24% është rritja e numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga Londra, ku mori pjesë në konferencën “Shqipëria, destinacioni juaj për Turizëm dhe Investime”, ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni tha se vendi ynë u vizitua nga mbi 1 milionë turistë nga janari deri në qershor të 2014-ës.

Ministrja Gjermeni, e cila ndodhet në Angli në krye të delegacionit shqiptar në Panairin e ËTM Londër 2014, foli për nismat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare dhe Ministria që ajo drejton në sektorin e turizmit.

Gjermeni tha se në këtë periudhë është vënë re një rritje e konsiderueshme e turistëve nga Polonia me rreth 14.000, vendet skandinave me rreth 12.000 dhe Britania e Madhe me rreth 27.000 vizitorë.

Njohja e Shqipërisë si një destinacion turistik, tha ministrja, mbetet synim i dikasterit që ajo drejton.

Në këtë vizitë Gjermeni shoqërohej nga Drejtori Ekzekutiv i Organizatës Botërore të Turizmit, Carlos Vogeler dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Turizmit pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Sonia Popa.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)