Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur që prej vitit 2023, dhe familjarëve të tij të cilët kërkuan heqjen e sekuestros nga 34 pasuri të luajtshme e të paluajtshme që kapin vlerën e 10 milionë eurove.
Sipas mbrojtësve ligjor kjo kërkesë është dërguar në Gjykatë prej rreth dy vitesh ndërsa afatet ligjore përcaktojnë një kohë shqyrtimi brenda një viti.
Gjyqtari Erion Bani e argumentoi vendimin duke thënë se kërkesa është e pabazuar në prova dhe se prokuroria ka bërë kërkesë për zgjatjen e sekuestros.
“Kërkesa për shuarjen e masës se sigurisë është e pabazuar në ligj e në prova, përderisa prokuroria ka kompetencë të hetojë për dy vjet nga sekuestroja, bazuar në ligj, ka disa kërkesa për zgjatjen e sekuestros dhe është vendosur zgjatja e afatit të sekuestros dy herë deri në dhjetor 2025. Masa shuhet nëse në momentin kur mbaron afati i shtyrë i masës, nuk është kërkuar nga prokuroria konfiskimi”, tha gjyqtari.
GJKKO vlerëson se SPAK e ka depozituar kërkesën për sekuestrim brenda afatit ligjor e për këtë arsye nuk jemi ne kushtet e shuarjes. Ndërkohë në seancën e radhës me kërkesë të SPAK pritet të merren në pyetje si dëshmitarë një grup personash të cilët zotërojnë pronat e Ervis Martinaj mes tyre edhe babai Mustaf Martinaj.
Në vitin 2023 me vendim të Gjykatës së Posaçme, Ervis Martinajt dhe familjarëve te tij dhe personave të lidhur me të iu sekuestruan 34 pasuri. Pasuritë e ‘mbretit të kumarit’ Ervis Martinaj janë vënë nën sekuestro pas vendimit të GJKKO të firmosur nga gjyqtari Erion Banim më 21 janar 2023. Dyshohet se këto pasuri janë vënë përmes veprimtarisë kriminale.
Ndër pasuritë e sekuestruara janë disa biznese në emër të Martinajt, disa në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër më e madhe janë në emër të prindërve Mustafa dhe Vasilika, motrave Erjona dhe Drenica, si edhe në emër të bashkëshortes së tij Roberta Martinaj. Disa pasuri janë në emër të bashkëpunëtorëve të Martinajt apo familjarëve të tyre, siç është rasti i Bisere Hato, mamaja e njërit prej miqve të Ervis Martinaj Eljon Hato, i cili mbeti i plagosur në përplasjen me armë brenda lokal "Monopol" në 'Ish Bllok' ku u vra Fabiol Gaxha.
Komente










