Prej vitit 2005 nisi pasionin për fluturimet me parashutë dhe që prej asaj dite nuk ka reshtur më. Arsim Begolli e ka kthyer sportin e paragliding në mënyrë jetese dhe thotë se nuk do t’i ndahet deri sa të ketë mundësi fizike.
“Kur e shijon njëherë pastaj gjithmonë kokën lart e mban,”-shprehet fillimisht Begolli, sportist i paragliding.
55-vjeçari është pjesë e federatës së Kosovës në paragliding dhe thotë se rezultatet deri më tani në arenën ndërkombëtare kanë qenë të jashtëzakonshme.
“Te ne është shumë i praktikum. Në krahasim me vendet e tjera që kemi përreth. Madje në Kosovë është shumë i zhvillum dhe renditemi shumë lart në listën botërore. Ne si federatë arnautike e Kosovës, me pilotët tanë jemi në vendin e dytë në botë,”-tha Begolli.
Begolli organizon shpesh gara në Prizren, por prej më shumë se 1 dekade ai merr pjesë edhe në çdo garë që zhvillohet në Shqipëri.
“Shqipëri-Kosovë i kanë garat e përbashkëta. Kemi 3 etapa në Kosovë dhe 3 në Shqipëri. Me pilotë si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria. Kampionati kombëtar është Shqipëri-Kosovë. Gara mes njëri-tjetrit të gjithë pilotët,”-u shpreh ai.
Ndonëse në Kosovë kanë arritur rezultate më të mira, në Shqipëri kushtet për paragliding janë shumë më të përshtatshme.
“Shqipëri është më bukur sepse në bregdet në Vlorë, Dhërmi me fluturu sepse e ke bregdetin, e ke qytetit aty pranë. Turistë po ashtu ke shumë aty, duke të ndjekur,”-deklaroi Begolli.
Në fund, Begolli fton që sa më shumë të rinj ta provojnë këtë sport, pasi më pas sipas tij është e vështirë të shkëputesh.









Komente
Komento