaratat doganore dhe dokumentacionin shoqërues dorëzuar autoriteteve nuk ka njoftuar se bëhet fjalë për mbetje, aq më tepër të rrezikshme, siç dhe janë ngritur dyshimet.
Në muajin gusht, pas alarmit të dhënë nga BAN, ngarkesa mori rrugën e kthimit për në Shqipëri. Në atë kohë ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit, dolën me një qëndrim të përbashkët ku theksonin se “Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.
Por në të kundërt, Prokuroria e Durrësit, më 27 tetor 2024, një ditë përpara se anija të shfaqej pranë portit të Durrësit, urdhëroi sekuestrimin. Për këtë rast, në hetime u përfshi dhe zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel. Që prej kthimit, mbetjet mbahen ende në Porto Romano.

Kürüm International është kompani Turke e vendosur në Shqipëri dhe është e specializuar në prodhimin e hekur-çeliqeve. Kürüm International është pjesë e Kürüm Holding në Turqi. Kürüm International vepron në ambientet e privatizuara të Uzinave të Prodhimit të Hekur-Çeliqeve në Elbasan që prej vitit 2009.
Uzinat e Prodhimit të Çelikut Elbasan të cilat kanë një kapacitet të gjerë shtrihen në një kompleks me sipërfaqe totale 219.410 m2 të përbërë nga një uzinë çeliku, tre uzina petëzimi dhe një hapësirë pjesërisht të mbyllur prej 88.410 m2 . Sot kompleksi me kapacitet prodhimi 700.000 ton të hekurit për ndërtim të petëzuar në të nxehtë dhe 510.000 ton prodhim çeliku të lëngshëm.
Komente








Prokuroria e Durresit po kap peshk. E gjitha behet per leke, jo per te mbrojtur mjedisin. Keshtu qe te nderuar te arrestuar, lirojeni pak doren, dhe besoj qe prokuroria do t'i thelloj hetimet dhe do dali qe ne fakt ju jeni te pafajshem.
PërgjigjuMund te me thote kush si dhe sa e psguajne keta mostra faktin qe kane lejuar futjen e mbetjeve te rrezikshme?
PërgjigjuPaskan harruar rojet e Kurum dhe njërin që shet qofte tek dera e doganës….. sigurt që lajmi tjetër është që gjykata liron pjesën më të madhe të të akuzuarve. Masa do rrij në fuqi vetëm për ata që janë jashtë Shqipërisë.
PërgjigjuProblemi me keto prokurorite e zakonshme eshte se jane aq te korruptuar sa nuk i pergatisin sic duhet dosjet dhe perfitojne nga gabime teknike keqberesit si ne rastin e cifteve Boci Abule qe i moren mbrapsht 50 mil te sekuestruara.
Përgjigju